Zgjedhjet në Kosovë, janë një leksion për Shqipërinë në shumë drejtime. Pjesmarrja e lartë do të thotë se është një sukses i politikës, ndryshe nga këtu ku sidomos rilindja ka krijuar një gjendje kenete dhe demotivimi të qytetarëve prej 8 vitesh tashmë. Edhe pse në kushte ngrice dhe pandemie, sërish më shumë kosovarë kanë shprehur verdiktin, krahasuar me zgjedhjet e fundit që ishin në tetor të vitit të shkuar.
Procesi nuk ka patur asnjë incident serioz, dhe nuk janë raportuar raste të manipulimit të votave. Askund nuk është parë të jetë ngritur mekanizëm si ai i dosjes 184, apo 339, ku shefi I madh kërkon realizimin e planit, dhe bosët lokalë u shtrëngojnë dhëmbët njerëzve, ose hapin thesin për të blerë e deformuar vullnetin e votuesve.
Një taskë forcë e prokurorisë ka qënë gjithnjë në gadishmëri për të shqyrtuar çdo kundravajtje.
Dhe, vetëm 1 orë e 30 minuta pas mbylljes së procesit të hedhjes së votës, KQZ ka nisur të publikojë rezultatet e para.
Po ajo çka ka treguar kaq shumë cilësi, është mundësia që u është dhënë për të votuar të prekurve me covid, ndërsa këtu tek ne qeveria bën me ta vetëm propagandë, dhe mundësisht u merr edhe çdo qindarkë të afërmve të tyre.
E këtu vjen edhe një tjetër leksion. Qytetarët janë ngritur në këmbë për të ndëshkuar keqqeverisjen. Të dhënat e para tregojnë se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani prijnë thellë, dhe të gjithë komandantët e luftës të marrë sëbashku, që kanë sunduar atje për shumë vite, nuk ja dalin as t’i barazojnë.
Mesazhi është; të qenit i vërtetë, dhe ndershmëria vlerësohet dhe shpërblehet. Vendosmëria, dhe përballja pa kompromis, çmohet.