Qeveria italiane ka miratuar një paketë prej 25 miliardë eurosh për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë së goditur nga kriza e koronavirusit.
Kjo është paketa e tretë e qeverisë së Guiseppe Contes e cila do ndihmojë ekonominë e vendit, derisa Italia të marrë një paketë prej 209 miliardë eurosh në formën e granteve dhe huave nga fondi i rimëkëmbjes së Bashkimit Evropian.
Ndërkohë edhe në vende të tjera evropiane ka pasur zhvillime të ndryshme lidhur me pandeminë e koronavirusit.
Franca pritet t’u shpërndajë maska të ripërdorshme 7 milionë njerëzve, të cilët janë në skajet e varfërisë.
Ministri i Shëndetësisë në Francë është shprehur se bëhet fjalë për 40 mln maska duke theksuar se Franca nuk do të braktisë personat të cilët nuk mund të blejnë maska.
Ndërkohë, një kompani e përpunimit të mishit në Portugali është mbyllur pasi 34 punonjës rezultuan pozitivë. Autoritetet portugeze po kontrollojnë për infeksione të mëtejshme.
Raste të koronavirusit kanë përfshirë edhe një prej fabrikave më të mëdha në Evropë të përpunimit të mishit.
Autoritetet gjermane njoftojnë se 2119 raste janë të lidhura me shpërthimin në këtë fabrikë, por fatmirësisht asnjë nuk ka humbur jetën.
Belgjika ka parë një rritje prej 91 për qind të rasteve ditore të të prekurve javën e kaluar, njoftojnë autoritetet shëndetësore, ndaj edhe nuk parashikohet lehtësimi i mëtejshëm i masave kufizuese në kuadër të koronavirusit.
Në Spanjë është vënë re një rritje e rasteve me koronavirus. Të mërkurën u raportua për 730 raste të reja, thuajse dyfishi i rasteve të raportuara javën e kaluar.