Askush nuk do të fajësonte Manastirliun dhe as shefin e saj, nëse fenomeni do ta prekte Shqipërinë. Njerëzit do të donin të shihnin reagimin, aftësinë për të përballuar. Njerëzit nuk kanë nevojë të shohin me orë të tëra live në ekrane fjalime të bukura. Duan të shohin përpjekjet konkrete aty ku virusi luftohet. Të gjithë lutemi dhe dashtë zoti mos të vihemi në provë. Po nëse ndodh, autoritetet, do të duhet më së paku të mbajnë përgjegjësi nesër për tablonë rozë dhe për ushqimin e madh propagandistik që kanë shpërndarë çdo ditë në popull.
Ditët e vështira të koronavirusit që po vuan mbarë bota dhe Europa, duket se zyrtarisht e kanë lënë Shqipërinë tonë halleshumë, fatmirësisht si ishull të paprekur. Ngjan me të vërtetë një mrekulli, teksa fenomeni kërcënues na ka rrethuar nga të gjitha anët, vetëm te ne nuk ka mbërritur akoma.
Virusi është shtrirë frikshëm në Itali, vend me të cilin kemi çdo ditë mbi 10 mijë persona që vijnë e shkojnë. Është po ashtu në Kroaci, në Serbi dhe në Maqedoni.
Qeveria jonë është e përqendruar më së shumti të mbajë larg panikun, duke bërë thirrje që të mos dëgjohen lajmet dhe informacionet e rreme ose të paverifikuara. Dhe këtu ka vënë në punë instrumentin më të fuqishëm që ka. Praninë në media.
Ka spikatur sigurisht, siç e do rasti, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Një karantinë e madhe mediatike. Askush, asnjë mjek nuk ka të drejtë të flasë. Vetëm të shenjuarit, ata, Task-Forca. Ndoshta kështu e lyp situata.
Në të gjitha daljet publike, ka rënë në sy një fakt. Mungesa serioze e të dhënave konkrete, dhe meraku për të theksuar se qeveria, ministria e saj dhe në përgjithësi shëndetësia jonë janë të përgatitur për të përballuar situatën.
Kjo, siç zakon e ka qeveria dhe rilindja. E kemi parë për shembull ministren të flasë me orë pa fund, dhe zor se dikush ka kuptuar diçka për masat konkrete.
Është dëgjuar vetëm refreni që tregon se ne kemi një qeveri të fortë e të kujdesshme, dhe se alarmet prodhohen nga dashakeqësia.
Vetëm sot, doli një e dhënë konkrete që një fond shtesë prej 1 milion dollarë u ka shkuar spitaleve dhe se 1.2 milion maska janë në dispozicion të personelit shëndetësor.
Po ashtu, raportimet kanë qenë të përditshme, për rastet e dyshuara që kanë rezultuar negative, fatmirësisht.
Mirëpo a ka njeri të besojë, se Shqipëria do të vazhdojë gjatë pa u prekur nga ky fenomen.
Për çfarë arsye atmosferike, gjeografike, transcendentale, një virus që ka prezencë kudo rreth nesh, mënon të zbarkojë këtu.
A mos vallë kemi masa më të jashtëzakonshme se vendet e tjera më të zhvilluara që e pamundësojnë. Apo mos e kemi qeverinë aq omnipotente, të herkultë, sa me deklaratat e saj të ashpra e ka tutur koronavirusin që nuk guxon të kalojë kësaj ane.
Frika është se, e vërteta është ndryshe.
Ne e kemi shëndetësinë në të njëjtin nivel si shumë sektorë të tjerë problematikë, në mos më keq, dhe nuk kemi pse të besojmë se nga aty do të mbijë mrekullia.
Ne i kemi pikat e kalimit kufitar problematike dhe me pasiguri, siç kemi mjaft zyra dhe sektorë të tjerë anembanë vendit.
Dhe zor se do të gjesh dikë edhe mes rilindasve më të thekur, të besojnë se në këto drejtime jemi më të zhvilluar se Zvicra, apo se Italia.
Edhe për karantinën e mundshme, duket se ka një vonesë. Teksa qeveria ndeshi me një rezistencë të madhe për ta ngritur atë në Kavajë, u mor vesh nga kryeministri, se streha për të mbajtur të izoluar dhe për të trajtuar të prekurit në rast se epidemia do të vijë, do të jetë Kavaleshenca e Durrësit.
Duhet të dimë se për ta kthyer në karantinë një ngrehinë, kërkohet jo pak kohë.
Edhe maskat për personelin mjekësor, njerëzit më të ekspozuar nga rreziku, del se janë shpërndarë masivisht vetëm dje.
Pra, në krahasim me fjalët e ngrohta dhe garancitë e forta që jep zonja Manastirliu, lehtësisht konstatohen disa vonesa në masat konkrete.
A do të mjaftojë propaganda për ta mbajtur nën fre, për ta bërë të tërhiqet koronavisurin, nëse do të na prekë.
Vështirë të besohet.
Ama gjithkush, do të mbajë mend në këto kohë të vështira, agresivitetin e deklaratave publike të qeverisë dhe aktorëve përgjegjës.
Për ta ilustruar. Në një debat në një televizion kombëtar, mbajtur pak ditë më parë, doli se një farmaciste e zakonshme e kryeqytetit, tha më shumë, foli më konkretisht dhe ishte më e dobishme, se ministrja dhe gjysma e zyrtarëve më të lartë të shëndetësisë, të cilët ishin të pranishëm në një studio dhe vetëm rrotullonin fjalë e qëndrime propagandistike pa fund.
Ky pozicion është pak i çuditshëm. Askush nuk do të fajësonte Manastirliun dhe as shefin e saj, nëse fenomeni do ta prekte Shqipërinë. Njerëzit do të donin të shihnin reagimin, aftësinë për të përballuar. Njerëzit nuk kanë nevojë të shohin me orë të tëra live në ekrane fjalime të bukura.
Duan të shohin përpjekjet konkrete aty ku virusi luftohet.
Të gjithë lutemi dhe dashtë zoti mos të vihemi në provë. Po nëse ndodh, autoritetet, do të duhet më së paku të mbajnë përgjegjësi nesër për tablonë rozë dhe për ushqimin e madh propagandistik që kanë shpërndarë çdo ditë në popull.
Përulësia, dhe puna pa rënë në sy, do të ishte një nga masat që duheshin ndërmarrë. Të paktën kjo nuk ka ndodhur.
Të rrezikuar si gjithë bota jemi para koronavirusit, dhe afërmendsh, Ogerta nuk mjafton për ta ndalur.
Mapo.al