Kryebashkiaku i Lushnjës është arrestuar dje nga SPAK nën akuzën për korrupsion dhe abuzim me tenderat. Tushe ishte njeriu i besuar i Ramës dhe Braçes për 4 mandate. Kryeministri u shpreh se ai nuk gëzon mbështetjen e PS para drejtësisë. Basha kërkoi që hetimi të shkojë më thellë te lidhjet e kryebashkiakut me krimin dhe kupolën e mazhorancës. Ambasadorja Kim shprehet se koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund.
Kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, disa zyrtarë të pushtetit vendor dhe biznesmenë janë arrestuar gjatë ditës së djeshme në vijim të një hetimi të nisur nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit (SPAK). Të gjithë zyrtarët dyshohen për “Shpërdorim detyre”, “Shkelje të barazisë në tendera”, ndërsa administratorët e dy kompanive private dyshohen për “Falsifikim të dokumentave”.
Përveç kryebashkiakut Tushe, 8 zyrtarët e tjerë nën arrest, janë punonjës së Ndërmarrjes së pasurisë publike, pranë Bashkisë Lushnjë. Për katër prej tyre, përfshirë drejtorin e kësaj ndërmarrjeje Flamur Peqini, është dhënë masa e “arrestit me burg”, ndërsa për katër të tjerët ajo e “arrestit në shtëpi”. Të gjithë dyshohet të jenë përfshirë në një skemë të tjetërsimit të fondeve publike, në rastin e një tenderi, me vlerë 24 milionë lekë, për rehabilitimin e një ujësjellësi. Me urdhër të prokurorisë janë ushtruar kontrolle në zyrat e Ndërmarrjes së pasurisë publike, por dhe në disa prej banesave të personave të arrestuar. Ndaj arrestimit të kryebashkiakut socialist Fatos Tushe, ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama.
“Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve”, theksoi kryeministri në një postim në Twitter.
Nga ana e saj ambasadorja amerikane Yuri Kim, shpërndau gjithashtu një postim po në Twitter, ku shkruante se “nëse je i përfshirë në korrupsion – pak rëndësi ka se sa i pushtetshëm mendon se je – tani është koha të marrësh në konsideratë pasojat që veprimet e tua do të kenë mbi familjen dhe vendin tënd. Tani është momenti të vlerësosh nëse ia vlen të shkosh në burg. Tani është momenti të heqësh dorë. Askush nuk është mbi ligjin”, përfundon postimi i ambasadores amerikane.
Hetimet ndaj kryebashkiakut të Lushnjës po vijojnë edhe për dyshimet për korrupsion. Zoti Tushe u vu në qendër të vëmendjes dhe para gati një viti e gjysmë, kur më 31 dhjetor të 2019-ës ai u plagos nga shpërthimi i një granate të hedhur në zyrën e tij, nga ish-shoferi i tij, i cili nuk u arrit të kapej dhe motivet e ngjarjes nuk u zbardhën.
Në atë kohë, Partia Demokratike foli për “prishje të pazareve mes kryebashkiakut dhe ish-shoferit, me të cilin ai ka ndarë bashkë para nga droga, prostitucioni dhe korrupsioni”.
Edhe sot, kryetari demokrat Lulzim Basha, përmes një postimi në Twitter theksoi ndër të tjera sërish se “arrestimi i Fatos Tushës pas denoncimeve shumëvjeçare nga PD të bashkëpunimit të tij korruptiv me krimin e organizuar, mund të jetë një fillim i mbarë. Por kjo – shtoi ai – do të varet nga aftësia, kuraja dhe pavarësia e drejtësisë për të goditur lidhjet e pushtetit me krimin”.
Rezultate të dobëta në zgjedhje
Fatos Tushe është kryetari i gjashtë që lë bashkinë bosh. Në rast se do përfshijmë në këtë listë dhe kryetarin e Bashkisë Vlorë Dritan Leli, ndaj të cilit Rama ka ndërmarrë një sulm të paprecedentë duke e shndërruar në një kryetar inekzistent, të bllokuar nga të gjitha anët, atëherë janë shtatë bashki të rëndësishme deri më tani që kërkojnë zgjidhje, ndërkohë që zgjedhjet e 30 qershorit 2019 janë ankimuar në kushtetuese. Por jo vetëm kaq.
Ndaj Fatos Tushes ka pasur pakënaqësi dhe në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit, ku PS pati rënie të konsiderueshme votash në raport me vitin 2017, ndërsa PD me një rritje prej gati gjashtë mijë votash. Kështu në rast se në vitin 2017 PS ishte në kuotën e 28 500 votave në këtë Bashki në zgjedhjet e 25 prillit zbriti në kuotën e 24794 votave, pra me rreth katër mijë vota më pak. Rezultate të dobëta mori dhe Bashkia Divjakë, por dhe i gjithë qarku i Fierit në përgjithësi. Petro Koçi, pas zgjedhjeve do e shfaqte hapur pakënaqësinë ndaj të zgjedhurve vendorë dhe drejtorëve të emëruar prej tyre.
Të dyja këto bashki në zgjedhjet e 25 prillit ishin nën mbikëqyrjen e zëvendëskryeministrit Erjon Braçe. Në zgjedhjet e 25 prillit, Fatos Tushe është parë jo pak herë në krah të eksponentëve të PS-së, madje dhe vetë kryeministrit Rama më datë 21 prill, vetëm katër ditë pas zgjedhjeve. Sot, kur nuk janë mbushur ende tre muaj pas përfundimit të tyre ai duhet të përballet me drejtësinë, duke mos i dhënë as mundësinë e arrestit shtëpiak siç u veprua fjala vjen me eksponentët e lartë të policisë të përfshirë në trafikun e drogës.
MASAT E “ARRESTIT ME BURG”
Fatos Tushe, kryetar i Bashkisë së Lushnjës
Flamur Peqini, drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike
Ibrahim Lami, administrator i kompanisë “Loti” sh.p.k
Bujar Murati, administrator i kompanisë “Euro Alb”
Gazment Çela, punonjës i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike
Bektash Nexha, punonjës i Drejtorisë së Pasurisë Publike
Blerta Turku, zyrtare e Drejtorisë së Pasurisë Publike
Masat e “arrestit në shtëpi”
Xhemal Hasko, punonjës i Drejtorisë së Pasurisë Publike
Margarita Gjermeni, punonjëse e Drejtorisë së Pasurisë Publike
Andri Musho, punonjës i Drejtorisë së Pasurisë Publike
Ani Simoni, punonjës i Drejtorisë së Pasurisë Publike