Aktualitet

Kongresi i Manastirit








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:45 - 21/11/20 |
Ing.Doc. Stefan Pinguli*

Nga Ing. Doc. Stefan Pinguli *


Kongresi i Manastirit përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme atdhetare të kombit tonë të shekullit të 20-të, me objekt unifikimin dhe standardizimin e përpjekjeve të të shkruarit shqip dhe një provë e pamatshme atdhedashurie për bashkimin kombëtar.


Kongresi i ABC-së ishte një urë lidhëse bashkimi kombëtar nga Lidhja e Prizrenit deri te mëvetësia e kombit. Atdhetarët të udhëhequr nga Rilindasit vajtën në ditën e madhe të Kongresit, nën parullën “Gjuha është shprehje e unifikimit të kombit” si dhe “Qëllimet e shenjta kërkojnë vënien e interesave kombëtare mbi ato vetjake”.



Patriotët si Hasan Tasimi, Pashko Vaso, Bab Dud Karbunara, Jani Vreto, Konstandin Kristoforidhi, Petro Nini Luarasi etj., bënë përpjekje të mëdha për prodhimin e ABC-së (Abetares) dhe kultivimin e saj në popull, duke sakrifikuar veten dhe familjet e tyre për këtë qëllim të shenjtë.


Petro Nini Luarasi ka qenë një atdhetar i shquar, përhapës i palodhur i Gjuhës Shqipe në rrethin e Korçës. Përpjekjeve të patriotëve në shërbim të Gjuhës Shqipe iu kundërvu fuqishëm shteti turk dhe kleri greko-serb.


Mbështetur në përpjekjet atdhetare dhe dëshirës popullore për të qenë një komb një etni, u thirr tubimi i dijetarëve shqiptarë më 14-22 Nëntor në Manastir për përcaktimin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Shqipëri. Patriotët propozuan variante të ndryshme alfabeti, ku mbizotëronte mendimi për të pasur një alfabet me shkronja latine, në krye të këtij aktiviteti ishte shoqëria e mirënjohur Bashkimi me qendër në Manastir. Shoqëria Bashkimi u bë nismëtarja e thirrjes së kongresit të parë të përgjithshëm për njehsimin e alfabetit në Shqipëri.

Ky alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarë shqiptare. Delegatët erdhën nga e gjithë Shqipëria dhe nga të gjitha komunitetet shqiptare të Rumanisë, Italisë, Greqisë, Turqisë, Egjiptit, Amerikës etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, si një nga organizatorët kryesorë të kongresit dhe redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik, Liria dhe Dituria. Sekretare e Kongresit u zgjodh Pareshqevi Qirjazi, mësuese e Shkollës së Vashave në Korçë.

Kongresi u përfaqësua nga 150 të ftuar dhe 50 delegatë, 32 me të drejte vote dhe 18 pa të drejtë vote, të gjithë atdhetarë dhe dijetarë të kulturave të ndryshme, me dëshirë të zjarrtë për të zgjidhur hallet e vendit, veçanërisht të gjuhës. Këta dijetarë patën vendosmërinë dhe thjeshtësinë të sakrifikonin opinionet e tyre intelektuale për njehsimin e gjuhës shqipe. Kumtesa e priftit katolik Gjergj Fishta nga Shkodra ishte sintezë e mendimit të përgjithshëm atdhetar që Gjuha Shqipe të mos shkruhej me shkronja arabe ose greke por me shkronja latine.

Vendosmëria e këtij dijetari e pozicionoi si kryetar organizativ të punës së Kongresit i shoqëruar nga 11 anëtare. Nga Kongresi u përzgjodhën dy alfabetë, ai i Shoqërisë Bashkimi dhe ai i Stambollit. Me kalimin e kohës, si alfabet i lehtë për t’u përdorur dhe shtypur fitoi të drejtën alfabeti latin me 36 shkronja, të cilin e përdorim dhe në ditët e sotme.

Vendosmëria për të kthyer sytë nga perëndimi, ishte haptas një shpallje kulturore e pavarësisë, gjë që nuk kaloi pa u vënë re nga qeveria turke dhe kleri serbo-grek. Një nga rilindasit më aktiv, Dom Ndre Mjeda i thuri vargjet më të bukura Gjuhës Shqipe në atë kohë.

Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha Shqipe m’shungullon,
përmbi erë që nep zymbyli,
pa da zemrën ma ngushllon,
gegë e toskë malësi jallia,
janë një komb me da z’duron,
fund e majë një është Shqipnija,
e një gjuhë të gjithë na bashkon.

Në kushtet e Kongresit, atdhetarizmi pati jo vetëm format e tij intelektuale e kulturore por dhe ato tregtare, ku me fonde minimale u mbështet Kongresi që nga shpenzimet organizative të përgjithshme e deri te ndërtimi i një shtypshkronje të nevojshme për punët e ditës dhe më tej. Klubi i Manastirit u caktua si qendra për krijimin e një federate të klubeve shqiptare në Shqipëri dhe në kurbet.

Punimet e kongresit, përveç pathosit intelektual për organizimin e një gjuhe unike shqipe, me karakteristika perëndimore, provokuan dhe marrëdhënie etiko-politike të cilat kulmuan në organizimin e kombit për arritjen e mëvetësisë, ku si qendër kishte përpjekjet për gjuhën. Shpërthimi i shqiptarizmit i kaloi të gjitha parashikimet e armiqve të Gjuhës Shqipe. Në këtë kohë dolën në dritë rreth 90 gazeta dhe revista në gjuhën shqipe, që botoheshin në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare jashtë vendit. Shoqëritë shqiptare të Selanikut, Shkupit dhe Manastirit u shprehën në mbrojtje të Alfabetit Shqip.

