Komiteti Teknik i Ekspertëve pohon zyrtarisht se mutacionet e virusit vdekjeprurës Covid-19, kanë mbërritur në Shqipëri.
Edhe pse nuk ka një përgjigje zyrtare nga laboratori i Londrës, lajmi faktohet nga drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico.
Fico tha se me apo pa firmën e Anglisë ka dyshime të arsyeshme, nisur nga shifrat për praninë e varianteve britanik apo afrikan të virusit.
“Kur futet mostra për t’u sekuencuar ka një kohëzgjatje të caktuar, algoritmi i leximit të saj është tepër profesional. Mostrat janë dërguar në laboratorin më të mirë të botës. Informacioni dhe komunikimi është i përditshëm. Nuk ka prioritizim, aty ka radhë, i ke dërguar dhe duhet të presësh.
Me mutacion, pa mutacion, ne kemi shifra ku kemi një dyshim të arsyeshëm. Ky dyshim i arsyeshëm që na vjen nga laboratori, fakti që kemi një dinamikë moshore të ndryshuar, fakti që u përballëm me një rritje të pozitiviteti menjëherë janë të gjithë elementë që me firmën apo pa firmën e Anglisë kemi dyshime të arsyeshme. Të marrim të mirëqenë faktin që virusi është këtu, ka një trend që ka treguar një veçori”, – u shpreh Fico.
Etiketa: Covid-19, Komiteti Teknik i Ekspertëve, mutacionet e virusit