Komisioni Evropian bashkohet me FMN dhe Bankën Botërore në parashikimin për rritjen e ekonomisë shqiptare këtë vit.
Sipas raportit të fundit të KE-së mbi projeksionet ekonomike të vendeve kandidate për të qenë pjesë e unionit, ekonomia shqiptare pritet të rritet këtë vit me 3.9%, me pak sesa rritja 4.2% e parashikuar nga qeveria.
Ky është parashikimi që Komisioni Evropian kishte bërë që në projeksionet e vjeshtës.
Raporti përmend në kategorinë e zhvillimeve kryesore protestën e studentëve, që u shoqërua me ndryshime në qeveri, me shkarkimin e ministres së Arsimit dhe 7 ministrave të tjerë.
Raporti vlerëson rritjen e punësimit me 1.8% për moshat 15 deri 64 vjeç në tremujorin e tretë të 2018-ës.
Ndërkaq në fokus ka qenë edhe politika monetare, ku vlerësohet ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë në tregun e këmbimit për të blerë valutë e për të frenuar zhvlerësimin e mëtejshëm të euros./A2