Kryeprokurorja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela u konfirmua dje në detyrë mes shumë dyshimesh dhe reagimesh. Ndërkombëtarët e ONM-së në seancat e mëparshme konstatuan parregullsi në justifikimin e pasurisë. Tre anëtarët që e konfirmuan në detyrë Prelën dhe akuzat e PD-së se kryeministri Edi Rama ka kapur drejtësinë.
Kryeprokurorja e Krimeve të Rënda Donika Prela konfirmohet në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, mes shumë dyshimeve dhe reagimeve. Paraditen e djeshme trupi gjykues i KPK-së i përbërë nga Roland Ilia, Valbona Sanxhaktari dhe Olsi Komici e konfirmuan në detyrë numrin një të prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke sfiduar njëkohësisht edhe qëndrimet e përfaqësuesit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs që në seancën e vlerësimit shprehu rezerva të forta për sa i përket justifikimit të pasurisë së Prelës dhe bashkëshortit të saj. “KPK zhvilloi një procedurë të thellë të hetimit administrativ për 3 objektet e vlerësimit, dëgjoi dokumentacionin shpjegues dhe atë të bërë prezent në seancën e dëgjimit. Për rrjedhojë e konsiderojmë të përfunduar procesin e rivlerësimit. Trupi gjykues vendosi konfirmimin në detyrë për subjektin e vlerësimit Donika Prela, drejtuese e Prokurorisë së Shkallës së parë të Krimeve të Rënda”, deklaroi KPK. Menjëherë pas vendimit reagoi edhe Partia Demokratike nëpërmjet deputetit Enkelejd Aliabeaj, i cili akuzoi KPK-në se është kapur përfundimisht nga kryeministri Edi Rama. Për çështjen Prela, kishte disa pritshmëri që mund të shkarkohej, kjo nisur nga hetimi i thelluar që konkludoi se dy apartamente dhe një truall në Tiranë ishin deklaruar prej saj si të blera shumëfish nën çmimin real të tregut, gjithashtu, u vërtetua edhe shmangia e pagesës së taksave mbi të ardhurat e bashkëshortit të prokurores. Duke u nisur edhe nga precedentët e mëparshëm, çështje për të cilat janë shkarkuar shumë gjyqtarë dhe prokurorë, mendohej se edhe Prela mund të kishte të njëjtin fat, por dita e djeshme ka qenë me “fat” për numrin një të krimeve të rënda. Të tre anëtarët kanë votuar pro konfirmimit në detyrë dhe ndërsa pritet vendimi i zbardhur, gjasat janë që konfirmimi për Prelën mund të ankimohet nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Gjithashtu, PD tha dje se ka pamje filmike që vërtetojnë se Donika Prela është takuar me një nga anëtaret e KPK-së që kishte në shqyrtim çështjen e saj.
