Një lule tipike e Ditës së Verës, në emisionin e Rudina Magjistarit, si simbolikë falenderimi dhe mirënjohje për punën dhe misionin e vështirë të gazetarëve dhe mediave në periudhën e vështirë të epidemisë.
Këtë mënyrë zgjodhi anëtarja e AMA-s Suela Musta, për të shprehur vlerësimin për mediat, veçanërisht siç u shpreh ajo për vajzat, gratë dhe nënat e reja që bëjnë gazetarinë e terrenit në këtë sfidë të madhe, jo vetëm për sigurinë e tyre fizike por dhe kushtet e karantinës së shoqërisë në tërësi.
“E rëndësishme është që të mos kemi karantinim të informacionit dhe komunkimit mbi sëmundjen në këtë situatë”– tha ajo.
Musta tha se mediat audiovizive por dhe ato online po punojnë me profesionalizëm dhe me etikë si dhe televizionet po respektojnë udhëzimet e AMA-s për transmetim dhe publikimin sa më të shpeshtë të spoteve dhe fushatave ndërgjegjësuese të publikut mbi masat shtrënguese të Corona Virus.
“Por brenda rolit të saj informues dhe investigues media vecanërisht në emisionet e lajmeve mund të përcjellin më shumë informacion nga terreni spitalor dhe ai i ambulancave lidhur me kushtet e trajtimit të të prekurve apo dhe duke transmetuar apel dhe mesazhe të mjekëve të karantinës në Infektiv me video call në mënyrë që publiku të informohet nga vendi i ngjarjes. Praktikë e cila po ndiqet dhe nga mediat italiane apo perëndimore.
Mediat si misionare të informimit të pavarur duhet të dalin nga modeli i transmetimit me shumicë dhe vetëm të njoftimeve zyrtare pasi ato përmbajnë informacion të fragmentarizuar edhe pse është i certifikuar”, tha anëtarja e AMA-s. Sipas saj në ekrane mungon ende zëri i profësorëve, i katedrave dhe studiuesve të Imunologjisë. Farmacistëve mjekëve të familjeve, të cilët në profesionin e tyre kanë patur eksperienca të jashtëzakonshme në fushën e viruseve.
Rasti i Italisë ku bordi i profesorëve të Spitalit më të madh Infektiv Spalanzzani del çdo ditë me komunikatë dhe konferencë për mediat duhet të importohet në Shqipëri sepse publiku beson shkencën dhe dijen më shumë sesa qëndrimet e institucioneve mbi sëmundjen.