Aktualitet

Korrupsioni/ 1 mijë €, një arkë peshk dhe një celular, për një vend pune














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:52 - 15/07/21 |
mapo.al

Detaje të reja janë zbardhur nga dosja për ish-zv.ministren e Brendshme, Voda, e cila është caktuar në arrest shtëpie me akuzën e korrupsionit, pasi ka kërkuar para dhe të mira materiale për të rregulluar në punë një grua në pozicion ekzekutiv në institucionin ku ajo ishte numri 2.






Janë zbardhur detaje të reja nga dosja e SPAK, elemente tronditëse për lehtësinë me të cilën kërkohen favoret për një vend pune. Këto të dhëna “fundosën” ish-zëvendësministren e Brendshme, Rovena Voda, ndaj së cilës GJKKO caktoi para dy netësh masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Gazetarja Klodiana Lala në një raportim të sajin ka treguar hollësi nga dosja e SPAK, ku përgjimet zbulojnë se si ish-zv.ministrja ka marrë ryshfet dhe dhurata për të punësuar një grua në Ministrinë e Brendshme.


Siç raporton gazetarja, hetimi nga SPAK ka nisur në vitin 2019, për një çështje tërësisht tjetër, që në fakt zbuloi rastin e ish-zv.ministres së Brendshme. Sipas SPAK, nga hetimi dhe përgjimet ka rezultuar se Voda i kishte premtuar shtetases F.B ta punësonte si specialiste në Ministrinë e Brendshme, duke i marrë njëherë shumën prej 1 mijë eurosh, më pas një telefon dhe, më e çuditshmja, një arkë me peshk.







Në dosjen e SPAK thuhet se pavarësisht se ajo ka aplikuar në 11 vende pune për t’u emëruar si specialiste, ajo nuk ka kaluar as në fazën e dytë, duke mos e përfituar dot me konkurs pra, me meritë, siç propagandon shpesh rilindja dhe kryeministri. Por, pavarësisht kësaj, Voda ka përfituar dhurata prej saj, ndaj dhe e ka konsumuar veprën penale. Sipas SPAK, më 13 shkurt 2020, M.H, avokate, është takuar me F.B dhe zv.ministren e kohës, Rovena Voda. Florida i ka kërkuar Vodës t’i gjente një vend pune. Ajo ka telefonuar një person, që kishte dijeni për vende pune. “Shefe nuk e bëj dot, por do ta rregulloj si specialiste”, ka thënë ajo.



Më tej, në përgjimet e SPAK, është edhe momenti kur zonja që kërkonte të niste punë, dëgjohet t’i thotë avokates: “Më ngeli mendja, mos duhet të jepnim më shumë, të na vendoste në një vend të hajrit”. Gazetarja Lala, referuar dosjes së SPAK, thekson se ato i kanë dhënë Vodës shumën prej 1 mijë eurosh dhe sipas SPAK ky moment është filmuar, ndonëse eurot ishin në zarf. Pas këtij momenti, thuhet në dosje, dëgjohet M.H, e cila thotë se Rovena Voda i përgjigjet menjëherë, jo si më parë, ku i përgjigjej pas 2-3 ditësh, sepse sipas saj; “Leku e hedh ujin përpjetë”.



SPAK thotë se më pas ato i kanë bërë dhe një telefon dhuratë Vodës dhe ky moment është filmuar. Sipas SPAK, të tria gratë janë takuar më 28.02.2020 brenda ambienteve të MB dhe pas këtij takimi Florida Beu ka aplikuar për specialiste në 11 vende pune, por rezulton se asnjërin nuk e ka fituar. Ndërsa, takimi i fundit mes tyre është bërë më 06.03.2020, ku Voda shfaqet me makinën e saj, me targa MB 276 AA, që drejtohej nga shoferi i saj, dhe është futur në Portin e Durrësit, ku e interesuara për punë i ka dhënë dhe një arkë me peshk.

Lexo edhe :  VIDEO/ Çfarë tha Rama që ngriti në këmbë kadetët amerikanë?

Burime për Gazetën MAPO bëjnë me dije se prej largimit nga Ministria e Brendshme, Voda ishte tashmë e punësuar tek Autoriteti i Dosjeve, në sektorin e gjetjes së eshtrave të të zhdukurve.

Dosja e SPAK
Rovena Voda dyshohet se “ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe materiale nga zonjat Hasani dhe Beu, me qëllim që të ushtronte ndikim të paligjshëm në persona të tjerë, që ushtrojnë funksione publike për të favorizuar në mënyrë të padrejtë shtetasen Florida Beu, në mënyrë që kjo e fundit të emërohej, punonjëse në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive në Ministrinë e Brendshme”.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë ka zhvilluar hetime në kuadër të procedimit penal që bën fjalë për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, si dhe për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publik””, thekson deklarata e SPAK-ut. Rovena Voda u emërua në postin e zëvendësministres së Brendshme në vitin 2017 dhe e mbajti këtë detyrë deri në korrik të vitit 2020, kur kryeministri Rama e liroi nga detyra.

Shkelja e barazisë në tender – SPAK akuzon një tjetër kryebashkiak
Pas arrestimit një javë më parë, (06.07) të kryetarit të Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, për “shkelje të barazisë në tender dhe shpërdorim detyre”, SPAK-u ka çuar një tjetër kryebashkiak në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar: Eduart Kaprin, Kryetar i Bashkisë së Pogradecit. Ai akuzohet nga SPAK për “shkelje të barazisë në tendera publikë dhe shpërdorim detyre” si edhe për “pengim të zhvillimit të Zgjedhjeve Lokale 2019”.

SPAK ka kryer hetime lidhur me një tender për blerjen e druve të zjarrit me vlerë afro 9,2 milionë lekë të rinj, (rreth 74 mijë Euro) të kryer në vitin 2017, nga të cilat rezulton se Kryebashkiaku i Pogradecit, Eduart Kapri, ka shkelur barazinë në tender dhe ka shpërdoruar detyrën. Ai ka bashkëpunuar me dy shtetas të arrestuar në flagrancë në qershor 2019 “duke mbyllur me çelës derën e jashtme në tri shkolla dhe një kopsht, në qytetin e Pogradecit, të miratuara si qendra votimi nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për zgjedhjet vendore të datës 30.06.2019”, thekson deklarata e SPAK.

Përveç kryetarit të Bashkisë, Eduart Kapri, SPAK ka çuar në Gjykatën kundër Korrusionit dhe Krimit të organizuar edhe pesë ish-punonjës të bashkisë Pogradec.

Goditjet e SPAK-ut kundër korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës filluan më 6 korrik, kur u arrestua kryetari i bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe dhe 10 punonjës të kësaj Bashkie, vijuan me arrestimin më 10 korrik të 9 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme për tenderin me uniformat e policisë dhe parmbrëmë me arrestin në shtëpi të Rovena Vodës.

Drejtuesi i SPAK-ut, Arben Kraja, në një deklaratë publike, tha se “ky është vetën fillimi” duke nënkuptuar vijimin e goditjes së korrupsionit në nivel të lartë. Deklarata e tij vjen pas konsiderimit nga SHBA të korrupsionit si “cenim të sigurisë kombëtare ndaj SHBA, ndaj miqve dhe aleatëve të saj, përfshirë edhe Shqipërinë”.

1


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas