Kompania qe ndertoi uren Morandi ne Genova, shembja e se ciles la pas 39 viktima, mes te cileve edhe 2 shqiptare, ka firmosur me qeverine shqiptare kontrate per ndertimin e spitalit te ri 7-katesh ne QSUT. Keshtu denoncon sot partia Zgjidhja, e cila kerkon urgjent rishikim te kesaj kontrate.
Reagimi i partisë ‘ZGJIDHJA’:
“Të hetohet kontrata e spitalit me kompaninë italiane
Nga shembja e një ure në Xhenova të Italisë, deri më tani numërohen 35 viktima, 13 të plagosur dhe 10 të zhdukur, mes të cilëve është konfirmuar edhe një 22-vjeçar shqiptar që humbi jetën ndërsa shkonte në punë. ZGJIDHJA u shpreh ngushëllimet familjarëve të viktimave të kësaj tragjedie dhe bashkohet me dhimbjen e tyre. Kjo ngjarje e rëndë ngre alarmin edhe për punët që firma ndërtuese po bën në Shqipëri.
Kompania “Condotte SPA”, ndërtuese e urës “Morandi” në Xhenova të Italisë, prej muajsh është përfshirë në një skandal korruptiv në Itali dhe presidenti i saj Duçio Astaldi me 5 zyrtarë të tjerë u prangosën për korrupsion, pasi u akuzuan për abuzime për ndërtimin e tre pjesëve të autostradës Sirakuza-Xhela, në jug të Italisë dhe 6 të arrestuarit u përfshinë në një hetim për ryshfet.
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave kishte kryer procedura fiktive sepse fituesi ishte përcaktuar më herët.
Por kjo kompani, i ka shtrirë aktivitetet edhe në Shqipëri, përmes kompanisë-bijë “INSO” e cila firmosi në majin e kaluar me qeverinë shqiptare kontratën për ndërtimin e spitalit të ri 7-katësh në QSUT ‘Nënë Tereza”, me vlerë 14.4 milionë euro.
ZGJIDHJA kërkon rishikimin e kësaj kontrate, duke patur parasysh jo vetëm pasojat tragjike të investimeve të kompanisë-mëmë, arrestimin dhe akuzat ndaj drejtuesve të saj, por edhe faktin se në Shqipëri tenderat u dhurohen vetëm kompanive që paguajnë rryshfete të majme për anëtarët e qeverisë.
ZGJIDHJA fton organet ligjzbatuese që të ndërhyjnë sa nuk është vonë, që ajo që ndodhi në Xhenova të mos përsëritet në Tiranë”.