Kontributi i projektit europian E-VIVA, në ngritjen e kapaciteteve të universiteteve të Ballkanit Perëndimor
Dr. Ketrina Mijo Çabiri
Prof. Dr. Ermira Qosja
Në kuadrin e “Javës Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës u zhvillua “Transnational Dissemination Conference” në kuadrin e projektit Erasmus + e – VIVA.
Drejtuesja e projektit, Dr. Ketrina Çabiri, në fjalën e saj solli në vëmendjen e të pranishmëve, përfaqësues nga universitetet e Ballkanit Perëndimor dhe studentë të përfshirë në të, fazat e njëpasnjëshme të këtij projekti, vështirësitë e kapërcyera nga të gjithë partnerët së bashku në periudhën e pandemisë, si dhe theksoi hapësirat e krijuara përmes projekteve të Komisionit Europian për bashkëpunim, inovacion e ngritje të kapaciteteve në ILA-të ballkanike.
Konferenca përmbyllëse u fokusua në prezantimin e gjetjeve dhe rekomandimeve përfundimtare të projektit, si edhe në prezantimin e ideve dhe planeve të biznesit të studentëve nga universitetet e Ballkanit Perëndimor pjesëmarrës në këtë projekt.
Fokusi i Projektit e-VIVA: Krijimi i një qasjeje hibride të të mësuarit
Pas viteve ’90, institucionet e Arsimit të Lartë në vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për t’u reformuar përmes proceseve që kanë synuar integrimin e tyre në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë. Implementimi i reformave strukturore në Arsimin e Lartë është gjithnjë një proces që mbart rrezik dhe pasiguri. Këto procese nisin në mënyrë të centralizuar, por përgjegjësitë e zbatimit janë dhe duhen ndarë mes të gjithë partnerëve në nivele të ndryshme të Arsimit të Lartë.
Me implementimin e sistemit të Bolonjës në vitin 2003, ndodhën një sërë ndryshimesh, një pjesë pozitive dhe një pjesë që kishin nevojë për më shumë kontekstualizim. Gjithsesi, Procesi i Bolonjës solli mes të tjerave rritjen e numrit të studentëve, duke arritur kështu objektivin e masivizimit të Arsimit të Lartë, por duke shpërfaqur njëkohshëm një sërë problematikash të cilat konvergojnë në një pikë të përbashkët: cilësia.
Procesi i Bolonjës, përdor konceptin e kompetencës si bazë për rezultatet e të mësuarit, dhe kjo është tashmë mënyra më e përshtatshme për të formuluar programet e studimit, por njëkohësisht është një proces kompleks dhe që kërkon ngritjen e kapaciteteve brenda IAL-ve.
Shoqëria po lëviz në një kahje, ku ne të gjithë po operojmë në një ambjent pune gjithnjë e më të pasur dhe më të personalizuar. Kjo kërkon kompetenca të reja dhe të ndryshme, njëkohësisht për pedagogët dhe studentët. Kërkohet ndryshim nga një qasje e formalizuar, e strukturuar, e orientuar nga lënda, në një model mësimi më informal, të orientuar nga kërkesa, të drejtuar nga nevojat dhe të personalizuar.
Në një kohë të aksesit pa kufi në informacion, njohuri, fakte, detyra kryesore e pedagogëve nuk është më thjesht përpunimi i njohurive, por lehtësimi dhe menaxhimi i kompetencave të studentëve të tyre. Zhvillimi i qëndrueshëm dhe kohezioni social varen në mënyrë kritike nga kompetencat e të gjithë popullsisë. Kompetenca, e përbërë nga njohuritë, aftësitë dhe qëndrimet, është një koncept dinamik, që zhvillohet përmes procesit të të mësuarit.
Projekti e-VIVA synon krijimin e një qasjeje mix të të mësuarit, për të lehtësuar dhe validuar zhvillimin e kompetencave që lidhen me shërbimin, në kontekste informale të të mësuarit në universitet dhe në vendin e punës. Nëpërmjet projektit e-VIVA, kompetencat e lidhura me shërbimimin fitohen bazuar në: Entrecomp – skema e kompetencave për sipërmarrjen e Komisionit Evropian; fokus i fortë te klientët dhe nevojat e tyre; qasje inovative të mësimdhënies dhe të të nxënit, bazuar në një qasje të projektimit të mendimit (Design Thinking); instrumente mikse të mësimdhënies (F2F – e-learning – projekte); validimi i kompetencave përmes Level 5.