Treshja që u “paragjykua”…
Që në momentin e parë kur u bë publik se tre anëtarët e KPK-së që do shqyrtonin rastin Prela ishin Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia dhe Olsi Komici, të tre anëtarët u konsideruan si të anshëm, duke nisur nga e shkuara e tyre. Sipas opozitës dhe mediave pranë saj, Sanxhaktari dhe Komici para se të aplikonin dhe përzgjidheshin si anëtarë të KPK-së punonin në kryeministri gjatë kohës së qeverisjes Rama, njëra si jurist dhe tjetri si nëpunës në zyrën e Task-Forcës antikorrupsion, të drejtuar në atë kohë nga Alket Hyseni, aktualisht deputet i Partisë Socialiste. Ndërsa anëtari tjetër, Roland Ilia, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 ka qenë kandidat i qarkut Shkodër nën siglën e partisë “G99” të drejtuar nga Erion Veliaj. Një fakt i tillë është denoncuar disa kohë më parë nga Partia Demokratike, që në momentin kur Ilia u bë pjesë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Gjithashtu për Prelën ditët e fundit pati një akuzë nga PD, të cilën e cilësonte si prokuroren që kishte ndikuar për të liruar nga burgu anëtarin kryesor të “Bandës së Shijakut” Astrit Avdylaj. Ky qe një nga shkaqet që KPK nuk e mori vendimin në datën e caktuar më 28 janar, por ditën e djeshme, duke e argumentuar se do donte kohë për hetimin e këtij rasti. Duket se nga verifikimet e kryera nuk ka rezultuar përfshirja e Prelës në çështjen e dosjes së famshme 339, por kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim. Më 22 janar të këtij viti, kur Prela u përball me procesin e vettingut pati debat të gjatë dhe konstatime nga përfaqësuesi i ONM-së. “Pse bashkëshorti juaj i punësuar në një kompani ndërtimi e ka marrë rrogën cash në një kohë që ai ka patur llogari bankare? Pyetja është bashkëshorti juaj është viktimë apo bashkëpunëtor në këtë skemë? Ti duhet të shpëlash shijen e keqe që më ka ngelur, çfarë e mbështet këtë shije të keqe është fakti se pavarësisht se bashkëshorti juaj është gënjyer, është i dyshimtë fakti që ju keni akoma kontakt me ish-punëdhënësin e tij”, -tha përfaqësuesi i ONM-së, Jacobs. Nga ana e saj, Prela u justifikua se “kjo ishte situata në Shqipëri”, një përgjigje që nuk bindi Jacobs. Krahas çështjes së taksave, dyshime lindën me mosdeklarimin nga subjekti të një huaje në vlerën e 1 milion lekësh. Si problematikë në raport evidentohej edhe një tjetër hua në shumën e 25 mijë eurove, çështje e cila u prek edhe nga vëzhguesi ndërkombëtar. Pikëpyetje të shumta shoqëronin edhe blerjen e një sipërfaqeje toke prej 1 mijë metrash katrorë në shumën e 350 mijë lekëve, si dhe të dy apartamenteve me çmime shumë më të ulëta se ato të tregut, prona në zona të preferuara të kryeqytetit.
PD: Prela, shërbëtore e Edi Ramës
Partia Demokratike mbajti qëndrim të ashpër pas konfirmimit në detyrë të Donika Prelës, drejtuese e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Deputeti Enkelejd Alibeaj, deklaroi se konfirmimi i Prelës tregoi se vettingu është një vegël në duart e Edi Ramës. Gjithashtu, hodhi dyshimet se kryeprokurorja e Krimeve të Rënda ishte takuar me anëtaren e KPK-së Valbona Sanxhaktari e cila kishte në shqyrtim çështjen e saj. “Komisioni i vettingut, ndryshe nga rastet e tjera identike me të Donika Prelës, nuk i hetoi këto fakte, por mbajti në sistemin e drejtësisë një prokurore shërbëtore të Edi Ramës, me pasuri të pajustifikuara dhe që i ka shërbyer krimit, nga Emiljano Shullazi te banda e Avdylajve dhe deri te shkatërrimi i dosjes se Saimir Tahirit”, -tha Aliabeaj. Sipas tij, vendimi për Donika Prelën është marrë në konflikt të pastër interesi dhe në shkelje të plotë të ligjit, pasi nga verifikimi i kamerave të sigurisë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Komisioni i Vettingut do të kishte zbuluar se Donika Prela është takuar rregullisht me anëtaren e trupit të saj gjykues, Valbona Sanxhaktari në periudhën nëntor-dhjetor. “Shërbimi kriminal që Donika Prela ka kryer për bandën që blinte vota për llogari të Edi Ramës në qarkun e Durrësit gjendet në dosjen 339, si pjesë e përgjimeve të bandës së Avdylajve”, -theksoi Aliabeaj. Çështja mund të mos konsiderohet tërësisht e përfunduar pasi mund të ketë ankimim mbi këtë vendim dhe më pas do të jetë Kolegji i Posaçëm i Apelimit që do vendosë përfundimisht për qëndrimin ose jo në detyrë të drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda.