Aktualitet

“KONFLIKT SOCIAL”/ Presidenti Meta rikthen në Kuvend ligjin për pronat: Lë shteg për abuzime








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:13 - 14/08/20 |
mapo.al

Ky ligj bën një trajtim preferencial dhe jo të barabartë të subjekteve apo individëve që gëzojnë tituj pronësie. Ky ligj, në vend që të adresojë problematikën e pronave në Shqipëri, thellon edhe më shumë konfliktin social në vend.


Presidenti Ilir Meta ka refuzuar ligjin për pronat e paluajtshme të shtetit, duke theksuar se ndryshimet cenojnë barazinë para ligjit. Kreu i shtetit thotë se në vend që të adresojë problematikën e pronave në Shqipëri, ndërhyrjet e kryera në fund të muajt korrik, thellojnë edhe më shumë konfliktin social në vend. Sipas tij, ky ligj, në mënyrë të pashpjeguar dhe arsyetuar, është shqyrtuar me urgjencë brenda 7 ditëve nga Kuvendi. Nisma që paraqitet si ndërhyrje në legjislacionin në fuqi për forcimin e mekanizmave ligjorë për mbrojtjen e interesit dhe pasurisë publike, në fakt rrezikon të shkaktojë një problematikë në raport me të drejtën e gëzimit dhe posedimit të pronës sipas titujve të fituar të pronësisë. E vetmja çështje që duket se ka marrë vëmendjen më të madhe të qeverisë dhe Kuvendit është rregullimi i marrëdhënieve juridike që shteti ka lidhur apo do të mund të lidhë me persona të tretë për përdorimin e pasurisë pronë publike, tashmë edhe pa një afat të përcaktuar.


Rishqyrtimi


Presidenti Ilir Meta i ka rikthyer kuvendit për shqyrtim, ligjin “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, duke theksuar se në vend që të adresojë problematikën e pronave në Shqipëri, ndërhyrjet e kryera në fund të muajt korrik, thellojnë edhe më shumë konfliktin social në vend. Kreu i Shtetit thotë se ligji rrezikon të shkaktojë një problematikë në raport me të drejtën e gëzimit dhe posedimit të pronës sipas titujve të fituar të pronësisë.


“Shkaktojnë një cenim të drejtpërdrejtë të ushtrimit të së drejtës së pronësisë nga ana e titullarëve të saj, të cilët pasi e kanë përfituar përmes procedurave ligjore tagrin mbi këto prona, tashmë me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ata lihen në një pasiguri të plotë, duke mos përcaktuar çfarë do të ndodhë më pas me pronën e tyre”.
Në argumenta drejtuar Kuvendit, presidenti thotë se në praktikë, ligji krijon hapësirën që të ndodhin abuzime të mëdha ashtu si deri më tani, ku për shkak të ndërhyrjeve dhe interesave të ndryshëm, gjerësia dhe shtrirja e asaj që konsiderohet si “bregu i detit” të pësojë deformime të mëdha.


“Kjo nënkupton se në praktikë çdo pronë private, e cila është fituar në mënyrë të ligjshme, me hyrjen në fuqi të kësaj norme të re ligjore, mund t’i nënshtrohet procesit të shpronësimit për interes publik, pasi plotëson pikërisht kushtin që pasuria konsiderohet se përmbush një interes publik të ligjshëm, aktual dhe të patjetërsueshëm”.
Presidenti thotë se mungesa e qartësisë së ligjit për të shprehur se ç’do të ndodhë me këto pasuri, krijon një terren të pasigurt dhe burim konfliktesh midis shtetit dhe individit apo personave privatë me investitorë të ndryshëm në të ardhmen.

