Maskat kanë terrorizuar dhe grabitur një çift të moshuarish në Korçë. Dy persona ende të pa identifikuar kanë hyrë në banesën e çiftit duke i kanosur, dhunuar dhe më pas u kanë marrë një shumë parash prej rreth 500 mijë lekësh të vjetra. Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 3 të qytetit të Korçës, rreth orës 21:50.
Të maskuar dhe me armë, autorët pasi i kanë bërë presion të zotëve të shtëpisë dhe u kanë kërkuar atyre lekët. Ndonëse çifti ka kundërshtuar që t’i bindet hajdutëve, këta të fundit kanë lidhur të moshuarit në krevat, ndërsa gruan, Afërdita Rrapon, e kanë goditur në krah dhe në këmbë, ndërsa burrin e saj, Foni Rrapo, në kokë me qytën e pistoletës.
Menjëherë mbas grabitjes, personat e armatosur janë larguar me sasinë e lekëve në drejtim të paditur. Dy të moshuarve iu është dhënë ndihma mjekësore.
Çifti Rrapo jetojnë të vetëm në banesën e tyre pasi fëmijet i kanë në emigracion. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si edhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, kryefamiljari në Korçë ka treguar momentet e tmerrit të kaluar pasi u grabit në banesë kur ishte duke darkuar së bashku me gruan e tij.
Foni Rapo tha në një prononcim për mediat se ata kanë qenë duke ngrënë, ndërkohë që nuk i kanë ndjerë fare dy personat që hynë befasisht.
“Ishim duke ngrënë bukë. Ishte 8 pa 10. Dy persona me maskë, armë dhe thikë u futën menjëherë brenda nga dera e banesës ngjitur. Ishin me armë, pistoletë, kishin dhe një thikë. Na kërcënuan dhe goditën, kërkonin lek, më morën pensionin dhe kursimet. Mua më goditën me qytën e pistoletës në kokë ndërsa gruan Afërdita në krahë dhe këmbë. Ime shoqe është në spital. E goditën shumë me shishe dhe mua më goditën. Gjatë gjithë kohës bërtisnin lekët, lekët. Në fund iu thashë merri lekët e pensionit”– tregon ai.
Njoftimi i policisë
Më datë 14.10.2019, rreth orës 21.45, në lagjen nr.3, dy persona ende të pa identifikuar, dyshohet se njëri kishte armë zjarri tip pistoletë kanë hyrë në banesën e shtetasve F.R dhe A.R, rreth 85 vjeç, duke ushtruar dhunë psikologjike, kanë marrë një sasi lekësh dhe më pas janë larguar me shpejtësi.
Dy të moshuarve u është dhëna ndihma e parë mjekësore, pa probleme për jetën.
Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si edhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.