Konflikti mes presidencës dhe qeverisë duket se ka mbetur i kufizuar tek debati mbi kushtetutën; pasi në planin financiar të dy institucionet kanë gjetur mirëkuptimin perfekt. Institucioni i Presidencës është i vetmi të cilit qeveria i ka plotësuar të gjitha kërkesat për fonde për vitin e ardhshëm.
Rasti i presidentit Meta ka qenë përjashtim nga rregulli i përvitshëm i betejës mes institucioneve dhe ministrisë se Financave, për më shumë para. Beteja më e fortë u zhvillua mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Komisionit të Ligjeve, pasi organi i akuzës kërkoi 197 punonjës më shumë.
Sipas përfaqësuesit të Prokurorisë, duhen 30 oficerë të policisë gjyqësore, ekspertë dhe 100 sekretarë.
Por komisioni i miratoi vetëm kërkesën për oficerët e policisë gjyqësore dhe 30 ekspertë.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ndërkaq arriti të binde deputetët për 27 milionë lekë më shumë për investime, ndërsa buxheti i posaçëm për zgjedhjet lokale kap vlerën e 600 milionë lekëve.