Qeveria duket se është e bindur që për të luftuar korrupsionin është më e rëndësishme të ndërgjegjësosh qytetarët që ta denoncojnë atë, sesa të forcojë ligjet për dënimin e këtij fenomeni.
Ndaj për këtë qëllim, Ministria e Pushtetit Vendor ka krijuar një faqe të re në internet, ku qytetarët ftohen të denoncojnë çdo rast që i detyron ata për të dhënë para në këmbim të marrjes së një shërbimi nga institucionet shtetërore.
Stopkorrupsionit.al do të jetë faqja e re zyrtare, prej nga ku të gjithë qytetarët do të mund të denoncojnë online rastet e korrupsionit, duke nisur nga 15 janari. Ministri për Pushtetin Vendor, njëkohësisht koordinatori kombëtar kundër korrupsionit, Bledi Çuçi shprehet se portali i ri mund të shkarkohet dhe si aplikacion në celularë, për të denoncuar pa shumë burokraci zyrtarët e korruptuar.
“Vetëm një faqe dhe stopkorrupsionit.al i shkon atje, bën denoncimin tënd dhe kjo në mënyrë automatike, pa pasur nevojë të çosh shkresën, merr protokollin, ia çon titullarit e kështu me radhë. E gjithë kjo burokraci tashmë bëhet me një send, dërgo, ajo shkon automatikisht në adresën zyrtare të personave përgjegjës me detyrimin që brenda dhjetë ditëve të raportojnë se çfarë po bëhet me denoncimet “, – sqaron Çuçi një nga mënyrat e reja që mund të aplikohet nga qytetarët për problemet që kanë.
“Nëse ti ke problem ose do të denoncosh diçka që lidhet me drejtësinë, ke kuadratin ku thotë drejtësia, shtyp drejtësinë dhe të hapet formulari që është për denoncimin, ku ke mundësi të japësh të dhënat e tua ose të mbetesh anonim. Ke mundësi të daunlodosh video që ilustron denoncimin tënd dhe është shumë e lehtë për të identifikuar institucionit të cilit i drejtohet. Me të shtypur dërgo, ankesa shkon menjëherë në formë teksti në postën elektronike të personit përgjegjës që është i identifikuar kur ti identifikon fushën dhe institucionin, i shkon atij personit që merret me ndjekjen e kësaj, i shkon departamentit të antikorrupsionit në Kryeministri për hetime të mëtejshme nëse ka kushte dhe fakte që mund të çojnë në një hetim të mëtejshëm administrativ për të pasur denoncim të ardhshëm dhe i shkon titullarit të institucionit ndaj të cilit është bërë denoncimi”, – vijon sqarimin Çuçi.
Prokuroria do të hyjë në lojë vetëm nëse titullarët e institucioneve, pas denoncimeve online, vendosin të bëjnë kallëzim penal ndaj vartësve të tyre të korruptuar.
Po ashtu, nëse vetë qytetari, krahas denoncimit online, iu drejtohet dhe dyerve të organit të akuzës. Paralelisht, pranë Kryeministrisë do të ngrihet një zyrë e posaçme, e cila do të studiojë këto denoncime për efekt statistikash, si dhe do të sigurohet që ankesat e qytetarëve të marrin përgjigje brenda 10 ditëve.