I porsaemëruar në detyrë, konsulli i Përgjithshëm i Greqisë në Gjirokastër, Nikos Kotrokos, ka pohuar se “Greqia do të vijojë të mbështesë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”. Pas një takimi të zhvilluar në Bashkinë e Gjirokastrës me kryebashkiakun Flamur Bime, konsulli grek është shprehur se Greqia ka qenë dhe është në mbështetje të Shqipërisë për t’u integruar në Bashkimin Europian, natyrisht me përmbushjen e detyrimeve të vendosura. Sipas tij, veprimtaria e Konsullatës së Përgjithshme greke në Gjirokastër cilësohet si e rëndësishme jo vetëm për trupin diplomatik grek, por edhe për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy popujve e shteteve, si dhe për pjesëtarët e minoritetit grek që jetojnë në rajonin jugor. “Për ne, minoriteti grek që jeton në jug të Shqipërisë është një urë e fortë lidhëse mes dy popujve dhe dy shteteve tona” -ka pohuar konsulli grek Kotrokos.