Aktualitet

Kosova nderon ish senatorin Bob Dole














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 00:45 - 06/12/21 |
mapo.al

Kosova nderon ish senatorin Bob Dole

Në Kosovë, shumë personalitete reaguan me pikëllim pas lajmit për vdekjen e ish senatorit amerikan, Bob Dole, roli i të cilit vlerësohet i pazëvendësueshëm për zhvillimet politike që çuan në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.






I Ngarkuari me punë në ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas J. Giacobbe, shkroi se “ndërsa vajtojmë humbjen e nëpunësit publik dhe të burrështetasit të lartë, senatorit Bob Dolet, ne kujtojmë kontributin e tij të pazëvendësueshëm për Kosovën dhe punën e tij për avancimin e lirive demokratike në mbarë botën. Shërbimi i tij le të jetë frymëzim për ne dhe gjeneratat e reja të amerikanëve dhe qytetarëve të Kosovës”, shkroi ai.


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh e pikëlluar me lajmin për vdekjen e senatorit Bob Dole.







“Një hero lufte, një politikan i respektuar dhe një mbështetës i lirisë në të gjithë botën. Por në veçanti, jemi mirënjohës që ai gjithmonë ka qëndruar pranë popullit të Kosovës në luftën tonë për pavarësi. U prefsh ne paqe mik i dashur”, shkroi ajo.




Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u shpreh e pikëlluar thellësisht për “humbjen e njërit prej miqve më të ngushtë të Kosovës – një përkrahës dhe mbrojtës i vendosur për pavarësinë e Kosovës, Senatorit Bob Dole! Ngushëllimet e mia të sinqerta familjes së tij, Shteteve të Bashkuara dhe miqve të tij në Kosovë! Bob, trashëgimia jote është e një njeriu të madh!”, shkroi ish presidentja Jahjaga.



I pikëlluar u shpreh edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “U shprehim ngushëllime të përzemërta familjes Dole dhe kombit amerikan, teksa vajtojmë dhe nderojmë një hero amerikan dhe një përkrahës të padiskutueshëm të lirisë së Kosovës. U preftë në paqe”, shkroi ai.

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Harafinaj, shkroi se “Senatori Dole mbetet një nga figurat kryesore që identifikon rrugën e Kosovës drejt shtetësisë. Ai ishte një nga politikanët e parë që njohu luftën tonë për liri dhe e udhëzoi Kosovën drejt asaj që jemi sot. Pusho i qetë Bob. Do të na mungosh!”, shkroi ai.

Në një shesh me emrin e ish senatorit Bob Dole në Prishtinë, ngrihet edhe busti i tij, në shenjë nderimi për rolin që luajti rreth çështjes së Kosovës.

Në gusht të vitit 1990, ish senatori Bob Dole së bashku me disa senatorë të tjerë vizitoi Prishtinën, që ishte vizita e parë e një zyrtari të lartë amerikan në Kosovë.

Ai zhvilloi takime me përfaqësuesit e shqiptarëve, në një kohë kur Kosovës i ishte hequr autonomia dhe ishte vënë nën gjendje të jashtëzakonshme nga autoritetet e Serbisë.

Më 12 qershor të vitit 2020 në një manifestim me rastin e përvjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që i dhanë fund luftës gati dyvjeçare, ish senatori Dole, tha nëpërmjet në videomesazhi se ishte “i lumtur që kam qenë pjesë e kësaj historie dhe kam bërë çfarë kam mundur që të jem i dobishëm por ishin kryesisht njerëzit e vendit tuaj të madh që e kanë mundësuar këtë. Jam këtu për çdo gjë që do të keni nevojë dhe nëse mund të ju ndihmoj vetëm më thoni”./VOA

4



Pas