Aktualitet

Kosova duhet të pezullojë pjesëmarrjen në dialog për një kohë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:35 - 26/06/20 |
Nga Augustin Palokaj

Kosova nuk është në situatë që të jetë e angazhuar në dialog me Serbinë në këtë moment. E nuk do të jetë edhe për një kohë. Kosova ka nevojë për një konsolidim të brendshëm politik, shoqëror dhe institucional. Dialogu deri tash ishte zhvilluar duke e vënë Kosovën në shërbim të dialogut e jo dialogun në shërbim të Kosovës.


Lajmi se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kreu i PDK-së Kadri Veseli kanë një propozim aktakuze nga Prokurori Special i ka befasuar shumë diplomatë në Bruksel. Jo pse këta janë akuzuar, por mënyra dhe koha se si kjo është bërë publike. Tash ata janë të shqetësuar se si do të rifillojë dialogu. Por ajo që ndodhi të mërkurën është një “game changer” që thonë në anglisht.


Nuk ka nevojë të hymë në analiza të dialogut të deritashëm. Por një gjë është e sigurt: asnjë person nuk i di të gjitha gjërat që kanë ndodhur deri më tash në dialog pos presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Dhe si rrjedhojë askush nuk di më shumë se ai se në cilin drejtim shkonin planet drejt marrëveshjes përfundimtare, qoftë me ndërmjetësimin e Brukselit apo të Washingtonit. Nuk dihet a ia ka përcjellë të gjitha gjërat që kanë ndodhur në këtë proces dikujt tjetër, përfshirë edhe ato që kanë ndodhur në takime “sy më sy”.


Tash e ardhmja politike e Thaçit është po ashtu në pikëpyetje sikur edhe pozita e tij si president. E në anën tjetër, nuk duket shumë e besueshme se Avdullah Hoti dhe qeveria e tij e kanë pjekurinë e duhur institucionale për ta përfaqësuar Kosovën në një dialog, nëse vërtet në atë dialog synohet ndonjë marrëveshje “historike”.


Pjesëmarrja e Kosovës në dialog, sikur asgjë nuk ka ndodhur, do të ishte sikur të hysh i lënduar në një ndeshje futbolli dhe atë me kartonë të verdhë e me referin që i jep përparësi kundërshtarit. Kosova tash është përsëri e identifikuar si një vend, prijësit e të cilit po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. E Serbia, ani pse ajo po shndërrohet në shtet autoritar, si një vend me qeveri stabile dhe konstruktive.

BE-ja publikisht nuk përmend vërejtjet që i di për Serbinë, siç janë glorifikimi i krimeve të luftës, angazhimi i kriminelëve të dënuar për krime nëpër akademi ushtarake dhe struktura shtetërore dhe mungesën e vullnetin për t’u përballur me të kaluarën. Pa marrë parasysh se çfarë mendon kush, për liderët që mund të akuzohen në Kosovë, është shumë e përfshirë ndjenja e padrejtësisë dhe këtë e ka shtuar vetë krijimi i Gjykatës Speciale. Sepse Kosova është i vetmi vend në rajon për të cilin është dashur të krijohet një gjykatë hibride, me seli jashtë vendit për të gjykuar krimet e supozuara edhe pse ka ekzistuar Gjykata e Hagës për Krimet e luftës në ish-Jugosllavi, Gjykata e UMNIK-ut, Gjykata e EULEX-it. Pra, të gjitha shteteve të tjera u besohet procedimi i krimeve të tilla, por jo edhe Kosovës.

Kosova ka humbur shumë deri më tash e kohëzgjatja e dialogut e ka bërë këtë humbje edhe më të madhe. Po ashtu, rezultatet e dialogut kanë qenë të mangëta ndërkohë që ai dialog është shfrytëzuar për të penguar njohjet. Sjellja e aktorëve politikë në Kosovë muajve të fundit ka qenë shumë kaotike.
Përballja me shumë sfida në të njëjtën kohë e ka keqësuar edhe më shumë atmosferën politike dhe ka thelluar edhe polarizimin në shoqëri. Është naive të besosh se Kosova ka një unitet dhe stabilitet të duhur për t’u kyçur në dialog.

Nga ana tjetër, mund të dalin edhe emrat e të akuzuarve të tjerë nga Gjykata Speciale. Sepse ajo edhe është krijuar me qëllim të ngritjes së aktakuzave dhe atë në nivelin e lartë të ish-udhëheqësve të UÇK-së. Në të njëjtën kohë, Kosova po përballet me rritjen dramatike të numrit të të infektuarve nga virusi korona. E pret një krizë e madhe ekonomike. Edhe në kushte normale dialogu nuk do të mund të ishte prioriteti kryesor. E tash është edhe më pak.
Kosova duhet të kërkojë sa më shpejt një unitet të plotë për dialog. Kosova duhet të mendojë për veten. Të përgatitet dhe të tregojë kur është gati për dialog.

Në këtë moment nuk është. Fakti se tash BE-ja është gati sepse ka një të dërguar të posaçëm, fakti se Beogradi tash është gati sepse Kosova i ka përmbushur kushtet e Presidentit të Serbisë Vuçiç, nuk janë argumente pse Kosova tash duhet të nxitojë për të hyrë në dialog në këto rrethana. Kosova duhet të jetë e sinqertë me miqtë. Duhet t’u tregojë se ka nevojë tash për kohë, për konsolidim të brendshëm, e pastaj do të lajmërohet vetë kur të jetë gati për dialog.


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas