Prej disa vitesh është bërë pjesë e tregut muzikor në Shqipëri. Me shumë talent dhe vullnet, Gjergj Kaçinari ja ka dalë mbanë të depërtojë tek dëgjuesit e muzikës “Rock” në vend. Së fundmi Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i ka bërë ftesë Kachinari-t të mbajë një koncert në sallën e Teatrit Kombëtar, pasi vetë Kachinari është mbështetës i kauzës kundër prishjes së godinës.
Për Kachinari-n ky koncert është tejet i veçantë. Në një prononcim për Gazetën Mapo ai shprehet se është në “interes” të të dyja palëve.
“Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit mbron kauzën e saj, ndërsa unë si mbështetës i kësaj kauze realizoj koncertin tim shumë ndryshe dhe shumë special nga ç’ka është parë prej meje dhe rreth e rrotull. Ftesën e kam mirëpritur.
Është një koncert i imi recital në Sallën e Teatrit Kombëtar. Është shumë e rëndësishme për këdo jo vetëm për mua për të bërë një koncert aq të madh. Akustika dhe gjithçka është perfekte, plus që është teatër historik për ne– tha Kachinari për Mapo.
Kujtojmë se koncerti do të zhvillohet sot në mbrëmje në orën 20:00. Hyrja do të jetë falas dhe e lirë për këdo.