Metodologjia e kërkimit në projektin e-Viva u zhvillua për të identifikuar, analizuar dhe përshkruar gjendjen në programet mësimore dhe në praktikë, në lidhje me orientimin ndaj shërbimeve. Fokusi ishte në ndërlidhjen midis të mësuarit formal dhe joformal në IAL-të, dhe lidhjet e mundshme me praktikat e vlefshmërisë në lidhje me EQF, NQF dhe instrumentet përkatëse – ECTS, ECVET dhe EUROPASS.
Për këtë shërbyen Paketa 1 e projektit që synoi hulumtimin dhe analizën e nevojave – drejtuar nga Universiteti Duisburg-Essen; Paketa 2 – Qasja e të mësuarit të kompetencave të lidhura me shërbimin (përfshirë validimin) e udhëhequr nga Blinc eG, si dhe fokus grupet e universiteteve për çdo vend të BP të përfshirë në projekt, gjatë takimit të nëntorit 2021 në Kotor – Mali i Zi.
Gjetjet e këtij projekti ishin shumë të larmishme, pasi në vendet e Ballkanit Perëndimor mungojnë profesionistët e kualifikuar, si në aspektin e ekspertizës (probleme demografike, të rinj të diplomuar që largohen nga vendi), ashtu edhe në zotërimin e kompetencave në lidhje me shërbimin. Nga ana tjetër, sipërmarrësit dhe menaxherët janë shumë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtyre kompetencave.
Kërkimi i bërë përmes projektit e-VIVA tregon që kompetenca e lidhur me shërbimin njihet si një koncept shumë i rëndësishëm, por të anketuarit janë të paqartë për programet që mbështesin formimin e kësaj kompetence dhe validimin e saj. Kompetenca e lidhur me shërbimin konsiderohet e pazhvilluar në vendet e BP. Shumica e të anketuarve nuk janë të familjarizuar me konceptin e validimit të kompetencave, ndonëse e konsiderojnë shumë të rëndësishëm këtë proces për njohjen formale të kompetencave të lidhura me shërbimin.
Grupet e interesit janë të vetëdijshëm për rëndësinë dhe përfitimet e kompetencave të lidhura me shërbimin. Ata konsiderojnë se këto kompetenca individët mund t’i përfitojnë në shumë mënyra, duke përfshirë zhvillimin personal dhe profesional, karrierën dhe mund të ndihmojnë ndjeshëm në gjetjen e punës.
Konstatohet mungesë bashkëpunimi midis IAL-ve dhe sektorit të biznesit në vendet e BP. Kompanitë qëndrojnë larg bashkëpunimit me universitetet, ndërsa Dhomat e Tregtisë nuk luajnë rolin e tyre në mbështetjen e bashkëpunimit.
Të mësuarit mbi bazë kompetence dhe validimi i kompetencave është një koncept që vjen si një ide novatore e mësimdhënies dhe të të nxënit në Arsimin e Lartë, dhe më gjerë. Një nga ndryshimet kryesore midis qasjes tradicionale dhe asaj novatore, është kalimi në metodën që vë në qendër studentin, e cila nuk është e zakonshme as në vendet anëtare të BE-së dhe kuptohet shumë më pak në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Vendi i punës dhe praktikat, paraqiten si opsionet më të mira për të mësuar rreth kompetencave të lidhura me shërbimin. Të anketuarit e vlerësuan formimin professional dhe trajnimin, si dhe arsimin e lartë, si shumë të rëndësishëm për të fituar kompetencat lidhur me shërbimet.
Të mësuarit bazuar në kompetenca paraqet disa sfida për palët e përfshira. Për IAL-të sfidat janë: kurrikula strikte nënkupton pak hapësirë për inovacion; mundësi të kufizuara për orientim në shërbim, praktika dhe projekte; lidhjen me biznesin real. Sfidat për partnerët e biznesit: Ku dhe si të zbatohet e-VIVA, lidhje e paqartë me e-VIVA dhe praktikantët.
Qëllimi i validimit të kompetencës është të bëjë të dukshme të gjithë fushën e njohurive dhe përvojës që zotëron një individ, pavarësisht nga konteksti ku fillimisht u zhvillua mësimi; për t’i bërë kompetencat e individëve më transparente dhe të krahasueshme, dhe për të kontribuar në kohezionin evropian dhe rritjen ekonomike. Përtej aktorëve politikë evropianë dhe kombëtarë, ka katër grupe të tjera që luajnë role vendimtare në validim: Studenti; Institucionet Arsimore; Punëdhënësit; Politika; Shoqëria.
