Pasi vulosi dje rezultatin e zgjedhjeve për Gjirokastrën, Kolegji Zgjedhor po shqyrton një tjetër padi të bërë nga PD dhe LSI lidhur me vendimin e KAS për rrëzimin e kërkesës për pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve për Vlorën. Kolegji ka rrëzuar kërkesën për marrjen e provave shtesë.
KAS vendosi të rrëzojë edhe kërkesën e PD për prova shtesë nga institucionet e tjera publike, ndërsa pranoi kërkesën e LSI për të marrë informacion në sa qendra votimi nuk ka funksionuar pajisja PEI në këtë qark. Megjithatë në fund të shqyrtimit vendosi rrëzim të kërkesës.
Padia në Kolegj Zgjedhor për Gjirokastrën e rrëzuar dje, ishte bërë nga PD, LSI dhe Vetëvendosje. Thuajse të gjitha vendimmarrjet e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ janë dërguar nga PD, LSI dhe VetëveNdosje në Kolegjin Zgjedhor. Me përfundimin e Gjirokastrës në Kolegjin Zgjedhor mbeten për tu gjykuar edhe 8 qarqe dhe një prej tyre është Vlora.
Ndërkaq theksojmë se KAS dje ka përfunduar të gjitha ankimet për 25 prillin pasi dje rrëzoi kërkesat ankimore të PD dhe LSI për Korçën, Elbasanin dhe Fierin, të cilat ishin qarqet e fundit. Tashmë radhën e shqyrtimet të ankesave e ka Kolegji Zgjedhor, i cili do të vulosë përfundimisht rezultatin dhe do t’i hapë rrugë certifikimit të tij për të konfirmuar 140 ligjvënësit e ardhshëm të Kuvendit të Shqipërisë.