Bashkimi Europian ka marrë masa drastike sa i përket situatës me koronavirusin përderisa tashmë është dhe vatra e rrezikshmërisë së botës.
Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ka propozuar një vendim drastik për të bllokuar hyrjen në vendet e Bashkimit Europian të të gjithë ekstrakomunitarëve, përfshirë edhe shqiptarët. “U propozoj krerëve të shteteve dhe qeverive të vendosin kufizime të përkohshme për udhëtimet” tha von der Leyen. “Këto kufizime duhet të qëndrojnë në fuqi, të paktën fillimisht, për një periudhë prej 30 ditësh, por ato mund të zgjaten nëse është e nevojshme” vijoi më tej Presidentja e KE-së.
Përjashtim bëjnë familjarët rezidentë, mjekët, diplomatët dhe studiuesit e angazhuar në betejën kundër koronavirusit. Tashmë pritet që të shikohet nëse kufizimet e propozuara nga Komisioni Evropian mund të miratohen në nivelin më të lartë politik në samitin e jashtëzakonshëm të krerëve të shteteve dhe qeverive, të planifikuar për të Martën 17 Mars me telekonferencë, dhe më pas të ratifikohen zyrtarisht ditën tjetër në Këshillin e Ministrave të Transporteve.