Mbledhja e parë e vitit e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s ka përfunduar ditën e mërkurë në Nion të Zvicrës dhe në njoftimin e publikuar në sajtin zyrtar të UEFA-s, nuk është njoftuar që ky organ të ketë diskutuar në lidhje me kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), që përfaqësueses së Kosovës në futboll t’i lejohet zhvillimi i ndeshjeve miqësore. Kjo situatë nuk është fare e favorshme për Kosovën, e cila po sheh t’i refuzohet çdo kërkesë që i ka dërguar qeverisë së futbollit në kontinent.
Megjithatë, emrat e mëdhenj të stolit në ish-Jugosllavi nuk e kanë mohuar faktin se edhe Kosova duhet të anëtarësohet në botën e madhe të futbollit. Trajneri i njohur kroat, Miroslav “Çiro” Blazheviç, ka thënë se FIFA po përdor kritere të dyfishta, kur bëhet fjalë për futbollin e Kosovës. Ish-trajneri i Prishtinës ka thënë se dëshiron që Kosova të pranohet në Federatën Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA). Blazheviç, 76-vjeçar, aktualisht drejton skuadrën iraniane, Mes Kerman, por në të shkuarën ka arritur majat në drejtimin e Dinamos së Zagrebit dhe të kombëtares së Kroacisë, ku arriti edhe një vend të tretë në Botërorin Francë 96’.