Një konflikt pronësie, i zgjidhur me Aktin normativ të qeverisë së shkuar për lirimin e banesave të ish-pronarëve, ka përfunduar me shoqërimin dhe mbajtjen për 10 orë në polici të një prokurori. Gjon Fusha, me detyrë zv.prokuror në Gjirokastër, babai dhe vëllai i tij janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit nr. 2 në Tiranë, pasi policia i akuzonte për vetëgjyqësi. Ata ishin denoncuar nga një banore e shtëpisë në pronësi të familjes së prokurorit, godinë të cilën familja e tij ka arritur ta rimarrë pas më shumë se 70 vitesh me anë të Aktit normativ të qeverisë. Më 31 dhjetor të vitit të shkuar, rreth orës 6:00 të mëngjesit, salla operative e policisë ka marrë një telefonatë nga një shtetase, e cila ankohej se disa persona po e nxirrnin nga banesa. Menjëherë uniformat blu kanë shkuar në rrugën “Frederik Shiroka”, aty ku ishte denoncuar konflikti dhe kanë shoqëruar në komisariat tre shtetas. Të tre personat janë prezantuar si pronarë të shtëpisë, madje njëri prej tyre është prezantuar si prokuror, duke treguar edhe dokumentin përkatës, por sërish është shoqëruar nga policia dhe është mbajtur për 10 orë në komisariat. Prokurori dhe babai i tij kanë qëndruar në paraburgim nga ora 6:30 e mëngjesit të datës 31 janar deri në orën 16:00 të pasdites, deri sa është plotësuar afati prej 10 orësh. Ndërsa për vëllanë e tij, policia ka marrë masën e arrestit për akuzën e vetëgjyqësisë. Ai është liruar nga gjykata më datën 3 janar të këtij viti. Sipas burimeve mësohet se ngjarja që pasoi shoqërimin e prokurorit e ka zanafillën pas daljes së Aktit normativ, i cili detyron të gjithë banorët të largohen nga banesat e ish-pronarëve. Pasi ky akt mori fuqi ligjore, Enti i Banesave ka urdhëruar lirimin e katër banesave në pronësi të familjes së prokurorit, ndërsa pronarët e ligjshëm i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës për marrjen e urdhrit të ekzekutimit. Ky urdhër është ekzekutuar nga Përmbarimi, ndërsa tre nga katër kryefamiljarët kanë firmosur dorëzimin e banesave. E vetmja që nuk ka pranuar të dorëzojë banesën është shtetasja që ka denoncuar konfliktin, e cila gjithashtu është larguar. Për më shumë se tre muaj godina është ruajtur nga roje private, ndërsa prej pak kohësh banesa ishte pa ruajtje. Në datën 31 dhjetor, pronarët janë vënë në dijeni se një nga banorët është rikthyer në banesë dhe menjëherë pas këtij informacioni, prokurori, babai dhe vëllai i tij kanë shkuar për të verifikuar gjendjen e pronës. Aty kanë hasur në kundërshtimin e një prej ish-banoreve, e cila ishte rikthyer në banesë, edhe pse gjykata kishte vendosur që godina t’u kthehej pronarëve. Ajo ka njoftuar policinë, e cila kreu shoqërimin e tre personave, përfshi edhe prokurorin, i cili u mbajt për mbi 10 orë në Komisariatin nr. 2 në Tiranë. Menjëherë pas lirimit, prokurori ka depozituar një kallëzim penal ndaj shefit të komisariatit dhe punonjësve të policisë që kryen shoqërimin e tij për veprime arbitrare dhe shpërdorim detyre. Lidhur me këtë ngjarje, burime jozyrtare të policisë pranojnë shoqërimin e prokurorit, duke e argumentuar me faktin se ndaj tij kishte patur edhe dy kallëzime të mëparshme në prokurori. Por sipas burimeve të prokurorisë rezulton se të dyja këto kallëzime janë pushuar nga prokuroria, e cila e ka trajtuar rastin si marrëdhënie civile mes palëve. Por shoqërimi në komisariat i një prokurori është cilësuar si akt i paprecedentë nga juristët. Jo vetëm për faktin se një gjë e tillë nuk parashikohet në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, por edhe sepse ligji nuk i jep atributet një punonjësi policie të shoqërojë në komisariat një prokuror.
Avokati: Prokurori s’mund të shoqërohet pa urdhër të Llallës
Avokati Saimir Vishaj, i cili është dhe kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë të Shqipërisë, thotë se shoqërimi i një prokurori nga policia rrezikon të na kthejë në shtet policor. Ai e konsideron të papranueshëm faktin që një punonjës policie të urdhërojë apo kryejë shoqërimin e një prokurori në ambientet e komisariatit të policisë. “Policia nuk mund të shoqërojë një prokuror, pasi policia zbaton vetëm urdhrat e prokurorit. Duhet të harrohet historia e 21 Janarit, kur prokuroria lëshoi urdhër-arrestet dhe policia nuk i ekzekutoi”, – tha avokat Visha. Sipas tij, ka ikur kohë kur policia duhet të vërë dorë mbi prokurorin apo urdhrat e prokurorit. Vishaj thotë se policia nuk mund të shoqërojë një prokuror pa urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, duke qenë se prokuroria është organ i centralizuar. “Nëse policia ka një informacion për një prokuror, urgjentisht duhet të vihet në dijeni Prokurori i Përgjithshëm dhe vetëm pas miratimit të tij mund të kryhet shoqërimi apo të fillojnë hetimet ndaj prokurorit. Nëse policia shoqëron apo ndalon prokurorin, atëherë do jemi drejt një shteti policor”, – tha kreu i avokatëve penalistë, Saimir Vishaj.