Rreth 420 nxënës u janë shtuar 8 shkollave në Fushë-Krujë gjatë dy viteve të fundit, nga të cilët 50% i përkasin komunitetit rom dhe egjiptian, ndërsa gjysma tjetër komunitetit në mazhorancë. Këta fëmijë janë ulur për herë të parë në bankat e shkollës, pavarësisht se janë të moshave të ndryshme, ose janë rikthyer pas shkëputjes së tyre për shkaqe të ndryshme. Kjo u arrit Falë projektit “Shansi i dytë” të implementuar në Njësinë Administrative të Fushë-Krujës, në Bashkinë Krujë.
Interesant për këtë projekt, nuk është vetëm bindja e prindërve dhe fëmijëve për të ndjekur arsimin, por edhe fakti se mbi 50% e 420 nxënësve, konkretisht 53% e tyre janë vajza, duke shtuar kështu ndjeshëm edhe numrin e vajzave që ndjekin arsimin në këto zona, ku problem ka qenë edhe pjesëmarrja gjinore. Një prej këtyre fëmijëve të komunitetit rom, që i janë bashkuar fëmijëve të tjerë në shkollë është edhe Fatime Osmani, 12 vjeçe, e cila ndjek klasën e gjashtë në shkollën 9-vjeçare “Adem Gjeli” të Fushë Krujës. Ajo është e mbushur me ëndrra dhe shumë dëshira për të ardhmen dhe duket se edhe shkolla po e ndihmon shumë. “Mua më ka ndihmuar shumë organizata Adra për detyrat, kam mësuar shumë.
Adra më mësoi shumë gjëra, kam mësuar vjersha, të punoj, të bëj lloj-lloj gjërash. Edhe shkolla më pëlqen shumë sepse shkolla të ndihmon të bëhesh mësuese, doktoreshë etj”, tregon ajo, me një gëzim që nuk e fsheh nga sytë e saj. Fatimja, veçse ka thyer tabutë, duke ndjekur shkollën, ajo me këmbënguljen e saj ka bërë që të shuhet steriotipi për rezultatet e nxënësve romë, pasi ajo është një nxënëse e mirë, që përveçse shkon me dëshirë në shkollë, i pëlqen lëndët si gjuha shqipe, matematika dhe anglishtja. Por për të pasur rezultate të kënaqshme, si për Fatimen, ashtu edhe për mbi 200 fëmijë të tjerë të komunitetit rom në këtë zonë, ka ndikuar edhe qendra sociale që ndodhet në Fushë Krujë, që së fundmi është bërë funksionale. Fëmijët e shtresave të ndryshme ndihmohen aty nga punonjësit e psikologët që të mund të bëjnë detyrat e shkollës dhe të përmirësojnë çdo paqartësi që mund të kenë.
Gjithsesi, në Fushë Krujë, nuk është vetëm kjo qendër, që jep ndihmesën për këta fëmijë, pasi aty duket se gjithçka ka ndryshuar, sepse shoqëria civile dhe organizatat që punojnë në këtë zonë, kanë punuar pa u lodhur me komunitetin për ndryshimin e mentalitetit dhe ia kanë dalë. Një prej tyre është edhe gjyshi i Fatimes, i cili pranon se nuk i ka çuar fëmijët e tij në shkollë më parë, pasi për të ishte një humbje kohe, por tani që mbesa e tij merr rezultate të kënaqshme, kupton që e ka pasur gabim konceptin e tij për arsimimin. “Jetesa jonë është shumë, shumë e vështirë, pasi jemi të varfër. Edhe fëmija do kushtet e veta, do problemet e veta. Prandaj, nuk i kemi çuar më parë në shkollë.
Por tani, pasi ne pamë rezultatet e Fatimes, mundohemi t’i çojmë në shkollë si të gjithë, të marrin ndonjë profesion”, tregon Ruzhdi Osmani. Për t’i ardhur sa më shumë në ndihmë fëmijëve, Organizata Adra ka organizuar edhe klasat suplementare, të cilat zhvillohen në qendrën komunitare të Fushë Krujës, ose në shkollë, ku fëmijët përgatiten dhe ndihmohen me detyrat e shtëpisë dhe për mësimet që e ndjejnë veten disi më dobët. Stafi i qendrës është gjithmonë aty dhe progresi i tyre duket qartësisht. “Fëmijët romë kanë filluar të vijnë dhe prindërit janë ndërgjegjësuar. Madje, ne si prioritet kemi që fëmijët romë mos të rrinë në bankat e fundit. Çdo mësues i vendos në fillim.
Ata aktivizohen në jetën sociale, i ndjekim në orën e fizkulturës dhe i aktivizojmë në programet që organizojmë në shkollë”, sqaron Anila Baku, nëndrejtore e shkollës 9-vjeçare “Adem Gjeli” në Fushë Krujë. Pjesë e këtij ndërgjegjësimi janë edhe mësuesit e shkollës, duke ndihmuar në zhdukjen e diskriminimit që ka ekzistuar kohë më parë. “Organizata Adra nuk ka ndihmuar vetëm fëmijët, por edhe ne që të marrim diçka për profesionin tonë. Sepse kanë me të vërtetë disa forma, disa teknika që nuk i kemi mësuar kur i thonë në studimet tona. Veç rasteve në qendër, këto mënyra i praktikojmë edhe me nxënësit e tjerë, sepse shoh që ka më tepër rezultat se ai mësimi brenda kornizave, ku është frika e notës dhe fëmija më stepet.
Fëmija do botën e vet, do lirshmërinë e vet”, thotë Etleva Alvora, mësuese në këtë shkollë. Madje, komuniteti është i lumtur për këto ndërhyrje dhe shpresojnë që kjo të shpërndahet edhe në shkollat e tjera. Kruja ka rreth 80 000 mijë banorë dhe është e ndarë në dy qytete dhe 50 fshatra, të shtrira në 6 njësia administrative, Krujë, Fushë-Krujë, Bubq, Nikël, Thumanë, e Cudhi. Sistemi arsimor përfaqësohet nga një sërë shkollat 9 vjeçare të shpërndara në njësitë administrative dhe fshatrat e saj, si dhe nga 6 shkolla të mesme.