Një shqiptar është arrestuar nga policia italiane për trafik të drogave të forta. B.M, 33 vjeç, u kap në flagrancë nga policia në Pesaro, teksa i jepte dy doza kokainë një vendasi në këmbim të 200 eurove.
Më pas policia vendase ushtroi kontrolle në automjetin e shqiptarit dhe më pas edhe në shtëpinë e tij në Santa Veneranda. Pikërisht në shtëpinë e tij u zbulua edhe një punishte ku përgatiteshin dozat. Droga ishte e fshehur në një zgavër të posaçme jashtë ndërtesës.
Gjatë aksionit u kap rreth 1 kg kokainë e pastër e ndarë në pako, ndërsa u sekuestruan edhe peshore elektronike dhe lëndë për prerjen e kokainës. Gjithashtu, policia kapi edhe një sasi prej 10 mijë eurosh që besohet të jenë të ardhura nga shitja e lëndëve narkotike. Shtetasi shqiptar u arrestua dhe u shoqërua në dje në burgun e Pesaros.
Operacioni i rëndësishëm antidrogë, u krye nga njësia hetimore e departamentit operativ të komandës provinciale të karabinierëve të Pesaro dhe Urbino, të cilët kanë çmontuar një treg të lulëzuar të kokainës.
Identifikimi i shqiptar u bë gjatë orëve të vona të pasdites së të premtes në periferi të qytetit, për shkak të lëvizjeve të dyshimta të tij dhe takimet e shpejta me shoferë në kryqëzime ku u jepte kokainën e cilësisë së pastër për 100 euro doza.
Shqiptari i arrestuar banues në Santa Veneranda, prej kohësh është vendosur atje me gruan dhe fëmijët e tij të vegjël, ligjërisht i papunë pavarësisht se jeton prej 15 vitesh në Itali. Sasia e sekuestruar e drogës do t’i kishte dhënë shqiptarit një shumë parash prej 250 mijë eurosh.