Pedagogët e UET Prof. Dr Ermira Qosja dhe Dr Ketrina Çabir si drejtuese e këtij projekti rekomandojnë një së çështje, ku politikëbërësit, studiuesit dhe institucionet e edukimit në vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të fillojnë të diskutojnë qasjet dhe zgjidhjet që lidhen me mësimdhënien dhe të nxënit e bazuar në kompetenca. Kriza e COVID-19 e përforcoi këtë nevojë dhe shtroi çështje të reja për aktorët në edukim. Për të arritur potencialin e plotë të të nxënit të bazuar në kompetenca, institucionet e edukimit duhet të punojnë shumë për të zhvilluar kompetenca të tilla, si ato të orientuar drejt shërbimeve dhe kompetenca dixhitale.
Edukimi nevojitet t’i përgjigjet sfidave të reja, për t’u bërë më pak formal dhe më fleksibël, i hapur dhe pjesëmarrës. Ai duhet të hapë shumë dyer për studentët përmes lidhjeve të sektorit formal dhe joformal.
Të mësuarit bazuar në kompetenca është mjaft i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë së edukimit, por kjo mund të ndodhë vetëm nëse teknikat dhe mjetet zgjidhen me mençuri dhe përdoren me efikasitet, me qasjet e duhura pedagogjike.
Duhet zhvilluar një fushatë ndërgjegjësimi për të vënë në dukje nevojat për kompetenca që lidhen me shërbimet, pasi ekonomia e shërbimeve po rritet me shpejtësi. Kjo kërkon përfshirjen e të gjithë aktorëve që lidhen me procesin. Qeveritë duhet të vendosin incentivues për të mbështetur biznesin që bashkëpunon me universitetet dhe që përfshihet në procesin e edukimit. IAL-të në vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përcaktojnë lëndët/modulet që shërbejnë për zhvillimin e kompetencave që lidhen me shërbimet.
Institucionet shtetërore dhe bizneset private, tashmë duhet të punojnë së bashku për rritjen e nivelit të kompetencave të lidhura me shërbimin (në vend që të presin efektet e kurrikulave dhe planprogrameve të reformuara), përmes kurseve të shkurtra, tutorialeve dhe seminareve, praktikave dhe intershipeve, veçanërisht në IT dhe turizëm.
Metodat mikse të të mësuarit duhet të shihen si një mënyrë efikase për studentët, që të mësojnë dhe përshtasin vetë aftësitë në çdo sektor shërbimi. Një kombinim i të mësuarit në klasë dhe nga praktika, jo vetëm që do të ngushtonte hendekun midis teorisë dhe praktikës, por gjithashtu do të siguronte një kuptim më të mirë të kërkesave të kompanive.
IAL-të në vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përdorin metodologjinë LEVEL5 për kompetenca të ndryshme (të lidhura me shërbimin, sipërmarrjen dhe të tjera), për të reflektuar mbi kurrikulën/programin/intershipin/projektin e tyre etj.
Të bëhet një fushatë promovuese për ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e metodologjisë së Level 5 me të gjithë aktorët (institucionet shtetërore, sektori i biznesit dhe IAL-të); si edhe të shihet mundësia për mbështetje financiare për metodologjinë e Level 5 dhe për ngritjen e kapaciteteve të stafit akademik në këtë drejtim.
Konkursi i ideve të sipërmarrjes së studentëve nga universitetet e Ballkanit Perëndimor
Gjithashtu për gjatë zhvillimit të klëtij projekti është zhvilluar dhe konkursi i ideve sipërmarrëse, të organizuar në “ Transnational Dissemination Conference”,ku skuadra fituese ishte ideja “Power B”, prezantuar nga Klerisa Azuni studente e Universitetit Europia të Tiranës. PowerB është një pajisje e konvertimit të energjisë mekanike në elektrike, e lëvizshme, dhe që mund të përdoret në ndërprerjet e energjisë ose në zona me mungesë të energjisë elektrike
Ky projekt, ku lider ishte Universiteti Europian i Tiramës kishte një buxhet afro 1 milion Euro dhe përfshiu dhe 15 institucione të arsimit të lartë nga rajoni dhe Europa si; Die Berater® Unternehmensberatung GmbH / dB – Austri; Blended learning institutions’cooperative / blinc eG – Gjermani; University of Duisburg Essen – Gjermani; Universidade Nova de Lisboa – Portugali; Cyril and Methodius University in Skopje – RMV; Mother Teresa University – RMV; Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” – Shqipëri; University of Sarajevo – Bosnje & Herzegovinë; University Sarajevo School of Science and Technology – Bosnje & Herzegovinë; University of Donja Gorica – Mal i Zi; University of Montenegro – Mal i Zi; Universum College – Kosovë; Universiteti “Kadri Zeka” Gjilan – Kosovë; University of Novi Sad – Serbi; University of Niš – Serbi.