Pas investigimit dhe transmetimit të video-përgjimit në emisionin “STOP”, arrestohet gjyqtari i Gjykatës së Fierit Roland Hysi dhe psikologia Elona Meçani për akuzën e korrupsionit. Përveç mitmarrjes Hysi akuzohet edhe për kërkim të favoreve seksuale. Sistemi i degraduar i drejtësisë dhe rastet kur gjyqtarët kërkojnë edhe favore seksuale nga gratë e divorcuara.
Korrupsioni dhe aferat seksuale brenda sistemit të drejtësisë përfunduan me dy të arrestuar dhe një dyshim të madh mbi mënyrën si po funksionon gjyqësori shqiptar. Pasditen e djeshme u ndaluan gjyqtari i Gjykatës së Fierit Roland Hysi dhe psikologia e po kësaj gjykate Elona Meçani. Të dy akuzohen për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim. Urdhër-arresti u lëshua pasditen e djeshme nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe menjëherë u krye ekzekutimi, duke vënë në pranga Hysin dhe Meçanin. Skandali ku gjyqtari mori 1000 euro për t’i dhënë kujdestarinë e fëmijës një nëne të divorcuar u publikua të hënën në emisionin “STOP”. Gjithashtu, Hysi do të akuzohet edhe për kërkim të favoreve seksuale. Nuk është rasti i vetëm, pasi sistemi i drejtësisë përveç anës së korrupsionit ka edhe pjesën tjetër po aq të errët në kërkim të favoreve seksuale, kryesisht ndaj grave në proces divorci. Në këtë mënyrë gjyqtarët që janë në ankthin e vettingut nuk e kanë harruar zakonin e vjetër, duke nxjerrë zbuluar sistemin tashmë të rrënjosur të korrupsionit. Pas publikimit të aferës në media reagoi edhe KLGJ, duke kërkuar hetim të thelluar dhe premtuar se do të merren masa ndaj personave përgjegjës.
Para dhe favore seksuale
Emisioni investigativ STOP, mbrëmjen e së hënës transmetoi në një video-përgjim rastin e një nëne të divorcuar që në përballje me drejtësinë, për të fituar kujdestarinë e fëmijës iu desh që të paguante 1500 euro për gjyqtarin Roland Hysi dhe psikologen Elona Meçani. Ndërmjetësimin për të shkuar deri te gjyqtari e bëri lehtësisht psikologia që u shfaq në rolin e sekseres. Gjyqtari pasi i premtoi se çështjen do e zgjidhte në favor të nënës së divorcuar futi në portofol 500 euro si “kapar”, ndërsa 500 të tjera mendohet se i ka marrë në fund të procesit në Gjykatën e Shkallës së Parë ku ai ishte gjyqtar i çështjes. Në një përgjim të dytë, Hysi nuk mjaftohet vetëm me korrupsionin e hapur, por i kërkon gruas së divorcuar edhe favore seksuale. Të tjera para denoncuesja duhet të nxirrte edhe në vendimin që u mor në Gjykatën e Apelit, ku sërish shfaqet psikologia Meçani, që i merr edhe 500 euro të tjera. Pas transmetimit të këtyre pamjeve prokuroria nisi menjëherë hetimin dhe nuk ka vonuar masa ekstreme për dy protagonistët. “Drejtoria Hetimore Qendrore në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Tiranë kryen ekzekutimet e vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë Nr.5, datë 09.01.2019 e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasit: Roland Hysi, 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Fier; Elona Meçani, 28 vjeçe, banuese në Fier, me detyrë psikologe, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier”, thuhet në njoftimin e policisë. Për ta, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike”. Dy vjet më parë kryetari i Gjykatës së Gjirokastrës Guximtar Boçi dhe gjyqtari i Beratit Shyqyri Çobo u përfshinë në afera seksuale, ku “viktimë e epsheve” të tyre ranë dy gra të divorcuara. Ata u kërkuan favore seksuale, në mënyrë që të jepnin vendime në favor të tyre. Për të dyja këto raste gjyqtarët u shkarkuan, por kur pritej që të përballeshin me drejtësinë, për të dy gjyqtarët çështja u pushua, ndonëse audio-përgjimet nuk linin vend për interpretime. Duke përfituar edhe nga sistemi i “drejtësisë së vjetër”, për dy gjyqtarët nuk pati procedim penal dhe dënim, por vetëm masë administrative. Në rastin e Boçit përveç pjesës së kërkimeve të favoreve seksuale u transmetua në video-përgjim edhe një sekuencë ku u shpreh se nëse e publikon do ndahej me plumb. Gjyqtari u bë “guximtar” edhe për shkak se duke qenë vetë pjesë e një sistemi të akuzuar për korrupsion e kishte thuajse të garantuar që kur çështjen ta merrnin në duar kolegët e tij, ajo do të sfumohej. Nuk është rastësi që në të tria rastet, përfshi edhe atë të gjyqtarit Roland Hysi, viktimë e ngacmimeve seksuale bien gra të reja të divorcuara. Nënave të reja përveç stresit që sjellin pasojat e divorcit, u është dashur në disa raste që të jenë preh e epsheve seksuale të gjyqtarëve të ndryshëm. Duke shfrytëzuar postin dhe patur në duar “fatin” për gratë e divorcuara kalonin në ngacmime seksuale e madje edhe kërcënime se do i fundosnin nëse nuk u ofroheshin.
KLGJ, betejë për të luftuar korrupsionin
Këshilli i Lartë Gjyqësor, institucion i ri i drejtësisë i sapokrijuar, ka reaguar dje për çështjen e gjyqtarit Hysi dhe psikologes Meçani. Sipas KLGJ-së, ky rast duhet të hetohet dhe vlerësohet maksimalisht, ndërsa pranon se pikërisht për shkak të këtyre aferave nevoja e drejtësisë së re është edhe më e madhe. “Këshilli Lartë Gjyqësor, duke vlerësuar sjelljet dhe veprimet e gjyqtarit në raport me ligjin, nxit shqyrtimin dhe verifikimin e plotë të gjithë kësaj ngjarjeje, nga strukturat përkatëse”, thuhet në reagimin e KLGJ-së. Sipas saj, institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë u lind detyra për të pastruar të gjithë sistemin nga individë të ndryshëm që abuzojnë me detyrën, duke mos iu përmbajtur edhe etikës. “Shkeljet e rënda të etikës dhe që diskreditojnë rëndë figurën e gjyqtarit, ishin arsye për të cilën Reforma në Drejtësi doli si domosdoshmëri, dhe do të jetë arsye që kjo reformë, me të gjithë institucionet e reja të sapo ngritura, të vijojë përpara betejën ndaj çdo lloj korrupsioni të shfaqur, në të gjitha nivelet, me qëllimin final sigurimin e sundimit të ligjit, pavarësinë dhe eficiencën e gjyqësorit”, thuhet në reagim. Aktualisht vijon procesi i Vettingut ku në ditët e fundit u shkarkua nga detyra Kryetari i Gjykatës së Sarandës dhe duket se do të ketë po të njëjtin fat edhe kreu i Gjykatës së Shkodrës. Në listën prioritare të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do të jenë të gjithë drejtuesit e gjykatave dhe prokurorive të vendit, më pas do të vijojë me gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë.