Zbulohet gjimnazi ku u shitën për1 mijë euro 130 diploma, 4 zyrtarë të pandehur
Nga Leonard Bakillari
Prokuroria e Fierit zbardh skandalin në shkollën e mesme të Roskovecit, ku 130 persona kanë marrë diplomën pa qenë asnjëherë në shkollë. Drejtori i arrestuar Faik Beqaj, sipas prokurorisë, ka falsifikuar regjistrat duke iu dhënë vërtetimet e shkollës së mesme personave nga disa rrethe të vendit, të cilët më pas janë regjistruar në shkolla të larta publike, apo i kanë përdorur këto vërtetime edhe për t’u punësuar. Të pandehura edhe tre specialiste të Drejtorisë Arsimore Fier, të cilat nuk kanë verifikuar vërtetimet e drejtorit të shkollës.
Drejtori i një shkolle të mesme në rrethin e Fierit dhe tre zyrtare të Drejtorisë Arsimore janë marrë të pandehur nga prokuroria, pasi akuzohen për korrupsion, falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre. Faik Beqaj, drejtor i shkollës së mesme “Adem Vrapi” dyshohet se ka falsifikuar regjistrat duke pajisur me vërtetime të shkollës së mesme rreth 130 persona, që nuk kanë qenë asnjë ditë në këtë shkollë.
Ndërsa tre specialistet e Drejtorisë Arsimore Fier: Valbona Mitro, Mirela Emiri dhe Manushaqe Durmishaj, akuzohen për shpërdorim detyre, pasi nuk kanë verifikuar vërtetimet e lëshuara nga Beqaj. Sipas hetimit, këto vërtetime janë përdorur më pas nga personat e interesuar për t’u regjistruar në shkollën e lartë, kryesisht në universitete publike, si dhe për t’u punësuar në biznese private.
Gjatë hetimit të nisur në mars të këtij viti, ku prokuroria fillimisht urdhëroi arrestimin e drejtorit të shkollës së Roskovecit, është provuar se Faik Beqaj ka falsifikuar fletët e regjistrit, duke hequr persona që kanë kryer realisht shkollën dhe në vend të tyre ka shtuar persona me banim në rrethe të ndryshme të vendit. Prokuroria thotë se falsifikimi i regjistrave të shkollës provohet nga akt-ekspertimi nr. 10803 datë 31.10.2014, i cili tregon se fletët e regjistrit janë hequr dhe shtuar me dorë.
Falsifikimi i regjistrave
Hetimet për falsifikimet e dokumenteve në shkollën e Roskovecit kanë nisur në mars të këtij viti, pas referimit nga policia për Faik Beqajn. “I pandehuri, duke qenë në detyrën e drejtorit të shkollës së mesme ‘Adem Vrapi’ Roskovec, kundrejt marrjes së shumave 1000 apo 1500 euro, lëshon vërtetime shkollore të falsifikuara për persona të ndryshëm, të cilët nuk e kanë ndjekur realisht këtë shkollë.
Këto veprime të kundërligjshme, i pandehuri Faik Beqaj rezulton t’i kryejë, në sajë të mospërmbushjes së rregullt të detyrës nga ana e punonjëseve të Drejtorisë Arsimore Fier”, thotë prokuroria. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se drejtori i shkollës ka përpiluar vërtetime notash të falsifikuara për rreth 12 shtetas, ndërsa dyshohet se në këtë mënyrë kanë përfituar mbi 130 persona.
“Nga këqyrja me sy të lirë e regjistrit të amzës në shkollën e mesme ‘Adem Vrapi’ Roskovec, janë evidentuar minimalisht 134 raste ku fleta e regjistrit të jetë me ndërhyrje, duke e kthyer regjistrin e amzës së kësaj shkolle në një regjistër të pavërtetë”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Referuar aktit të ekspertimit rezulton se ndërhyrjet janë evidentuar në heqjen e fletës së regjistrit ku kanë qenë të regjistruar personat që realisht kanë kryer shkollën dhe në vend të saj është ngjitur një fletë regjistri e falsifikuar.
Në fakultet pa të mesmen
Sipas hetimeve të prokurorisë rezulton se vërtetimet e lëshuara nga drejtori i gjimnazit të Roskovecit janë përdorur për t’u regjistruar në universitet nga personat e interesuar. Një shtetase nga Përmeti dhe banuese në Tiranë është pajisur me vërtetim notash nga drejtori i shkollës së Roskovecit dhe më pas është regjistruar në Fakultetin Ekonomik në Tiranë. “K.T , lindur më 1982 në Përmet dhe banuese në Tiranë, është pajisur nga i pandehuri me vërtetimin e notave, që tregon se kjo shtetase ka kryer shkollën e mesme ‘Adem Vrapi’, Roskovec, vërtetim i cili është konfirmuar më pas edhe nga tre punonjëset e Drejtorisë Arsimore Fier.
Këtë vërtetim të falsifikuar, shtetasja K.T, e ka përdorur në shtator të vitit 2013, ku është regjistruar për të vazhduar studimet e larta me kohë të pjesshme në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës”, thotë prokuroria. Por ka dhe raste kur vërtetimet e shkollës së mesme janë përdorur për t’u punësuar në subjekte private. I tillë është rasti i shtetasit E.V, lindur në vitin 1983, i cili është pajisur me vërtetimin e shkollës së mesme nga i pandehuri Faik Beqaj, ku vërtetohet se shtetasi E. V. në periudhën 2000-2001, ka përfunduar shkollën e mesme “Adem Vrapi”, Roskovec. “Këtë vërtetim shtetasi E.V e ka përdorur më datë 19.03.2014 për t’u punësuar si punonjës shërbimi pranë një shoqërie të Ruajtjes Fizike të Objekteve në Fier”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Banues në Burrel, shkollën në Roskovec
Në 12 rastet e provuara të falsifikimit, pjesa më e madhe e tyre u përkasin personave që nuk janë banorë të rrethit të Fierit. Prokuroria ka mundur të provojë se shtetas që banonin në qytete të ndryshme të vendit janë pajisur me vërtetimin e shkollës së mesme në gjimnazin e Roskovecit. “R.L, lindur më 1981 në Burrel dhe banues në Burrel, është pajisur me vërtetim të falsifikuar notash më datë 09.11.2013, sipas të cilit rezulton se ky shtetas ka mbaruar shkollën e mesme “Adem Vrapi” në periudhën 2002 –2003.
“Nga këqyrja e regjistrit të amzës rezulton se shtetasi R.L, është bërë pjesë e regjistrit, i cili paraqet nxënësit që iu përkasin vitlindjeve pas vitit 1990, kur në fakt shtetasi R. L, rezulton i vitit 1981”, thotë prokuroria. Po ashtu, shtetasja E.Rr, lindur më 1982 në Vlorë dhe banuese në këtë qytet, rezulton të ketë përfunduar shkollën e mesme në vitin 2000-2001 në Roskovec. “Ky vërtetim i falsifikuar është konfirmuar nga ana e punonjëseve të Drejtorisë Arsimore Fier, Valbona Mitro, Manushaqe Durmishaj dhe Mirela Emiri”, thotë prokuroria. Ndërsa shtetasi A. SH, lindur dhe banues në Durrës, rezulton gjithashtu të ketë bërë gjimnazin në Roskovec, pasi prokuroria thotë se ndaj këtij personi është lëshuar një vërtetim notash, që tregon se A. SH. ka përfunduar shkollën e mesme “Adem Vrapi” në periudhën 2001-2002.
Zyrtaret e Arsimit në Fier: Firmosëm në mirëbesim
Tri specialistet e marra të pandehura nga prokuroria, kanë deklaruar se jo në çdo rast ato kryenin verifikimin e vërtetimeve me regjistrat e shkollave.
Tri specialistet e Drejtorisë Arsimore Fier, të ngarkuara me detyrën e verifikimit të vërtetimeve të disa shkollave të mesme të këtij rrethi, kanë deklaruar në prokurori se kanë firmosur në mirëbesim. Por pavarësisht këtij fakti, tre specialistet duhet të kryenin verifikimin e të gjitha vërtetimeve që vinin nga shkollat e mesme, detyrë të cilën sipas prokurorisë nuk e kanë realizuar në rastin e shkollës së mesme të Roskovecit.
“Nga shpjegimet e marra nga të pandehurat Manushaqe Durmishaj, Valbona Mitro dhe Mirela Emiri, rezulton i provuar fakti se këto tri punonjëse kanë qenë të ngarkuara me verifikimin e vërtetimeve të lëshuara nga drejtorët e shkollave përkatëse dhe se këtë verifikim duhet ta kryenin duke shkuar në shkollën përkatëse për të kryer ballafaqimin e të dhënave me regjistrat përkatës të shkollës”, thotë prokuroria.
