Aktualitet

Koronavirusi/ Vdesin dy pasagjerë të anijes Diamond Princess





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:00 - 20/02/20 |
mapo.al

Dy pasagjerë të prekur nga virusi COVID-19 në bordin e anijes me turistë Diamond Princess, humbën jetën sot. Siç raportohet, dy viktimat ishin rreth të 80-tave dhe po kuroheshin në spitale të Japonisë, pasi u nxorën nga anija kroçierë javën e kaluar. Të paktën 621 persona në anijen e ankoruar në Japoni, rezultuan pozitiv ndaj virusit, numri më i lartë ky i rasteve jashtë Kinës kontinentale.


3700 persona gjendeshin në bordin e Diamond Princess, dhe qindra prej tyre të cilat nuk ishin prekur nga virusi, u lejuan të dilnin të mërkurën pas 14 ditësh karantinë. Raportime për situatë kaotike vijnë nga ekspertë të shëndetësisë në anije, ndërsa autoritetet japoneze janë kritikuar për mënyrën se si po e menaxhojnë situatën.



Por ministri i shëndetësisë në këtë vend i hodhi poshtë akuzat. “Anija nuk është një spital. Ne po i përshtatemi situatës me masa të përkohshme. Kemi standarde bazike por çështje të ndryshme janë adresuar çdo ditë. Ne vazhdojmë të korrigjojmë problematikat. Shtete të ndryshme vazhdojnë të evakuojnë qytetarë të tyre nga anija, por shumica do të vazhdojnë të qëndrojnë në karantinë edhe pas mbërritjes në vendet e origjinës”, deklaroi Ministri i Shëndetësisë japonez Katsunobu Kato.


Ndërkaq të dhënat e përditësuara lidhur me virusin në Kinë, sinjalizojnë rënie të ndjeshme të rasteve të prekura. Të mërkurën u raportuan 394 raste të konfirmuara dhe 114 vdekje, shumë më pak nga 1749 raste të raportuara një ditë më herët. Në total numri i vdekjeve nga COVID-19 është 2,118, ndërsa të prekurit janë 75 mijë.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas