Dikur

Kosova, “ku filloi dhe ku do të përfundojë”






               Publikuar në : 09:11 - 12/06/19 |
Nga Christopher R. Hill

Kujtimet e të dërguarit special amerikan për krizën e Kosovës, Rugovën, Milosheviçin e tentativat për të bindur partnerët e SHBA-së në NATO që Serbia po kryente masakra në popullsinë shqiptare dhe nevojitej ndërhyrje ushtarake


Nga Christopher R. Hill

Në pranverën e 1998-ës, Ballkani pati trazira të reja, këtë herë në Kosovë, provincë serbe me shumicë popullsie shqiptare, e cila nuk pranonte të udhëhiqej nga Beogradi. Serbët i referohen Betejës së Kosovës në qershor 1389 si më e rëndësishmja e kombit. Ata humbën ndaj Perandorisë Osmane, por kur historia tregohet, nëpërmjet Princit serb Lazar, identiteti serb supozojnë se lindi. Historia e vërtetë e betejës është mjaft e ndërlikuar. Për fillestarët, nuk është e qartë se kush luftoi për kë, megjithëse sipas disa historianëve ata që aktualisht quhen shqiptarë luftuan përkrah me serbët dhe të tjerët, kundër Perandorisë Osmane për pushtimin e Ballkanit dhe nuk ndodhi e kundërta, siç shpjegojnë serbët. Në fakt, në mesin e shekullit të pesëmbëdhjetë, shqiptarët, me në krye udhëheqësin e tyre Gjergj Skënderbeu, luftuan betejë pas beteje kundër pushtimit osman.

Çdo komb në Ballkan ka historitë e veta të luftës kundër pushtimit të Perandorisë Osmane, por, për serbët, historia e tyre duket sikur i eklipson të tjerët. Në dalje të qytetit Nis, katër orë në juglindje të Beogradit, shtrihet në majë të një kodrine me bar, një kullë e rrumbullakët rreth njëzet këmbë e lartë, ndërtuar nga turqit, tërësisht nga betoni poroz dhe mijëra eshtra që u përkasin viktimave të një kryengritjeje serbe në 1805. Marrëveshja e Paqes e Dayton-it, në Nëntor 1995 kishte rikonfiguruar atë që kishte mbetur prej Jugosllavisë, në një shtet që përbëhej prej dy republikash, Serbia dhe Mali i Zi. Brenda Serbisë shtriheshin dy provinca autonome, Kosova dhe Vojvodina. Si një pikë qendrore e historisë së përshkruar nga serbët, ata nuk do të lejonin që Kosova të bëhej republikë e pavarur, por do të qëndronte brenda Serbisë. Udhëheqësi historik i Jugosllavisë Tito, që t’i ndalonte Kosovës dhe popullsisë së saj të gëzonte të drejtat e saj, krijoi dy provincat autonome. Kosova do të kishte të gjitha të drejtat që gëzonin gjashtë republikat e Jugosllavisë, por këto të drejta dhe detyrime do të shpreheshin në formën e një province që i përkiste Serbisë. Për të evituar që Kosova të ishte e vetmja me një status të tillë, ai e bëri këtë gjë edhe me Vojvodinën. Kjo e fundit është pjesë e Serbisë, në veri të lumit Danub dhe historia e saj lidhet me fqinjin hungarez, pra me një popullsi dërrmuese hungareze. Me largimin e pushtuesve gjermanë, pas Luftës së Dytë Botërore dhe ardhjes së serbëve që kërkonin toka bujqësore, Vojvodina u asimilua më shumë nga serbët. Zgjidhja: Vojvodina do të gëzonte gjithashtu statusin e provincës autonome dhe ashtu si Kosova, do të ishte një nga tetë pjesët kushtetuese të Jugosllavisë. 151 Megjithatë Kosova nuk po gëzonte në realitet këto të drejta dhe presioni për një republikë të pavarur, u intensifikua pas Marrëveshjes së Paqes së Dayton-it, për Bosnjën, që reduktonin Jugosllavinë në një lloj Serbo-Sllavi. Kur Milosheviç shfuqizoi kushtetutën Jugosllave dhe nisi të përqendrojë pushtetin e dhënë më parë republikave dhe provincave, Kosova filloi të trazohet sërish. Shqiptarët ishin të mërzitur me faktin që çështja e tyre nuk ishte ngritur në bisedimet në Dayton, një pritshmëri pa baza, pasi procesi i paqes së Bosnjës nuk parashikonte përfshirjen e situatës së Kosovës. Unë isha i njohur me çështjen e Kosovës, pasi kisha punuar në Shqipërinë fqinje, në disa udhëtime në vitet 1994 dhe 1995, kisha kuptuar se ajo çështje e ndërlikuar nuk mund të mpleksej me problemin e luftës në Bosnjë. Mirëpo, kur shqiptaro-amerikanët filluan protestat në Bazën Ushtarake Ajrore Wright Patterson, mbi faktin se Kosova nuk përfshihej në agjendë, duke kërkuar të takohej me delegacionin negociator amerikan, Milosheviç i kërkoi Holbrooke-ut që unë të mos takohesha me ta. Nuk u habita, për faktin që Holbrooke ra dakord me kërkesën e tij, sepse ishte i fokusuar te Bosnja dhe dërgoi Rudy Perina, e ngarkuar në Ambasadën Amerikane në Belgjikë. Në pranverën e 1998-ës, ishte e qartë se, koha e Kosovës në Luftërat e Ballkanit kishte ardhur. Një udhëheqës Kosovar më tha “këtu filloi dhe këtu do të përfundojë e gjitha”. Shkaku kryesor ishte rritja e rezistencës së lëvizjes ushtarake kosovare, e cila po mundohej të zhvendosej prej aspiratave Gandiste paqësore për kërkimin e pavarësisë, të Ibrahim Rugovës. Pasardhësi i Holbrooke në Ballkan ishte John Kornblum, por me nisjen e krizës së Kosovës, në krye të detyrës ishte Bob Gelbard. Gelbard ishte një zyrtar i zgjuar i Shërbimit të Jashtëm, eksperienca e të cilit, përfshinte Amerikën Latine, që kishte të bënte me drejtues të lidhur me rrjete narkotike. Gelbard e bënte punën e tij me pasion, por fakti që kishte të bënte me liderë Ballkanikë, e bënte të kujtohej për eksperiencën në Amerikën Latine dhe t’i trajtonte liderët Ballkanikë si lordët e drogës. Qasja e Gelbard-it me bashkëbiseduesit ishte tërësisht e drejtpërdrejtë dhe e sinqertë. Në Shtetet e Bashkuara, të qenurit i drejtpërdrejtë dhe i qartë konsiderohen virtyt, sidomos në çështjet e rrethit publik. Por, për njerëzit rreth qark botës, mund të jetë diçka e ngatërruar. Sidomos në diplomaci, në aspekte të ndërmjetësimit, një koment pa takt, mund të jetë vdekjeprurës. Në shkurt 1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, (UÇK-ja) po shndërrohej në një forcë të madhe brenda vendit. Ajo kishte historinë e vet të ankesave, por ishte furnizuar gjer në dhëmbë me armë nga Shqipëria, e cila sapo kishte kaluar “rënien e skemave piramidale”. Në rastin e Shqipërisë, institucione financiare tërhoqën para nga publiku i gjerë dhe të cilët, në fillim përfituan shuma të mëdha. Por, shumë shpejt këto fitime filluan të bien, derisa u zhdukën nga qarkullimi. Me vendosjen e sanksioneve tregtare kundër Jugosllavisë, në 1992, nga Kombet e Bashkuara, mafia italiane erdhi, ndërsa kompanitë e naftës, që i nënshtroheshin sanksioneve u larguan.

Sasi të mëdha benzene dërgoheshin në brigjet shqiptare, duke mbërritur në portin e Vlorës dhe niseshin nga Shqipëria, në Liqenin e Shkodrës, për në Jugosllavi. Kontrolli i mafies në anijet e naftës krijoi mundësi për biznes dhe shumë shpejt, Shqipëria, u përfshi në rrjetet ndërkombëtare të mafies. Nuk ishin skema si ato Ponzi, sikurse ishin etiketuar nga media ndërkombëtare, por më shumë lehtësira për pastrim parash, një mashtrim që iu krye shqiptarëve “naivë” e të paditur, që për herë të parë provonin shijen e kapitalizmit. Pas Marrëveshjes së Paqes së Dayton-it në nëntor 1995, marrëdhënie normale tregtare u vendosën me Jugosllavinë dhe u përforcua pastrimi i parave në Shqipëri, kryesisht nga kontrabanda e benzinës, që nisi të bjerë rreth viteve 1996- 1997, dhe pjesa dërrmuese e parasë lëvizi tjetërkund. Me rënien e skemave të investimit në fillimet e 1997-ës, trazira civile shpërthyen në disa prej qyteteve shqiptare. Në mars, Shqipëria u shndërrua në kaos total, ndërkohë që qytetet ranë në duar të bandave të armatosura, që financoheshin mirë. Armët qeveritare ishin plaçkitur dhe ambasadat perëndimore filluan të evakuonin qytetarët e tyre. Ambasadori Amerikan në Tiranë shtyu evakuimin e qytetarëve amerikanë, me shpresën e qetësimit të situatës. Megjithatë, si përfundim u detyrua ta bënte evakuimin me një helikopter të momentit të fundit, për nëntë qind qytetarë amerikanë, në një ditë që u shndërrua një ndër më të rrëmujshmet dhe të dhunshmet e kohës. Që nga Maqedonia, shihja se si qeveria shqiptare ishte drejt rënies. Në atë kohë, qetësia po vendosej me ndihmën e trupave italiane, pasi rreth tre milionë armë ishin plaçkitur, shumë prej tyre ishin shitur bandave në Kosovë, një pjesë e të cilëve do të përfshiheshin si elementë të UÇK-së. UÇK-ja operoi në mënyrë sporadike në 1996-ën, por në 1997-ën, sulmet ndaj forcave të sigurisë serbe u rritën dhe u bënë më vdekjeprurëse. Forcat serbe kundërvepruan dhe shumë shpejt Kosova u bë arenë lufte. Në Maqedoni, njerëzit shihnin të alarmuar atë që po ndodhte me Kosovën, e cila po shndërrohej në kaos.

UÇK-ja rendiste në radhët e saj patriotë, por edhe ish-kontrabandistë dhe banda të armatosura, dhe ishte e kujdesshme me privatësinë e liderëve të saj dhe politikat që ndiqte. Ky nivel privatësie dhe sekretesh, çoi në krijimin e miteve të tilla që thoshin se ushtarët e UÇK-së ishin terroristë islamikë, ose luftarakë guerilas marksistë, apo të dyja bashkë, sipas imagjinatës shterpë të atyre që urrenin shqiptarët. Një fakt ishte i qartë: Udhëheqja e Ibrahim Rugovës nuk bënte më, shumë përshtypje tek UÇK-ja. Pjesërisht, kjo bazohej në disa struktura klanore të Kosovës. Këtu përfshiheshin edhe faktorë rajonalë, por kryesisht po rritej perceptimi publik se Partia Demokratike e Rugovës (LDK) ishte e korruptuar dhe neglizhonte ndaj nevojave të komunitetit, një reputacion që rritej edhe me ardhjen e organizatave joqeveritare perëndimore, të cilat kishin mbyllur ciklin me Bosnjën dhe ishin zhvendosur tashmë në Kosovë. Shtetet e Bashkuara, për një kohë të gjatë e kishin cilësuar Rugovën si lider të aspiratave politike kosovare. Për herë të parë unë e takova në rezidencën e ambasadës amerikane në Beograd, në korrik 1989, disa ditë pasi Milosheviç bëri vizitën e tij famëkeqe në Kosovë, për gjashtëqind vjetorin e betejës së madhe, një ngjarje që çoi serbët në luftë. Rugova ishte një akademik i qetë, i cili nuk shquhej që në fillim si politikan, por se me shumë takt më foli për procesin hap pas hapi, në të cilin kosovarët kishin hyrë, duke më shpjeguar mendimin që po përpunohej nga një klane akademike në mënyrë private, dhe se lëvizja e tij ishte themeluar. Rugova nuk kishte shpresa tek Milosheviç por ishte i gatshëm të takohej me të, nëse do të duhej për të arritur rezultate më të mira. Në Ballkan një territor kaq i vogël, nuk ka sekrete, por ishte e qartë se, qëllimi i Rugovës ishte pavarësia e plotë, asgjë më pak. Ndaj, ishte i qetë dhe i durueshëm në mënyrën se si do të arrinte qëllimin e tij. Por thelbësore, ishte se ai dhe pjesa dërrmuese e Shqiptarëve të Kosovës ndanin një ndjenjë të përbashkët besimi tek Shtetet e Bashkuara. Në shkurt 1998, i Dërguari Special Gelbard, me një përpjekje të gabuar gjoja të paanshme, kritikoi aktivitetin e policisë Serbe në Kosovë, por kaloi kufirin duke thënë se UÇK-ja ishte një grup terrorist, gjë që ndodhi pas një takimi me dy anëtarë të saj. “Unë e njoh një terrorist që në pamje të parë dhe këta burra janë terroristë” Deklarata e Gelbard-it mbi terrorizmin solli tensione brenda Kosovës, pasi shkaktoi shqetësime, se serbët do ta shihnin këtë si një dritë jeshile për të sulmuar UÇK-në, kudo që mund t’i gjenin ata. Në fakt, autoritetet serbe kishin kohë që e shihnin UÇK-në si organizatë terroriste, e nëse komentet e Gelbardit kishin ndonjë ndikim në këtë situatë, kjo është e dyshimtë.

Por, brenda disa javësh, serbët u drejtuan për në luginën e Drenicës, në zemrën e UÇK-së dhe sulmuan shtëpinë e komandantit Adem Jashari, duke vrarë atë dhe të gjithë familjen e tij, prej gjashtëmbëdhjetë personash, përfshirë fëmijët. Sulmi serb u dënua ndërkombëtarisht, por denoncimi i jashtëzakonshëm i veprimit nga ana e Gelbardit, që ndihej i frustruar prej faktit se mund të kishte sadopak ndikim në këtë situatë, drejtohej në mënyrë të theksuar dhe të fortë ndaj Milosheviçit. Një i dërguar, për të cilin, aksesi te të gjithë palët është thelbësor, nuk e ka luksin që gjithmonë, të shprehet publikisht. Kjo detyrë i lihej personave të caktuar në Washington, të cilët udhëtonin pak dhe kishin ekskluzivitet aksesi ndaj diktatorëve të Ballkanit. Më thanë se, Gelbard pati probleme me Milosheviçin gjatë një takimi, ku dhe gjuajti me grusht në tryezë. Ai lavdërohej në Washington për të qenurit i drejtpërdrejtë, por në Beograd i treguan derën dhe nuk iu caktua kurrë më një takim. Situata në terren, po përkeqësohej dhe administrata Klinton, nuk kishte askënd, që mund të takonte Milosheviçin. Për shumë persona, si “negociatorët liberalë” dhe ashtu edhe në lëvizjet neokonservatore, mungesa e kontaktit me një diktator ishte një disavantazh i madh. Por, Sekretarja e shtetit, Madeleine Albright, që zëvendësonte Warren Christopher në 1997-ën, e dinte mirë, nga ditët si ambasadore e Amerikës në Kombet e Bashkuara, se çfarë mendonin kolegët europianë mbi ndërhyrjen në mbrojtje të kosovarëve, rasti i të cilëve shihej si separatizëm i drejtpërdrejtë dhe që mund të implikonte raste të ngjashme në kontinent, si në Spanjë apo Irlandën e Veriut. Albright mendonte se Milosheviç ishte njëri i vështirë, e dinim se, sado e vështirë të ishte kishim nevojë për një të dërguar të fuqishëm që të mund të bisedonte me të dhe të ndiqte rrugën e negociatave derisa ajo të qartësohej, ose do të mund të bëhej e qartë për aleatët dhe partnerët tanë në këtë proces, se ishte e vështirë të bëhej progres. Herët në maj, Sekretarja Albright më telefonoi në Shkup dhe më pyeti nëse, përveç detyrës si Ambasador në Maqedoni, mund të isha i dërguar me kohë të plotë në Kosovë. Nuk u habita nga telefonata, pasi isha informuar dhe e prisja. Dija se kjo nënkuptonte se në ndarjen e detyrave të mia do kaloja më shumë kohë në Kosovë sesa në Maqedoni. Shqetësohesha për suksesin e misionit të paqe vënies midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Diplomacia është i ngjashëm me bejsbollin. Nëse je i suksesshëm një në tre gjuajtje, je mirë. Sidoqoftë, i dhashë Sekretares përgjigje pozitive. Përveç kësaj, nuk është se mund ta refuzoja kërkesën e saj. Pasi më shpjegoi situatën e vështirë, të Gelbard me Milosheviçin (Holbrooke tashmë më kishte treguar gjithçka në detaje me zell), Albright më tha se, i kishte kërkuar Gelbard-it të fokusohej në zgjedhjet elektorale në Bosnjë. Ajo më kërkoi të shkoja në Londër, të takohesha me Holbrooke, i cili, megjithëse në sektorin privat, ishte këshillues i administratës ( dhe do të bëhej brenda vitit ambasador në Kombet e Bashkuara, në vend të Bill Richardson). Pasi u takuam në Londër, u nisëm drejt Beogradit, ku Holbrooke do të më prezantonte për herë të dytë me Milosheviçin. Dick kishte qenë jashtë loje për rreth dy vite. Kishte bërë shumë më tepër para në sektorin privat të skive, kur dhe më shpjegoi përgjegjësitë e tij. Është e qartë se e pëlqente faktin se do të rikthehej dhe mezi po priste të takonte Milosheviçin. Milosheviç na përshëndeti të dyve si dy miq të vjetër. Ndërkohë, që u nisëm drejt Pallatit të Bardhë në Beograd, ai bëri një shtrëngim duarsh me të dërguarin me punë Richard Miles. Milosheviç fajësonte gjithmonë diplomatët, nëse kishte ndonjë problem me një vend tjetër, dhe ai e dinte se kishte probleme me ne. Ai na tregoi karriget tona dhe filluam të rikujtonim kohët e vjetra të kaluara në Dayton; ndërkohë, unë dhe Dick po mendonim se si po e merrte gjithë këtë situatë Richard-i. Praktikisht, desh ramë nga karriget, kur Milosheviçi bëri një shaka mbi artikullin e tij me një anglishte pa parafjalë: E di kush ishte pjesa më e rëndësishme e marrëveshjes në Dayton?” Ai po kujtonte vështirësitë që patëm me Izetbegoviç, gjatë orëve të fundit të stoicizmit të tij. “Amerikanët”,-tha ai, “më në fund mësuan të jetojnë me Myslimanët!” Më pas, lideri Serb qeshi me fjalinë e tij. Unë dhe Holbrooke e injoruam dhe Dick vijoi: “Zoti President, Presidenti Klinton, Sekretarja Albright, dhe unë”-hmm- “kemi vendosur të emërojmë Ambasadorin Hill”- Nuk e kisha atë titull kur e kisha takuar për herë të fundit Milosheviçin dhe ai më pa mua, duke tundur kokën me aprovim, për statusin tim të ri- “si të dërguarin tonë në zgjidhjen e krizës së Kosovës”. “Hodha sytë nga Milosheviç. Me qëndrimin drejt, me dorën e djathtë mbi gju, Milosheviç u përgjigj “Zoti Richard Charles Albert Holbrooke”- duke shijuar faktin se ishte ndër të paktët, që dinin emrin e plotë të Holbrooke, – “Nuk ka asnjë krizë”. Ka thjesht disa shqiptarë separatistë, për të cilët media amerikane ka qejf të flasë dhe me të cilën shërbimet tona të sigurisë po merren. Mos e shqetësoni veten për një krizë. “Sidoqoftë”- vijoi Dick, “Ne besojmë se situata po bëhet serioze dhe ka nevojë të adresohet si problem, dhe ne shpresojmë se mundemi”. “Zoti Holbrooke, nuk kemi nevojë për një të dërguar. Kosova është pjesë e Serbisë. Është një problem i brendshëm. Serbët nuk do të pranojnë një të huaj, të merret me problemet e tyre të brendshme. A nuk e dini se në 23 Prill, u mbajt një referendum dhe nëntëdhjetë e pesë për qind e serbëve refuzuan në mënyrë absolute ndërmjetësimin e huaj për zgjidhjen e krizës së Kosovës? Por, mund t’ju them se Ambasadori Chris”- pushoi për të parë dhe qeshi, teksa unë u përkula pak- “është i mirëpritur të më takojë dhe të shkojë ku të dëshirojë në Kosovë”. Pavarësisht kundërshtimeve të Milosheviç-it se nuk kishte nevojë për ndërmjetësues, unë vijova punën si i tillë megjithëse nuk kisha ndjenjën e një arritjeje të madhe. Sipas bisedës, fillova të mendoj se nuk ishte në interesin tim apo të askujt tjetër, që Holbrooke të perceptohej si i dërguar, veçanërisht pasi zyrtarisht, ai nuk ishte duke punuar për qeverinë në atë kohë.

Ndalimi ynë i radhës ishte Kosova. Holbrooke nuk i njihte pjesëmarrësit, ndaj mendova se duhej t’ia prezantoja. Vizituam Rugovën në zyrat e shkatërruara të LDK-së, me liderët e tjerë, duke përfshirë Fehmi Agani, zv.presidentin, si dhe përkthyesin e Rugovës. Ky i fundit, në mënyrë të dukshme, hodhi dritë mbi perspektivën e një të dërguari Amerikan pranë Shkupit, që do t’i përkushtohej tërësisht Kosovës dhe jo Bosnjës. U takuam me Rugovën atë pasdite në shtëpinë e tij. Ai e mbante gjithmonë ndezur televizorin ndërkohë që priste njerëz. Në fillim mendova e bënte për shkak të përgjimeve serbe, por më pas, arrita në përfundimin se thjesht kishte qejf ta mbante TV-në ndezur. Holbrooke propozoi një ide që e ndoqëm me Milosheviçin ditët e mëparshme. “A do të vinit në Beograd dhe të takoheshit me Presidentin Milosheviç?” Rugova nuk ishte i interesuar dhe filloi të shprehë ngurrim, por para se të caktoja takimin e radhës, Holbrooke hodhi një ide tjetër: Pas vizitës në Beograd, a e dini se Presidenti Clinton do të ishte i interesuar t’ju takonte në Shtëpinë e Bardhë.” Ky ishte truku i vjetër diplomati, ku bashkë me elementët e vështirë përfshije edhe elementë që sillnin një kënaqësi të veçantë. Por sigurisht, askush në Washington nuk dinte gjë mbi një takim të tillë. Ato nuk ofroheshin aq lehtë, ishin “qershia mbi tortë”. Ata që përcaktonin agjendën presidenciale- njerëz të cilët thonë jo i vjen natyrshëm- janë pothuajse po aq të fuqishëm sa personi, agjendën e të cilit ata kontrollojnë. Por, Holbrooke po ngjitej lart në vitet që pasuan Dayton dhe me shumë gjasa ai mund ta realizonte. Në 15 maj, shkova në Beogad për të qenë afër, kur Rugova të takonte Milosheviçin për një takim jo-përfundimtar. Në 28 maj, Rugova u takua me Presidentin Klinton në një Zyrë Ovale (për një mbledhje tjetër jopërfundimtare). Çështja këtu, nuk ishte, të takoje njerëz, siç u mundova t’ia shpjegoj Holbrookeut. Problemi qëndronte tek fakti se, Rugova po humbiste influencën ndaj UÇK-së. Takimi i tij me Presidentin Clinton dhe me Milosheviç, nuk do të ndryshonte situatën. Në qershor, nisa shkoja sa në Kosovë, ashtu edhe në Beograd, në një përpjekje për të gjetur një terren të përbashkët midis Shqiptarëve dhe Serbëve, në formën e një statuti të përbashkët, që mund të ruante autonominë e Kosovës dhe të caktonte një bazë për negociata. Departamenti i Shtetit më dërgoi Tina Kaidanow, një zyrtare jashtëzakonisht profesionale, fluente në serbisht nga detyra e saj e mëparshme në Beograd. Përfshiva në skuadër gazetarin e atashuar në Ambasadën e Shkupit, Phil Reeker. Tina dhe Phil erdhën me mua në të gjitha udhëtimet, ndërkohë Zëvendës Shefi i Misionit Paul Jones drejtoi Ambasadën në Shkup. Bashkimi Europian caktoi gjithashtu një negociator, një diplomat inteligjent dhe të mirënjohur, Ambasadorin Austriak në Belgjikë, Wolfgang Petritsch. Ai ishte nga një vend fqinj si Austria dhe njëkohësisht, kishte origjinë nga Sllovenia. Wolfgang e njihte Ballkanin shumë mirë. Ishte kënaqësi të punoje me të. Ai kuptonte komplikacionet e historisë, pasojat e Perandorisë Osmane dhe ndikimin e kishës kombëtare në identitetin e vendit, mitizimin e Serbëve mbi Kosovën, por njëkohësisht, rëndësinë e Kosovës për serbët. Ai ishte i zgjuar, i përkushtuar, i rafinuar dhe punonte mirë me këdo. Isha i lumtur që e kisha pjesë të ekipit dhe që kisha Europianët, si partnerë, në të gjithë procesin. Në fund, qëllimi ishte të bashkoja Ballkanin me Europën, një projekt që kishte qenë disi i dukshëm, se Bashkimi Europian, kishte nevojë të ishte pjesë e projektit. Negociatat që po mbyllnim, unë dhe Wolfgang (gjatë itinerareve ditore të ndryshme, gjithmonë të koordinuara me telefonata dhe takime të vazhdueshme) u zhvillua në një kontekst shumë të vështirë në terren.

Brenda pak ditësh, nga takimi me Clinton, rreth njëzet shqiptarë të Kosovës u vranë, si një shpagim ose hakmarrje për vrasjen e një polici Serb në Glogovac. Procesi i paqes së Dayton-it i dha fund luftës në Bosnjë, megjithatë shumë njerëz besonin se në realitet ishin sulmet e NATO-s, dhe nuk kuptohej çfarë diplomacie po ndiqnim dhe pse trupat e NATO-s nuk ndërhynin. Diplomacia jonë shihej thjesht si një zgjatim i fuqisë sonë. Në Washington aleancat jo të zakonshme midis liberalëve dhe neokonservatorëve kërkonin të veprohej. Në një prej mbledhjeve, e gjeta veten përballë Paul Wolfowitz, i cili vështirë se gjente ndonjë problem që nuk e zgjidhte me ndonjë bombë, apo Mort Abramowitz, ish Drejtor i Fondacionit Carnegie, që vështirë se kishte ndonjë shtet në Ballkan që s’donte ta shihte të pavarur. Ata po bashkonin forcat, për t’i bërë presion qeverisë Amerikane, megjithëse vinin nga perspektiva të ndryshme. Ndjesia triumfale e SHBA-së në vitet 1990 ishte e dukshme. Pavarësisht, sa guximtarë dhe të vendosur, ishte kapaciteti ynë për të zgjidhur zakonisht me forcë, ndër dekada apo shekuj historie të vështirë. Ata që nuk ishin pjesë e këtij botëkuptimi, kishin ngelur në të shkuarën, të pazotët për të kuptuar paradigmën e re të “Shekullit të Ri Amerikan”. Kështu, Ballkani me trashëgimin e tij historike, do të ishte vendimtar në këto instrumente të së duhurës dhe të së drejtës…

S’kishte diskutime mbi suksesin e Marrëveshjes së Dayton-it, falë pjesëmarrjes amerikane. Por megjithëse, ne u përpoqëm për të ndarë suksesin me të gjithë anëtarët e Grupit të Kontaktit nga Evropa, paguam një çmim atje, për zgjidhjen e rindërtimit, faturë që i takonte Evropës, ndërsa ne prisnim një tjetër luftë. Nuk do të ishim të suksesshëm në përfundimin e dhunës në Kosovë, nëse nuk do të kishim punuar me Europianët. Nëse do të kishte një luftë tjetër, na duhej Europa, në anën tonë. Ndërkohë që vera e pluhurosur e Ballkanit të vitit 1998-ës kalonte, po kuptoja se të vendoseshin bashkë në një tryezë, serbët dhe shqiptarët, dukej më i largët.

Shqiptarët kishin vetëm një gjë në mendje: NATO, pra SHBA-ja të ndërhynte, ushtarakisht. Ai që ishte një konflikt me intensitet të ulët, u shndërrua në një luftë me nivel të ulët inteligjence, sepse Serbët, herë pas here, kundërpërgjigjeshin me provokime të dhunshme dhe brutale, çka dokumentohej dhe rriste, nga ana tjetër, simpatinë për rastin e Kosovës. Për të mbrojtur popullsinë civile nga sulmet Serbe, nisa një përpjekje me Milosheviçin, për ta bindur të pranonte një mision ndërkombëtar vëzhgimi. Ai refuzoi. “Por ju lejoni diplomatë të akredituar në vendin tuaj, për të vizituar Kosovën.”- theksova. “Po, por ata janë diplomat të akredituar në vendin tonë. Ata nuk janë monitorues ndërkombëtarë.” “Por, a nuk janë ata të lejuar të raportojnë çfarë shohin në Kosovë?” “Patjetër”. “A mund të shkojnë si grup?” “Po, patjetër, varet prej tyre.” “Atëherë, a mund t’i quajmë “Misioni Vëzhgues Diplomatik i Kosovës”? “Është puna juaj si i quani”. Më tej, u krijua misioni vëzhgues, që do të përfshinte rreth dy mijë diplomatë. Unë isha ndër të parët që e vizitoi Kosovën, me këtë status.

