Telashe në sulm për trajnerin Panuçi me Armando Sadikun që ka pësuar një dëmtim të rëndë në ndeshjen miqësore me Herenvenin dhe rrezikon një periudhë të gjatë riaftësimi.
Klubi i Levantes bëri të ditur se sulmuesi kombëtares shqiptare ka pësuar një dëmtim të gjurin e majtë por shkalla e tij do të përcaktohet ekzaktësisht pas ekzaminimeve të detajuara që do të mbahen në kthimin e ekipit në Valencia.
Sadiku u aktivizua për ekipin spanjoll në pjesën e dytë por në minutën e 70-të u detyrua të braktisë fushën e lojës për shkak të një problemi fizik.
Klubi njoftoi se konfirmon dëmtimin në gju për futbollistin por nuk mund të përcaktojë ende se sa do të jetë periudha e riaftësimit për lojtarin e kombëtares shqiptare.
Sulmuesi, që po kalon një moment jo shumë pozitiv pavarësisht mungesës së grumbullimit nga ana e Panuçit në ndeshjet e fundit miqësore, pritej të ishte në listën e trajnerit italian për sfidën me Izraelin në 7 shtator, por dëmtimi i pësuar krijon tashmë probleme për kombëtaren shqiptare, me Panuçin që ka jo pak telashe me një pjesë të futbollistëve që janë pa skuadër, e një pjesë tjetër që janë të dëmtuar duke sjellë jo pak dhimbje koke në zgjedhje për trajnerin italian.
Ndërkohë Jahmir Hyka rigjen golin në ‘Major League Soccer’ duke i dhënë një sinjal trajnerit të kombëtares shqiptare se është gati për sfidat e muajt shtator ndaj Izraelit dhe Skocisë në Ligën e Kombeve.
Dallas vazhdon të mbetet preja e preferuar e shtatshkurtrit shqiptar, i cili që nga mbërritja e tij në tokën e premtuar i ka realizuar 3 herë në 3 sfida të ndryshme skuadrës teksane.
Hyka festoi me simbolin e shqiponjës duke i dhënë një sinjal trajnerit të kombëtares se është gati dhe shumë në formë për dy sfidat e radhës të kuqezinjve.