Pas ditësh spekulime, është konfirmuar se udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un ka vizituar Kinën. Vizita, e konfirmuar nga Kina dhe nga Koreja e Veriut, është e para e ditur e Kim Jong-unit jashtë vendit, që kur ai ka marrë detyrën në vitin 2011.
Kim Jong-un zhvilloi bisedime të suksesshme me liderin kinez, Xi Jinping në Pekin, raportoi agjencia kineze e lajmeve Xinhua. Kina është aleatja kryesore ekonomike e Koresë së Veriut dhe mendohej gjerësisht se Kim Jong-un do të konsultohej me Pekinin para takimeve të planifikuara me Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kim Jong-un pritet të takohet me Presidentin koreano-jugor, Moon Jae-in në prill dhe Presidentin amerikan Donald Trump në maj.
Vizita në Pekin ndërkohë konsiderohet si një hap domethënës në përgatitjet e Koresë së Veriut për bisedimet e propozuara. Gjatë vizitës, Kim Jong-un ka siguruar homologun e tij kinez se është i angazhuar të heqë dorë nga armët bërthamore, raportoi po ashtu Xinhua, por me kushte. “Çështja e denuklearizimit të gadishullit korean mund të zgjidhet nëse Koreja e Jugut dhe SHBA reagojnë ndaj përpjekjeve tona me vullnet të mirë, krijojnë një atmosferë paqeje dhe stabiliteti, ndërsa marrin masa progresive dhe të sinkronizuara për realizimin e paqes”, citohet të ketë thënë Kim Jong-un.
Ky i fundit mbërriti në Pekin i shoqëruar nga bashkëshortja e tij të dielën dhe u largua që andej të martën pasdite. Udhëtimi është i fundit në një varg aktivitetesh diplomatike të javëve të fundit, pasi lidhjet mes Veriut dhe Jugut nisën të përmirësoheshin në fillim të vitit dhe gjatë Lojrave Olimpike Dimërore në Korenë e Jugut.
Ndërkohë, Uashingtoni ka konfirmuar se Kina e ka informuar administratën Trump për vizitën, të martën.