Presidenti Ilir Meta tha se Shqipëria është seriozisht e ekspozuar ndaj koronavirusit dhe duhet të marrë masa për ta parandaluar. Ndryshe nga sa deklaroi pak orë më parë Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik, që thanë se vendi ynë është ende në shkallën rreziku të ulët, presidenti i bëri thirrje autoriteteve përgjegjëse të tregojnë kujdes maksimal.
“Mendoj se është koha për të marrë masat më të forta. Shqipëria ka eksperiencë në raste të tilla, siç është parandalimi i SARS-it”, tha Presidenti në një prononcim për mediat.
“Mendoj se rastet në Itali dhe ndoshta një rast në një vend tjetër fqinj, e tregojnë qartë se jemi seriozisht të ekspozuar dhe duhet të parandalojmë me çdo kusht depërtimin e këtij virusi në vendin tonë. i kemi të gjitha mundësitë, në rast se të gjithë bëjnë detyrën me përgjegjësi maksimale”.
Prononcimi i plotë i Metës:
Pyetje: Përsa i përket situatës së përhapjes së Coronavirusit dhe rrezikut të përhapjes në Shqipëri, çfarë masash ka marrë Shqipëria për të përballuar çdo lloj rasti rreziku?
Presidenti Meta: Me shpalljen e gjendjes së emergjencës së nivel global nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duhen marrë masat më të forta të mundshme sanitare dhe epidemologjike për të parandaluar këtë virus që të penetrojë në vendin tonë. Aq më tepër kur tashmë janë konstantuar dy raste në Italinë fqinje, por ndoshta edhe në vende të tjera pranë nesh.
Shqipëria ka një përvojë në raste të tilla sikurse ka qenë parandalimi i suksesshëm i SARS-it dikur, ndaj është e rëndësishme të theksohet se çdo nënvlerësim mund të jetë me pasoja kritike. Shpresoj dhe inkurajoj për marrjen e masave më të forta parandaluese.
Pyetje: A keni marrë informacione nga institucionet përkatëse zoti Meta?
Presidenti Meta: Jemi në një proces komunikimi. Mendoj se rastet e konstatuara në Itali dhe ndoshta një rast në një vend tjetër fqinj, tregojnë shumë qartë se ne jemi seriozisht të ekspozuar dhe duhet të parandalojmë me çdo kusht dhe me çdo mjet depërtimin e këtij virusi në vendin tonë.
Ashtu sikurse e theksova edhe më parë, Shqipëria ka qenë mjaft e suksesshme për të parandaluar SARS-in përpara 16-17 vitesh dhe i kemi të gjitha mundësitë në rast se të gjithë bëjnë detyrën me përgjegjshmëri maksimale.
****
Deri tani Italia ka konfirmuar dy rastet e para të personave të infektuar me virusin kinez që mendohet se u përhap nga qyteti Wuhan, ndërsa 2 rastet e para janë konfirmuar në Britaninë e Madhe. 5 persona të infektuar janë raportuar në Gjermani, të gjithë kolegë në një ndërmarrje, të infektuar nga një kolege e tyre kineze.