Milan-Juventus është shndërruar në më shumë sesa një ndeshje futbolli. Rivaliteti që po përjetojnë skuadrat dhe tifozëritë në këtë sezon është aq i madh, sa çdo gjë që ata bëjnë komentohet. I tillë është rasti i Ibrahimoviç, që është pezulluar tre ndeshje nga Gjykatësi Sportiv, por që shpreson ta ulë me një ndeshje dënimin për të qenë i gatshëm më 25 shkurt në ndeshjen e vlefshme për kampionat mes këtyre dy skuadrave, ndeshje që do të përcaktonte shumë edhe ecurinë për titullin kampion, Por deri aty ka ende ditë. Tani është tjetër veprimtari në valle.
Në vigjilje të gjysmëfinaleve të Kupës së Italisë dhe në prag të sfidës së madhe të 25 shkurtit, Antonio Konte bën llogaritë për Juven e tij.
“Nuk më takon mua të gjykoj mbi skualifikimin e Ibrës, pasi ka organe kompetente për këtë ngjarje – shprehet tekniku i bardhezinjve. Mund të them vetëm se e vlerësoj shumë Zlatan, si njeri dhe për kampionin që është në profesion”.
Konte, shprehet se rëndësia e sulmuesit suedez tek kuqezinjtë është e madhe, pasi ai është deciziv në shumë takime gjithsesi, është i bindur se Milani do të dijë të japë një performancë të mirë në fushë edhe pa të. “Vitin e shkuar Milani mori shumë pikë edhe pa të, por mbetet për t’u parë se si do të shkojnë gjërat gjatë këtyre tre ndeshjeve të ardhshme. Kampionati me apo pa Ibran, i sheh kuqezinjtë favoritë por në sfidën e dyfishtë do të vlejë shumë forma e përgjithshme e skuadrës”, përfundon ai.
Ndërkohë, Masimiliano Alegri beson se disfata ndaj Lacios dhe barazimi me Napolin nuk mjaftojnë për të spekuluar mbi një krizë tek kuqezinjtë. “Duhet të ruajmë qetësinë dhe përqendrimin tek ajo çfarë duhet të bëjmë në fushë- shprehet tekniku i Milanit në vigjilje të sfidës me Juventusin, e vlefshme për Kupën e Italisë. -Kemi humbur disa raste të mira pikët e të cilave nëse do të kishim marrë fitore do të na kishin shërbyer dhe do të kishin qenë shumë të vlefshme në këtë faze, por të mos harrojmë se të dielën edhe Juventus barazoi në shtëpi”.
Gjithashtu, Alegri mendon se skuadra e Kontes është me shumë “karakter”. “Nëse nuk ka humbur ende edhe pas 20 ndeshjeve do të thotë që është një skuadër e shkëlqyer, me kualitete shumë të mira, të gjithë tregues se është një rival i denjë për titull”, përfundon tekniku. Megjithatë, situata në kampin milanist nuk është e nxehtë vetëm për titullin dhe kupën. Edhe rinovimet janë një çështje më vete.
Janë plot 10 futbollistë, jo pak të rëndësishëm, edhe pse të shtyrë në moshë, të cilëve u skadon kontrata në qershor. Sipas mediave italiane, shumica prej tyre do të lihen të lirë dhe nuk do t’u vazhdohen kontratat. Lojtarët të cilëve do t’u skadojë kontrata gjatë verës janë: Klarens Sedorf, Mario Jepes, Flavio Roma, Masimo Ambrosini, Matjë Flamini, Xhianluka Zambrota, Xhenaro Gatuzo, Mark Van Bomel, Filipo Inzaghi e Alesandro Nesta. Nga këta 10 futbollistë, vetëm qendërmbrojtësi Nesta e ka të sigurt qëndrimin në “San Siro”. Drejtuesit e klubit po përgatisin një kontratë të re dyvjeçare për veteranin e mbrojtjes. Rrugën e tij mund ta ndjekë edhe francezi Flamini, i cili është i ri në moshë dhe mund të kthehet i dobishëm, pas dëmtimit të rëndë që e la jashtë fushës qe 6 muaj. Adriano Galliani me shokë mund të mendojnë që ta zgjasin bashkëpunimin për një vit edhe me Gatuzon, Zambrotën e Sedorfin, ndërsa e ardhmja e të tjerëve duket të jetë larg qytetit të Milanos.