Argumentet e Presidentit

Ndërhyrjet e miratuara me ligjin nr. 111/2020, bëjnë që askush të mos jetë tashmë në gjendje të përcaktojë të paktën ligjërisht, nëse një pasuri pronë private e ndodhur në afërsi të bregdetit dhe e përfituar me një nga mënyrat e ligjshme të fitimit të pronësisë, sipas ligjit nr. 7501/1911 “Për tokën”, legjislacionit për kthimin dhe kompensimin e pronës, legjislacionit të privatizimit apo një vendimi gjyqësor, ndodhet ose jo nën regjimin e përcaktuar si pronë publike e patjetërsueshme pjesë e “vijës bregdetare”, si dhe çfarë do të ndodhë me mënyrën e gëzimit të kësaj të drejte pronësie mbi këtë pasuri, me të gjitha të drejtat që burojnë prej saj.

Në praktikë ky ligj krijon hapësirën që të ndodhin abuzime të mëdha ashtu si deri më tani, ku për shkak të ndërhyrjeve dhe interesave të ndryshëm, gjerësia dhe shtrirja e asaj që konsiderohet si “bregu i detit” të pësojë deformime të mëdha dhe jashtë realitetit, duke krijuar rrezik të shtuar për cenimin e pronës publike apo në raste të tjera, kjo pasuri arbitrarisht t’i nënshtrohet shpronësimit për interes publik.

Mbi të gjitha, ky ligj bën një trajtim preferencial dhe jo të barabartë të subjekteve apo individëve që gëzojnë tituj pronësie apo përdorimi mbi pasuri të paluajtshme përgjatë bregdetit shqiptar, në raport me investitorët në këto zona.
Ndërkohë që pronarët që kanë përfituar në mënyrë të ligjshme një titull pronësie me një nga mënyrat e parashikuara nga ligji, trajtohen në pasiguri të plotë për mundësinë e posedimit dhe përdorimit të pronës së tyre në të ardhmen, e cila pas ndërhyrjes me këtë ligj marrin statusin pasuri publike e patjetërsueshme; ky ligj, tashmë këto prona që i konsideron si me interes publik, bën që të ndryshojnë në fakt thelbësisht destinacioni i tyre nëpërmjet tjetërsimit pa afat në shërbim dhe për interes të enteve private, duke cenuar edhe nivelin e përdorimit masiv të saj nga publiku i gjerë.

Ky ligj, në vend që të adresojë problematikën e pronave në Shqipëri, thellon edhe më shumë konfliktin social në vend.

MAPO e kishte paralajmëruar “konfliktin social”

Që në mars të këtij viti, kohë kur Kuvendi miratoi ligjin e kthyer nga Presidenti Meta, gazeta MAPO në një shkrim të saj e theksonte se ligji në fjalë, jo vetëm që nuk i zgjidhte problemet e pronave, veçanërisht në bregdet, por e përkeqësonte situatën edhe më tej. Kjo ishte më flagrante në rastin e fshatrave turistike.

“Juristët shprehen se më të fituarit në këtë proces do të jenë ata që kanë marrë toka shtetërore me qira në bregdet, të cilëve me anë të këtij ligji u takon e drejta e blerjes, së bashku me pjesë toke që mund të kenë zaptuar. Fshatra turistike në zonat më të mira të Shqipërisë, në brigjet e detit Jon, por dhe në Gjirin e Lalzit dhe në Golem. Thuajse të gjitha këto prona janë dhënë me qira për 99 vjet, dhe pas përfundimit të saj kjo pronë duhej t’i kalonte shtetit. Janë të gjitha ato për të cilat është bërë debat jo pak herë, nga të gjitha krahët se po favorizon oligarkët. Nga ana tjetër, ligji nuk legalizon ato ndërtime që janë bërë në toka të cilësuara si “rërë e detit” të cilat do të duhen të prishen. Në ligj nuk përcaktohen se sa larg bregut duhet të jenë ndërtimet që të përfitojnë certifikatën e pronësisë, gjë që sipas specialistëve mund të lërë shteg për abuzime në aplikimin e tij. Për shembull në jug të vendit, në shumë raste për shkak të mungesës së hapësirave ndërtimet janë kryer pranë detit, dhe nuk ka një specifikim të qartë se si do veprohet në këtë rast”, shkruhej në atë kohë në MAPO.


Etiketa: ,

Pas