Komisioneri Hahn vlerësoi masterin e përbashkët PoSIG si një formë e mirë e Integrimit Europian dhe njëkohësisht përgëzoi përfaqësuesit e pranishëm nga Shqipëria dhe Maqedonia për progresin e kryer deri tani lidhur me rekomandimet e BE
Një takim mes akademikësh e studentësh dhe Komisionerit për Zgjerim dhe Politikat e Fqinjësisë së mirë në Bashkimin Europian Z. Johannes Hahn është mbajtur në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit të Salzburgut, më 27 prill.
Komisioneri Hahn u prit nga prof. Reinhard Heinisch, Shef i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Salzburgut dhe dr. Franz Kok, Drejtori Ekzekutiv i PoSIG.
Takimi erdhi si një pasojë e bashkëpunimit që Universiteti i Salzburgut së bashku me Universitete nga Ballkani Perëndimor kanë në kuadër të masterit të përbashkët PoSIG. Masteri i përbashkët në Shkenca Politike – Integrimi dhe Qeverisja (PoSIG), është një program dy vjeçar pasuniversitar sipas standardeve europiane. Masteri i përbashkët është ndërtuar nga një konsortium universitetesh të cilët janë lider në shkenca politike në rajon si Universiteti i Salzburgut, Universiteti i Ljubljanës dhe Universiteti i Pavias. Ndërkohë pjesëmarrëse janë edhe universitetet kryesore në rajonin tonë si: Universiteti i Shkupit, Universiteti i Sarajevës dhe Shkolla britanike e Sarajevës për Shkencë dhe Teknologji (SSST), Universiteti i Biznesit dhe Teknologjisë dhe Kolegji Fama në Kosovë, Universitetit Europian të Tiranës dhe të Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës. Universitete të tjera në rajon priten ti bashkohen konsortiumit.
Komisioneri Hahn vlerësoi masterin e përbashkët PoSIG si një formë e mirë e Integrimit Europian dhe njëkohësisht përgëzoi përfaqësuesit e pranishëm nga Shqipëria dhe Maqedonia për progresin e kryer deri tani lidhur me rekomandimet e BE.
Komisioneri theksoi se vendet e Ballkanit kanë kryer një progres të dukshëm dhe interesi kryesor i BE është të mbështesë këto shtete të zhvillohen dhe më tej dhe të shkojnë sa më parë drejt procesit të hapjes së negociatave.
Ndërkohë sipas Komisionerit Hahn situata në Bosnje dhe Hercegovinë qëndron ende problematike dhe kërkohet vullneti i palëve për të proceduar. Gjeneratat e reja janë ato të cilat do kapërcejnë çdo problematikë dhe do ndryshojnë rrënjësisht situatën, pasi për momentin elitat e vjetra politike janë ato të cilat nuk përkrahin integrimin dhe qëndrojnë si barrierë përballë këtij procesi edhe pse interesi i qytetarëve kërkon integrimin në Bashkimin Europian, pohon Hahn.
2025 është një datë indikativë e përcaktuar për zgjerimin por në këndvështrimin e Hahn kjo datë është shumë ambiciozë dhe kërkon shumë punë nga palët për tu përballur me realitetin dhe për të punuar fort kundrejt rekomandimeve.
Në Ballkan ka shumë zhgënjime ama duhet t’u kushtojmë shumë rëndësi reformave, ajo që vlen për tu theksuar është se Komisioneri Hahn nuk beson së të gjithë shtetet e Ballkanit do të aderojnë në të njëjtën kohë në komunitetin Europian, kjo si pasojë e plotësimit të kritereve në periudha të ndryshme kohore. Sipas Zotit Hahn, Bashkimi Europian do duhet të vazhdojë të investojë në Ballkan për sa kohë që ekziston një marrëdhënie reciproke, BE investohet në Ballkan por edhe merr pas pasi dhe shtetet e Ballkanit kanë shumë vlera e kontribute për të ndarë me BE dhe më gjerë. Bashkimi Europian ka një detyrim për të krijuar një ambient më të mirë jetese për të gjithë qytetarët europianë dhe progresi ekonomik është thelbi i një jetese më të mirë. Një indikator i rëndësishëm për Komisionerin Hahn është dhe bashkëpunimi ekonomik rajonal, sakaq 75% e tregtisë së vendeve të Ballkanit kryhet me Bashkimin Europian dhe ky është një indikator shumë i rëndësishëm për të ardhmen.
Pas fjalës së Komisionerit Hahn u mbajt dhe një diskutimi i hapur mes studentëve dhe akademikeve ku të pranishmit morën përgjigje për shumë nga pyetjet e ndritura, thelbin e të cilave e mbante aderimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE apo dhe ndikimet e huaja në rajon. Komisioneri Hahn u bëri thirrje studentëve dhe të rinjve në përgjithësi të përfshihen në vendimmarrje, pasi është e ardhmja e tyre dhe askush s’do duhet të vendosë për ta. “Vetëm vullneti dhe energjia e të rinjve do sjellin ndryshimin”, pohoi Hahn, për të është e rëndësishme përfshirja e të rinjve në vendimmarrje e politikë si e vetja formë e ndryshimit të elitave politike.
Pas këtij takimi të parë Komisioneri Hahn premtoi të vijojë me disa të tjerë të radhës pasi beson fort në angazhimin e të rinjve.