Komiteti Teknik i Ekspertëve i cili u mblodh sot nuk njoftoi se do të ndryshojë ndonjë nga masat anti-COVID. Ata bënë me dije se maska duhet të mbahet në ambientet e mbyllura dhe ato të hapura ku nuk respektohet distancimi social.
Grumbullimet në ambientet e jashtme do të lejohen deri në 50 persona, duke respektuar masat e distancimit social.
Sa i përket orës policore, as ajo nuk do të ndryshojë, por do të qëndrojë në fuqi nga ora 24:00 deri në 06:00, ndërsa muzika në lokale do të lejohet deri në orën 23:00. Pra, masat nuk ndryshojnë, por Komiteti Teknik i Ekspertëve kërkoi që ato të zbatohen.
Komiteti Teknik bëri edhe një bilanc të situatës pandemike në vendin tonë. Albana Fico, në një konferencë për shtyp tha se mesatarja javore e rasteve ka shkuar 482.
Fico tha se numri total i rasteve aktive është rritur me pesë herë, kjo lidhur edhe me përhapjen e variantit Delta të koronavirusit.
Ndërsa Silva Bino tha se 27 për qind e popullatës janë vaksinuar me dy dozat, ndërsa 37 për qind me një dozë.
Sa i përket infektimeve, ata thanë se 95% e të infektuarve janë të pavaksinuar, duke shtuar se qytetarët duhet të vaksinohen për t’i paraprirë rritjes së frikshme të shifrave.