U vendos gjithashtu të mbahej një kongres tjetër në Manastir pas dy vitesh, për të forcuar infrastrukturën e hapjes së shkollave dhe përgatitjen e kuadrit mësues për gjuhën. Nën frymën atdhetare të Kongresit të Manastirit u projektuan dhe u ndërtuan një sërë shkollash si Shkolla Normale e Elbasanit në 1909 me drejtor Luigj Gurakuqin që do të përgatiste pionierë të arsimimit shqip. Shkolla të ngjashme u hapën në Korçë, Vlorë, Berat etj.

Reagimet antishqiptare në lidhje me gjuhën shqipe nuk munguan jo vetëm nga qeveria turke dhe kleri greko – sllav, por dhe nga konservatorët brenda vendit. Xhonturqit me kryetarin e tyre Ferit Pashën, të frikësuar nga shpërthimi i shpejtë i arsimit shqip, reaguan ashpër duke ndaluar shoqëritë, shkollat dhe botimet në shqip. Në mbarë vendin u mbyllën shkolla dhe u internuan drejtuesit si në Vlorë me drejtor Loni Naci, Gjirokastër me pionierin e arsimit shqip Koto Hoxhën, Korçë me Pandeli Sotirin si themelues i Shkollës së Parë Shqipe.

Vendimi për unifikimin e alfabetit kaloi në vështirësi të mëdha pasi atdhetarët ABC-ista lanë mënjanë interesat vetjake në funksion të interesit të madh të kombit. Klubi Bashkimi ishte nismëtari dhe nxitësi i këtij unifikimi, me priftin e kulturuar Gjergj Fishta, i cili deklaroi në hapje të seancës plenare: “S’kam ardhur për të mbrojtur asnjë alfabet, por të mbroj alfabetin e përbashkët”. Me themelimin e Alfabetit të Manastirit shqiptarët treguan se ishin popull i civilizuar dhe hapën rrugën në standardizimin e letërsisë mbarë shqiptare.

Kongresi i Manastirit nuk e përqendroi vëmendjen vetëm në problemin e zgjidhjes së alfabetit të gjuhës, por edhe në çështje të rëndësishme politike. U vendos që të shpallej si klub qendror ai i Bashkimit të Manastirit, i cili, jo vetëm mundësoi alfabetin e ri, por i bëri të njohur gjithë botës aksiomën e famshme shqiptare “Një Komb, Një Gjuhë, Një ABC”.

Rëndësia historike e Kongresit të ABC-së nuk është zbehur aspak as nga organizimet dhe kongreset e mëvonshme, opinionet politike të kohëve apo lufta e pandërprerë e fqinjëve greko-sllave kundër gjuhës sonë dhe të drejtës historike.

Rëndësi të veçantë ka dalja në skenën e historisë së kombit të kokave me elitare dhe të kulturuara të rilindjes sonë kombëtare, si: Mithat Frasheri, Gjergj Fishta, Imzot Kaçorri, Dom Ndre Mjeda, Parashqevi Qiriazi, Feim Bej Zavalani, Bajo Topulli, Sotir Peci, Luigj Gurakuqi, Shahin Kolonja etj… Njehsimi i ABC-ve është pema e parë e kongresit, por ka dhe një pemë tjetër më të madhe dhe më të bukur, ajo e bashkimit të shqiptarëve rreth idealit kombëtar. Parë nën realizimin e kongresit, frymës atdhetare dhe mendjeve të ndritura që rrezatuan sa kulturë aq edhe atdhedashuri, brezit të sotëm i shtrohen disa detyra.

Problemet shfaqen:

Se pari; mosunifikimi përfundimtar dhe mospërpunimi shkencor i gjuhëve rajonale është avantazh e pasuri e kombit tonë. Ndodhur nën presionin e shkencave gjuhësore dhe politikave nacionaliste të komshinjve tanë jo dashamirës janë përkrahur qëndrime antishkencore për prejardhjen e gjuhës shqipe dhe aftësisë etnike të saj. Kjo trysni shtrembëron kulturimin e brezit të ri me metoda të qarta shkencore.

Se dyti, paaftësia shkencore dhe politike për të shprehur të vërtetat historike dhe inferioriteti i paparë i institucioneve tona, të mbështetura nga politika pragmatiste errësojnë këto të vërteta historike të reja dhe të vjetra. Të vërtetat historike duhen mbrojtur me kurajo shkencore dhe atdhetare nëpërmjet një infrastrukture të mirëtrajtuar nga institucione shkencore si Akademia e Shkencave, e cila duhet të jetë më shumë atdhetare se sa politikë zbatuese.

Mbi të gjitha duhet shtuar vëmendja në tekstet shkollore me të cilat farkëtojmë atdhetarë ose antiatdhetarë. Riorganizimi i institutit polivalent mbarëkombëtar me të gjitha disiplinat shkencore nën drejtimin e Akademisë së Shkencave si një parlament shkencor dhe i barasvlefshëm në vendimmarrje teknike me parlamentin politik do të ishte mundësia e vetme që kemi për të ecur në rrugën e zhvillimit. Gjithashtu riorganizimi i Institutit Albanologjik si domosdoshmëri për të përpunuar si duhet “lëndën e parë” historike dhe gjuhësore në ingranazhet e makinerisë së saj shkencore do të nxirrte një produkt interesant dhe të nevojshëm për të gjitha kancelaritë shkencore të Europës, produkt që po e presin me padurim.

Thirrja e zonjës Merkel para gazetarëve se “ua kemi borxh historinë shqiptarëve” është një ogur i mirë për të gjithë shqiptarët dhe kambanë alarmi në veçanti për Ballkanin.

*President i Akademisë “Rrënjët Tona”


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas