Kryedemokrati Lulzim Basha akuzoi ashpër sot qeverinë se ka dështuar të përballojë situatën e koronavirusit në vend.
Gjatë konferencës me mediat nga selia blu, Basha tha se Shqipëria është vendi me numrin më të ulët të testimeve në Europë, ndërsa akuzoi qeverinë se po fsheh shifrat reale të të infektuarve dhe viktimave.
“Me mosblerjen e tamponëve, me moshapjen e spitaleve, janë drejtpërdrejt personalisht përgjegjës për vdekjen e qytetarëve”, tha Basha duke akuzuar direkt ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe kryeministrin Edi Rama.
Mosmarrja e masave për t’iu përgjigjur emergjencës pandemike, tha Basha, është terrorizëm shtetëror, i cili përmendi pagesat që kryen qeveria për koncesionarët dhe kompanitë e incineratorëve, para me të cilat sipas tij mund të ishin siguruar 14 mijë tamponë.
“Me mosblerjen e tamponëve, me moshapjen e spitaleve, janë drejtpërdrejt personalisht përgjegjës për vdekjen e qytetarëve. Braktisja e vendit në këtë situatë është terrorizëm shtetëror. Të shtysh pafundësisht blerjen e tamponëve, të bësh zero ritestime është terrorizëm shtetëror.
Zero vaksinime kundër gripit për grupet e cënueshme. Kjo nuk është më vjedhje, nuk është korrupsion; ky është terrorizëm shtetëror. Jeta e humbur e pacientëve është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Edi Ramës. Ky është shpërdorimi dhe abuzimi më i tmerrshëm i detyrës që mund të bëjë një kryeminsitër.
Prej 5 javësh e kemi paralajmëruar, i kemi kërkuar të shtojë testimet, të japë bonuset për mjekët dhe infermierët. Prej 4 javësh i kërkojmë të rimbursojë paketën e trajtimit të COVID për të sëmurët në shtëpitë e tyre. Fondi i mjaftueshëm për 14 mijë tamponë i është paguar dje biznesit të plehrave.
Jemi në humnerë. Çdo jetë e humbur e ngarkon me përgjegjësi penale Edi Ramën. Nëse do të kisha një instrument për ta fshirë nga karrigja, do ta kisha bërë sot. Por instrumenti i vetëm që kemi për ta rrëzuar Edi Ramën nga karrigja është 25 prilli. Sistemi shëndetësor nuk mund të funksionojë kur armiku i tij është vetë kryeministri. I bëj thirrje prokurorisë të hapë hetimet për abuzimet e të babëziturve që po pasurohen mbi fatkeqësinë. Një drejtësi me ndërgjegjen minimale nuk nevojë për faktet e mia që të nisë hetimet”, u shpreh kreu i PD.
LEXO EDHE: