Një komandant i marinës ukrainase në Mariupol, i ka dërguar një letër Papa Françeskut ku i bën thirrje që të angazhohet në shpëtimin e qytetarëve që kanë mbetur të bllokuar në qytet, nën bombardimet Rusisë.
Në letrën e publikuar në faqen e internetit të Ukrainska Pravda, Major Serhii Volyna, komandanti i Brigadës së 36-të të Marinës të Posaçme, shkruante:
“Unë nuk i kam parë thirrjet tuaja drejtuar botës dhe nuk i kam lexuar të gjitha deklaratat tuaja të fundit, kam qenë duke luftuar për më shumë se 50 ditë në rrethim të plotë dhe gjithçka për të cilën kam kohë është një betejë e ashpër për çdo metër të një qyteti të rrethuar nga armiku”.
Volyna tha se ishte gati të “luftonte deri në fund”, pavarësisht sulmeve të vazhdueshme të Rusisë, mungesës së ujit, ushqimit dhe ilaçeve, duke shtuar: “Ju ndoshta keni parë shumë në jetën tuaj. Por jam i sigurt që nuk keni parë kurrë çfarë po ndodh në Mariupol. Sepse kështu duket ferri në tokë. Kam pak kohë për të përshkruar të gjitha tmerret që shoh këtu çdo ditë. Në fabrikën [Azovstal], gratë me fëmijë dhe foshnja jetojnë në bunkerë. Vuajnë nga uria dhe i ftohti. Çdo ditë duke u shënjestruar nga aviacioni armik. Të plagosurit vdesin çdo ditë sepse nuk ka ilaçe, nuk ka ujë, nuk ka ushqim”.
Ndër të tjera, komandanti rus në letër thotë se vetëm lutjet nuk mjaftojnë, ndaj duhen marrë vendime konkrete për evakuimin e qytetarëve nga Mariupoli.
“Ka ardhur koha kur lutja nuk mjafton,” tha Volina. “Ndihmoni për t’i shpëtuar. Pas bombardimit të teatrit, askush nuk i beson pushtuesit rusë. Sillni të vërtetën në botë, evakuoni njerëzit dhe shpëtoni jetën e tyre nga duart e Satanait, i cili dëshiron të djegë të gjitha gjallesat.”