Bota

Ditë të vështira/ Si mund të mos joshen të varfërit nga mafia





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:15 - 05/05/20 |
mapo.al

Ndërsa numri i të vdekurve në Covid-19 rritet, bandat e krimit të organizuar të Italisë janë në kërkim për të bërë miliona. Shumë italianë mendojnë se nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të pranojnë shpëtimin që krimi i organizuar ofron.


Në ishullin e Siçilisë, vëllai i një mafiozi – anëtar i një grupi të njohur – po shpërndan ushqim për të varfërit në një lagje të Palermos.


Njerëzit më marrin dhe ata fillojnë e bërtasin përmes telefonit”, thotë ai. “Ata thonë se fëmijët e tyre nuk mund të hanë. Një grua e re po më telefonon çdo ditë. Ajo ka pesë fëmijë dhe nuk di si t’i ushqejë ata”.


Nuk e konfirmon që edhe vetë ai është pjesë e mafies, por thotë se nëse të jesh mafioz do të thotë të ndihmosh njerëz, atëherë: “krenar të jem një mafioz”.


Koronavirusi është diçka e re, por shpërndarja e pakove ushqimore për nevojtarët është një taktikë e vjetër mafioze.

Qëllimi i tyre është të fitojnë besueshmëri dhe të futen si një alternative për shtetin“, thotë Nicola Gratteri, një hetues i antimafias dhe kreu i prokurorisë në Catanzaro, në Kalabria.

Qëllimi është të konsolidojmë një bazë mbështetjeje”, shtoi ai.

Ekonomia e Italisë ka qenë në një mënyrë e keqe për vite me radhë, me papunësi të lartë dhe rritje të ngadaltë ekonomike. Izolimi i ka çuar disa njerëz në dëshpërim. Por të pranosh edhe ndihmën më të vogël nga një mafioz është jashtëzakonisht e rrezikshme.

Mafia nuk ka bërë kurrë asgjë nga bujaria. Ky koncept nuk ekziston për ta”, thotë Enzo Rando, i cili punon për antimafian. “Filozofia e tyre është, unë do të kruaj kurrizin nëse ti ma kruan i pari “.

Në fillim nuk kërkohet asgjë në këmbim nga mafia. Por të gjithë do të duhet të paguajnë prapë favorin në një formë.

Marcello zotëron një restorant në qendër të Palermos, të cilin duhej ta mbyllte në mars.

Ai po pret që të marrë një ofertë që nuk mund ta refuzojë. Gjithçka është shumë e drejtpërdrejtë, thotë ai. Një mafioz troket në derë dhe ofron për të blerë biznesin, aty për aty. Kështu bëhet pazari. Më vonë, dikush të transferon një pjesë të parave në llogarinë tuaj, dhe pjesën tjetër ju e merrni kesh.

Tani për tani, biznesi im po fundoset. Dhe kur dikush hedh një jelek shpëtimi drejt jush, mund të zgjidhni ose të mbyteni me idealet tuaja, ose të notoni”.

Por mafia gjithmonë do të kthehet prapë për të mbledhur të vetat, thotë Gaspare Mutolo, një ish-mafioz sicilian që u kthye në një dëshmitar kryesor në dhjetra raste. “Kështu është saktësisht mënyra se si kam punuar“, thotë ai. “Unë paraqitesha, tek ta, gjithmonë joshës. Kurrë nuk tregoja ngjyrat e mia të vërteta. Por mos harroni, kam qënë një kriminel që largoi nga kjo botë më shumë se 20 njerëz“.

Mutolo foli për BBC nga një vend i fshehtë ku ai është nën mbrojtjen e policisë dhe i kalon ditët e tij duke pikturuar. Punimet e tij shpesh përshkruajnë tentakulat e mafies që penetrojnë në komunitet. Ai thotë se sa herë që “ndihmonte” një familje në nevojë, atyre nuk i interesonte se çfarë ai përfaqësonte.


“Kur fëmijët tuaj po qajnë sepse nuk ka ushqim në tryezë ose nëse biznesi juaj do të falimentojë, nuk mendoni për pasojat e ndihmës nga njerëzit e gabuar. Ju thjesht mendoni për të mbijetuar” -shton Mutolo.

Në kohën kur do afroheshin zgjedhjet lokale, ai shkoi tek njerëzit që i kishte ndihmuar dhe u tha: “Ciao bella, më kujton mua? Unë të ndihmova atëhere kur ti kishe nevojë. Tani, unë kam nevojë për ty. Dhe gjithçka që kërkoj është që ju të hidhni votën tuaj për këtë kandidat”.

Mutolo thotë se mafia ka para të gatshme për të shpenzuar në rast të një krize. “Ata janë shumë më të efektshëm se shteti kur bëhet fjalë për të ndihmuar njerëzit në nevojë”.

Antonio dhe gruaja e tij Franceska zotërojnë një dyqan mishi në një qytet të vogël në Pulia, në jug të Italisë, që ka qenë duke luftuar me izolimin. Disa ditë më parë, një nga klientët e tyre të rregullt hyri në dyqanin e tyre dhe ofroi një kredi për t’i ndihmuar.

Ne e shikuam njëri-tjetrin në sy. Zemrat tona aritmuan dhe menjëherë kuptuam se çfarë po ndodhte”, tha Antonio.

Ai dhe gruaja e tij nuk pranuan ofertën, por kreditë janë një biznes thelbësor mafioz. Ata japin kredi, dhe më pas “fillon një agoni e ngadaltë”, thotë Z. Gratteri.

Qëllimi përfundimtar i mafias nuk është kurrë të fitosh para, por të marrësh përsipër biznesin dhe ta përdorësh atë për të pastruar para“.

Që nga fillimi i bllokimit, një linjë telefonike që mbështet viktimat e zhvatjes ka marrë një rritje me 100% të raportimeve, veçanërisht nga bizneset e vogla.

Nëse qeveria italiane nuk është në gjendje t’i ndihmojë këta njerëz, ata do të hidhen në krahët e mafies“, thotë Attilio Simeone, i cili punon për linjën telefonike.

Ndërsa bota përballet me recesionin e saj më të thellë që nga Depresioni i Madh, shumë italianë do të jenë në gjunjë.


“Ky është momenti më i favorshëm për mafian”, paralajmëroi Enzo Rando. “Tani për tani, ndërhyrja në kohë është e rëndësishme”.

Enzo, si shumë ekspertë antimafia, po i kërkon qeverisë italiane të sigurojë para në dispozicion të njerëzve dhe bizneseve, përpara se këtë ta bëjë mafia me para të lehta. Qeveria Italiane ka thënë se do të japë hua deri në 25,000 euro për bizneset në nevojë.

Por Marcello nuk ka ndërmend të kërkojë një kredi qeveritare.

“Do të ishte e pamundur ta ktheje atë. Të gjitha dyqanet që do të rihapen, do të duhet të ndjekin rregulla të distancës sociale. Kjo do të thotë më pak klientë dhe shumë më pak para”.

Ai thotë se të gjithë pronarët e restoranteve që njeh, ndjehen njësoj. Ata besojnë se shitja e biznesit të tyre tek mafia shpejt dhe pa pyetje, ka të ngjarë të jetë opsioni i tyre i vetëm.

“Ndihem si një dështak i plotë”, thotë Marcello. “Unë kam dënuar gjithmonë mafian dhe jam gati të tradhtoj gjithçka që kam besuar më parë”.

Disa emra janë ndryshuar për të mbrojtur identitetin e të intervistuarve.

Marrë nga BBC./ Përktheu: Mapo.al


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas