Nisur nga kriza në eurozonë dhe efektet e mundshme negative që ajo mund të ketë në vendet fqinje e sidomos në Shqipëri, Konfindustria i ka kërkuar dje Bankës së Shqipërisë të marrë masa për të vlerësuar më tej monedhën kombëtare. Kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, në një konferencë për mediat ka theksuar dje se në një kohë sa më të shpejtë, Banka Qendrore të rivlerësojë politikën monetare duke ulur normat bazë të interesit për monedhën kombëtare, sepse në këtë mënyrë do të ulen çmimet e produkteve dhe shërbimeve, e mbi të gjitha do të nxitet kreditimi.“Nxitja e kreditimit nga sektori bankar kthehet në një nga mënyrat e pakta në dispozicion për të shpresuar në arritjen e parashikimeve buxhetore ose të paktën në mbajtjen në vlera pozitive të rritjes ekonomike të vendit në vitin e vështirë 2012”, – theksoi dje Gjergj Buxhuku. Duke theksuar se rënia e treguesit të konsumit në një vlerë prej mbi 2% të vërtetuar në pjesën e parë të vitit 2011 shpreh qartë mungesën e likuiditetit në ekonomi, shoqëruar edhe me rënien e besimit konsumator. “Çdo rënie e mëtejshme do të prekte ndjeshëm industritë prodhuese vendore, duke rrezikuar kështu hyrjen e ekonomisë në një cikël të mbyllur negativ me pasoja të rënda në qëndrueshmërinë makroekonomike të vendit, papunësinë dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë”, – tha ai. Në fillim të muajit dhjetor të vitit që lamë pas, Këshilli i ri Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë vlerën e lekut në 4,75% nga 5%, me qëllim lehtësimin e borxhit të brendshëm dhe çlirimin e kredisë për ekonominë, duke e lënë të hapur mundësinë e ndryshimit sërish të normës bazë të interesit. Edhe pse ulja e shpeshtë e normës bazë të interesit nuk është një masë monetare që ndërmerret në kushte normale, Banka e Shqipërisë, brenda kompetencave dhe normave ligjore, uli normën bazë të interesit me 0.25%, duke e çuar vlerën e lekut nga 5% në 4.75%, me qëllim që t’i shërbejë si lehtësi borxhit të brendshëm. Këshilli Mbikëqyrës ndërmori këtë vendim në varësi të shtrëngimit fiskal dhe ngjarjeve në eurozonë. Por në mbledhjen e radhës në fund të muajit dhjetor 2011, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qendrore vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, duke theksuar se në treg ka likuiditet të mjaftueshëm dhe tregu është i mirëkapitalizuar.