Kosova u stërvit për herë të parë këtë mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri” ku nisi përgatitjet për dy ndeshjet eliminatore, e para ndaj Suedisë në Solna dhe e dyta në shtëpi ndaj Gjeorgjisë.
Në konferencën për shtyp, trajneri Bernard Challandes theksoi edhe njëherë se ekipi i tij duhet të shfrytëzojë çdo rast që i jepet mundësia teksa pranoi se do të jetë shumë e vështirë ndaj nordikëve.
“Suedia është ekip shumë i vështirë për kundërshtarët dhe veçanërisht kur luan në shtëpi. Të gjithë kundërshtarët kanë probleme me Suedinë sepse është ekip i fortë. Për ne do të jetë e vështirë ta luajmë futbollin tonë. Do të jetë ndeshje e vështirë me duele të forta dhe fizike. Tani është koha për të treguar se çfarë mund të bëjmë. T’i tregojmë cilësitë tona me topin njëlloj sikur Spanjës por me shpresën se do të shënojmë. Por pres ndeshje të vështirë me Suedinë”.
Trajneri Challandes theksoi se Kosova nën drejtimin e tij ka bërë ndeshjen më të mirë ndaj Spanjës dhe aty duhet të jetë pikënisja e tyre ndërsa paralajmëroi se do të ketë afrime të tjera në skuadër edhe pse sipas tij disa lojtarë nuk e kanë prioritet Kosovën.
“Ndeshja me Spanjën ishte më e mira që prej se unë jam këtu. Mund të mos pajtoheni por ishte ndeshja më e mirë e jona sepse kemi luajtur kundër njërit prej ekipeve më të mira në botë. Cili ekip ka pasur më shumë raste se Spanja në 10 ndeshjet e fundit? Asnjë ekip, i kam parë ndeshjet. Domgjoni është lojtar me cilësi dhe e mirëpres dhe për të ardhmen mund të kemi prurje të tjera, gjithmonë mundohemi të sjellim lojtarë. Shumë lojtarë të rinj që luajnë për ekipet U-21 të shteteve te tjera, presin se çka do të ndodhë me ta. Ndoshta e ëndërrojnë Gjermaninë apo Zvicrën, apo ndonjë Kombëtare tjetër. Por, ky është realiteti dhe ne duhet ta pranojmë atë dhe të presim”, deklaroi trajneri Challandes.