Kryesore

Kontrolli te gratë, kur bëhet Pap Testi dhe sëmundjet që zbulon





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:06 - 03/05/19 |
mapo.al

Pap Testi është një test i shpejtë dhe i thjeshtë që bëhet për të parë qelizat e qafës së mitrës. Ky test mund të tregojë nëse ju keni një infeksion në qafën e mitrës, qeliza jonormale apo kancer të qafës së mitrës


Është e rëndësishme që të gjitha gratë ta bëjnë rregullisht Pap Testin, si pjesë e kujdesit të zakonshëm për shëndetin. Rekomandohet që të gjitha femrat tre vjet pasi kanë filluar aktivitetin seksual duhet të kryejnë Pap Testin rregullisht. Gratë që kanë hequr mitrën duhet të konsultohen me mjekun nëse mund të kryejnë rregullisht këtë kontroll. Doktoresha specialiste, Lumturi Merkuri për “Mapo” sqaron se ky kontroll mjekësor është i domosdoshëm për gratë pasi analizon qelizat e qafës së mitrës. “Ky test mund të tregojë nëse ju keni një infeksion në qafën e mitrës, qeliza jonormale apo kancer të qafës së mitrës”- shprehet doktoresha, duke deklaruar gjithashtu se Pap Testi vlerësohet si kontrolli kryesor në zbulimin e kancerit të qafës së mitrës.  Në Shqipëri kanceri i qafës së mitrës është kanceri i dytë më i shpeshtë te gratë e moshës riprodhuese, me afërsisht rreth 100 raste të reja çdo vit. Shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës është Virusi i Papilomës Njerëzore ose shkurt HPV. Ka më shumë se 100 tipe të virusit të HPV, por një pjesë prej tyre janë viruse me rrezik të lartë dhe shkaktare të kancerit të qafës së mitrës. HPV është një virus që mbetet i fshehur në organizëm pa dhënë asnjë shenjë sëmundjeje. HPV përhapet nëpërmjet kontakteve seksuale. Infeksioni nga HPV është më i zakonshëm në grup moshat e reja të cilat janë seksualisht aktive.



Kontrollet


Rreziku për kancerin e qafës së mitrës zvogëlohet nëse ju; Vaksinoheni me vaksinën kundër virusit HPV që shkakton kancerin e qafës së mitrës; Bëni rregullisht Pap Testin. Të dyja së bashku, vaksinimi dhe bërja e Pap Testit rregullisht, ju mbrojnë nga kanceri i qafës së mitrës.

Çfarë është Pap Testi?

Pap Testi është një test i shpejtë dhe i thjeshtë që bëhet për të parë qelizat e qafës së mitrës. Ky test mund të tregojë nëse ju keni një infeksion në qafën e mitrës, qeliza jonormale apo kancer të qafës së mitrës.

Si bëhet një Pap Test?

Ndërkohë që gruaja shtrihet te shtrati i vizitës, mjeku merr një sasi qelizash prej qafës së mitrës me një furçë të vogël që është posaçërisht për këtë. Materiali më pas dërgohet në laborator për t’u parë. Pap Testi është një test i thjeshtë, i shpejtë dhe që zgjat vetëm pak minuta. Pap Testi është i padhembshëm prandaj nuk ka nevojë për asnjë ilaç qetësues. Pap Testi mund të kryhet në një klinikë apo spital.

Përse është kaq i rëndësishëm Pap Testi?

Sepse bërja e rregullt e Pap Testit zbulon qelizat jonormale në fazat e hershme pa dhënë akoma kancer të qafës së mitrës. Pjesa më e madhe e kancereve të qafës së mitrës mund të kapen në kohë atëherë kur trajtimi bëhet më i lehtë dhe shanset për kurimin e tij janë shumë më të mëdha.

Sa shpesh duhet bërë Pap Testi?

Rekomandimet për kryerjen e Pap Testit janë të ndryshme. Disa rekomandojnë kryerjen e Pap Testit çdo 1 deri në 3 vjet. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) rekomandohet: Të gjitha femrat e moshave nga 21 deri në 65 vjeç duhet të kryejnë Pap Testin! Femrat e moshave 21 deri në 49 vjeç duhet të kryejnë Pap Testin çdo vit. Nëse 3 Pap Teste rresht dalin normal, atëherë Pap Testi duhet të vazhdohet të kryhet çdo tre vjet. Femrat e moshave 50 deri në 64 vjeç duhet të kryejnë Pap Testin çdo 3-5 vjet. Në moshën 65-vjeçare, ju mund të ndaloni kryerjen e Pap Testit vetëm nëse e keni kryer rregullisht atë që në moshën 50 vjeç dhe keni patur rezultate normale.

Kërkohet ndonjë gjë e veçantë para se të kryesh Pap Testin?

Rreth 2 ditë para testit, shmangni dushet vaginale, përdorimin e suposteve vaginale, kremrave spermicid, sprajtit declarant vaginal. Nuk duhet të kryeni marrëdhënie seksuale 2 ditë para Pap Testit. Një grua duhet ta kryejë Pap Testin jo në periudhën menstruale por disa ditë larg menstruacioneve.

Kur merret përgjigjja e Pap Testit?

Përgjigjja merret mbas disa ditësh. Është e rëndësishme për një grua të diskutojë rezultatet e Pap Testit të saj me mjekun. Nëse rezultati i Pap Testit është normal, rreziku për kancer të qafës së mitrës është i ulët. Por edhe nëse rezultati i Pap Testit është normal, ju duhet të vazhdoni rregullisht bërjen e Pap Testit. Ky test është i thjeshtë, i shpejtë, i padhembshëm, që zgjat vetëm pak minuta dhe që ju shpëton jetën!

Po nëse rezultati i Pap Testit është jonormal?

Nëse rezultati i Pap Testit del jonormal, do të thotë që disa qeliza jonormale janë gjetur në qafën e mitrës, por kjo nuk do të thotë gjithmonë që janë kanceroze. Është e rëndësishme të mbajmë mend se qelizat jonormale jo gjithmonë bëhen kanceroze. Në disa raste pjesët jonormale duhen hequr që të mos kthehen në kancer. Kjo gjë kërkon një trajtim të thjeshtë në spitalin gjinekologjik dhe nuk kërkon që ju të shtroheni. Ky trajtim nuk ndikon në jetën seksuale apo në mundësinë për të patur fëmijë.

Çfarë duhet bërë nëse rezultati i Pap Testit është jonormal?

Nëse Pap Testi tregon një dyshim apo gjendje jonormale mjeku do t’ju kërkojë të përsërisni testin mbas 6 muajsh apo t’ju kërkojë të kryeni një ekzaminim të quajtur kolposkopi. Gjatë kolposkopisë shikohet nga afër qafa e mitrës, nëpërmjet një instrumenti që vepron si mikroskop i cili quhet kolposkop. Gjithashtu, mjeku mund të marrë një material të vogël nga indet e qafës së mitrës për t’i ekzaminuar në laborator. Kjo procedurë është quajtur biopsi. Biopsia është e vetmja mënyrë e sigurt për të përcaktuar nëse qelizat jonormale kanë lidhje me kancerin.

LEXO NGA SUPLEMENTI I SHENDETIT:

Ushqimet që kontrollojnë tensionin e lartë

Astma, sëmundja kronike më e përhapur te fëmijët

 


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas