fbpx

Aktualitet

Kosova rrezikon të mbetet jashtë INTERPOL-it





               Publikuar në : 16:10 - 14/07/19 |
mapo.alm

Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it ka vendosur të dërgojë dosjen e Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që sivjet do të mbahet në Kili.


Njohësit e sigurisë dhe çështjeve politike në vend, nuk po shohin shumë shpresë që Kosova do të arrijë sivjet anëtarësimin në organizatën ndërkombëtare më të madhe të policisë, meqë sipas tyre nuk është punuar mjaftueshëm në këtë drejtim. Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ditë më parë tha se Policia e Kosovës u cilësua në nivelin më të parë të profesionalizmit dhe kredibilitetit, si organizatë policore moderne dhe me standarde të avancuara.



Pacolli njoftoi se Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it në Francë, ka debatuar rreth aplikacionit të Republikës së Kosovës, dhe ka vendosur në favor të dërgimit të dosjes së Policisë së Kosovës për votim në asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it. Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani shpreson që përpjekja e shtetit të Kosovës, edhe njëherë, për anëtarësim në INTERPOL, mos të ketë qenë edhe një hap tjetër jo i koordinuar mirë.


Sipas saj, çakordimi në fushën e politikës së jashtme mund të rezultojë me një dizastër total për imazhin e Kosovës në botë, dhe procesi në shtet-ndërtim. E sipas Nuredin Ibishit, njohës i sigurisë, vetëm lobimi i duhur mund të sjell rezultate.

Ai thotë se nëse bëhet një strategji, një plan i veprimit dhe angazhohen kapacitetet e jashtme, Kosova mund të ia dalë. Por ai nuk po sheh lobim të duhur nga institucionet e Kosovës. Megjithatë, ai thotë se nuk duhet humbur shpresa, që sipas tij, vëmendja duhet të drejtohet në lobimin e shteteve mike.

Njohësit e zhvillimeve politike në vend po konsiderojnë se nuk janë nxjerrë mësimet e duhura nga gabimet e vitit të kaluar, kur Kosova dështoi t’i bashkohet familjes së madhe të Policisë. Rasim Alija thotë se duke marrë parasysh zhvillimet e vitit të kaluar dhe përgjatë këtij viti, rezultatet sivjet pritet të jenë të njëjta. Vazhdimisht, gjatë përpjekjeve të Republikës së Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, diplomacia e Serbisë kishte angazhuar kundër-lobim, me qëllim të pengimit të anëtarësimit.

Aktualisht, raportet mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë më të avancuara se në vitin e kaluar, kur shteti fqinj bëri përpjekje maksimale që Kosova të mos të jetë pjesë e INTERPOl-it. Tani, ndaj Serbisë është e vendosur edhe taksa 100% për mallrat që vinë nga atje.

Kujtojmë se në vitin 2018 Kosova nuk ka arritur të bëhet vend anëtar i INTERPOL-it, meqë nuk mori votat e mjaftueshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate. Në raundin e parë, Republika e Kosovës mori mbështetjen nga 76 shtete, ndërkohë kundër i kishte 56, dhe 22 abstenime. Ndërsa në raundin e dytë të votimit, Kosova mori 68 vota për, 51 kundër dhe 16 abstenime.

Përpjekje për anëtarësim në INTERPOL Kosova bën që nga viti 2010, por që nuk merrej parasysh nga Komiteti Ekzekutiv. Në vitin 2015 dhe 2016 kishte aplikuar por nuk kishte arritur të futej në agjendën zyrtare. Derisa më 2017 ishte Kosova ajo që e tërhoqi vetë kërkesën, meqë nuk kishte mbështetje të mjaftueshme/RTK


Etiketa: , , ,

Pas