Teksa shkoja në një rrugë në jug të Pejës, një qytet i madh në perëndim të Kosovës, kuptova arritjen e madhe të krijimit të këtij misioni. Teksa kalova një rresht me shtëpi shqiptare të braktisura, banorët e të cilëve ishin nisur maleve, dëgjova një shpërthim të vogël pas një shtëpie, disa metra më tutje. U tërhoqa mbrapsht dhe pashë shtëpinë nën flakë. Ishte sikur serbët po na thoshin “Përshëndetje anëtarë të misionit, vëzhgojeni këtë!”

Rugova kish qenë lideri de facto i Shqiptarëve të Kosovës për më shumë se një dekadë dhe sigurisht, nën këndvështrimin tim, meritonte të trajtohej me respekt. Por, ai po etiketohej në Washington si i paefektshëm dhe më së shumti, si një person që s’kishte lidhje me armët. Në majin e vonë, Gelbard mori një hov, duke takuar një anëtar të UÇK-së në Gjenevë, në atë kohë, kur unë dhe Holbrooke kishim një takim me Rugovën. Çështja ishte se, ne ishim lajmi i së djeshmes, ndërkohë Gelbard ishte me njerëzit e duhur. Por ndërkohë, që unë dhe Dick u drejtuam për në tokën Kosovare, para se të kthehej në SHBA, shkuam në një qytezë në jugperëndim të provincës së quajtur Junik, që kish qenë qendra e dhunës. Fshatarët na ftuan në një fermë, ku u ulëm në tokë me gota çaji turke me sheqer të fortë, të dëgjonim atë që kishin për të na thënë njëzet fshatarët. Disa minuta më vonë, një ushtar i UÇK-së, që i ngjante Che Guevara-s u bashkua me ne, me një uniformë ushtarake kamuflazhi dhe u ul pranë Holbrooke. Kishte shumë pak hapësirë në dhomë dhe botës që e shihnin në internet, ai dukej se ishte ulur pranë këmbëve të Holbrooke. Ai kuptoi se megjithëse, kjo shënonte një pikë plus ndaj Gelbardit, mund t’i shkaktonte probleme me Milosheviç-in, të ngjashme me ato të Gelbardit, para disa kohësh. Holbrooke më kërkoi, të kthehesha në Beograd ditën tjetër, për të takuar Milosheviç-in dhe ta siguroja se hyrja e “Che”-s në atë dhomë ishte tërësisht e papritur. Ditën tjetër, Milosheviç u ngrit pa dëshirë për të më përshëndetur, ndërkohë që u ulëm, më hodhi tek gjunjët gazetën dhe tha: “A e di se sa e ndërlikuar është tashmë kjo situatë për mua? Unë dëshiroj të punoj me ty dhe Deek”. Siç e quajti Dick, “por njerëzit në Serbi janë të inatosur tanimë. Shumë të inatosur”. I shpjegova se, pavarësisht asaj fotoje me ushtarin e UÇK-së, ulur pranë Holbrooke, ne nuk kishim gisht. Theksova se ndërmjetësit duhet të flasin me të gjithë palët. Ai më ndërpreu, duke thënë diçka që e dinim tashmë, se kjo nuk do të na ndihmonte as me Rugovën. Por, më në fund dukej sikur do të lëshonte pe. Ai kishte parë edhe raportin për takimin e Gelbardit dhe arrinte të perceptonte (saktësisht) se kishte një nivel konkurrence midis Gelbard dhe Holbrooke. Komenti i tij për këtë rast ishte: “më pëlqen Deek, por për hir të karrierës, ai do të hante fëmijë të vegjël për mëngjes”.

*Marrë nga libri “Pararojë- jeta në vijën e frontit të diplomacisë amerikane” nga Christopher R. Hill, diplomati amerikan i emëruar për zgjidhjen e krizës së Kosovës 


Etiketa: , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

CLOSE
CLOSE
Pas