Ato kanë pranuar faktin se jo në çdo rast kryhej verifikimi duke ballafaquar vërtetimet me regjistrat, pasi sipas tyre, në shumicën e rasteve vërtetimet konfirmoheshin në mirëbesim të firmës së drejtorit të shkollës. Prokuroria thotë se, nëse punonjëset e Drejtorisë Arsimore Fier do të kryenin verifikimet në vend, ashtu sikundër kanë patur për detyrë, do të konstatohej e gjithë kjo situatë e paligjshme dhe do të ishte shmangur e gjithë kjo pasojë. “Shumë persona kanë arritur të përfitojnë në mënyrë të paligjshme arsimimin që nuk e kanë kryer, duke përdorur më pas këto vërtetime për përfitime të tjera”, thotë prokuroria.
Por nga ana tjetër, një numri të njëjtë personash me ata që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme, u është cenuar e drejta e ligjshme e arsimimit, pasi edhe pse e kanë kryer shkollën, nuk figurojnë të regjistruar në amzën e shkollës së mesme në Roskovec dhe nuk arrijnë dot të sigurojnë vërtetimin përkatës. “Në këtë konkluzion arrihet pasi këto ndërhyrje në regjistër janë bërë me shqitje dhe ngjitje fletësh dhe janë lehtësisht të dukshme me sy të lirë. Ky fakt penal rezultoi i provuar nga këqyrjet, sekuestrot, përgjimet, ekspertimi teknike dhe grafik, si dhe deklarimet e personave që kanë dijeni për ngjarjen”, thotë prokuroria.
Të pandehur:
Faik Beqaj, drejtori i shkollës së mesme Adem Vrapi” , Roskovec, hetuar me masë sigurimi “arrest në burg”, akuzuar për “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funskione publike”, “Falsifikim të dokumentave shkollore”, nga personi që e ka për detyrë.
Valbona Mitro, specialist në Drejtorinë Arsimore Fier, hetuar me masën e sigurimit “arrest në burg” në mungesë, akuzuar për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim.
Mirela Emiri, hetuar në masën e sigurimit “ndalimi dhe detyrimi i qëndrimit në një vend të caktuar”, akuzuar për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim.
Manushaqe Durmishaj, hetuar në masën e sigurimit “ndalimi dhe detyrimi i qëndrimit në një vend të caktuar”, akuzuar për “shpërdorim i detyre” në bashkëpunim.
Disa nga përfituesit:
H.P lindur në Elbasan më 1981 është pajisur me vërtetim notash të falsifikuara në datë 10.02.2014, duke vërtetuar se ky shtetas ka mbaruar shkollën e mesme “Adem Vrapi” në periudhën 1999-2000. Ky vërtetim i falsifikuar është konfirmuar edhe nga tri punonjëset e Drejtorisë Arsimore Fier.
A.M, lindur dhe banuese në Peshkopi më 1981 është pajisur me vërtetim të falsifikuar notash në datë 10.02.2014, i cili konfirmon se kjo shtetase ka përfunduar shkollën e mesme “Adem Vrapi” në periudhën 1998-1999. Ky vërtetim i falsifikuar është konfirmuar edhe tri punonjëset e Drejtorisë Arsimore Fier.
F.Ç, lindur më 1983 në Tiranë dhe banues në Tirane është pajisur me vërtetim të falsifikuar notash më datë 20.02.2014, ku konfirmohet se ky shtetas ka mbaruar shkollën e mesme “Adem Vrapi” në periudhën 2000-2001. Ky vërtetim i falsifikuar është konfirmuar edhe nga tri punonjëset e Drejtorisë Arsimore Fier.
L.GJ, lindur më 1984 në Sarandë dhe banues në Sarandë, është pajisur me vërtetim të falsifikuar notash, sipas të cilit rezulton se ky person ka mbaruar shkollën e mesme “Adem Vrapi” në periudhën 2001-2002. Ky vërtetim i falsifikuar është konfirmuar edhe nga punonjëset e Drejtorisë Arsimore Fier.
Punonjesit e DAR te Fierit, nuk kane firmosur, ma merr mendja mua, pa verifikuar shkresen e drejtorit, por jane bashkefajtore, sepse kane qene te lidhur me drejtorin e shkolles se mesme te Roskovecit per te bere keto poshtersira. Te shihet edhe ne rrethe te tjera me keto abuzime, se jane krijuar amza fiktive nga drejtoret e shkollave per te dhene deftesa fallco ne bashkepunim ose jo me DAR te rretheve. Te shihen vitet e shkuara, sidomos shkollat bujqesore te kthyera ne gjimnaze, shkollat profesionale etj. Keni per te gjetur me dhjetra shkelje na amza qe nuk kombinojne me regjistrat e klasave. Falmeshndet nji ish …