Pas dorëheqjes së Kryeministrit Ramush Haradinaj pritet që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme në datën 8 shtator.
Sipas ligjit, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpërndarja e parlamentit. Burime të televizionit publik, RTK-së bëjnë me dije se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vendosur që, në përputhje me afatet kushtetuese e ligjore, të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më datë 8 shtator 2019.
Ramush Haradinaj dha dorëheqjen e tij si dhe konfirmoi shpërndarjen e qeverisë që drejtonte pasi mori ftesën zyrtare per tu pyetur në Gjykatën e Hagës. Kjo është hera e dytë që Haradinaj lë mandatin e kryeministrit të vendit për të dëshmuar në gjykatën e Hagës.
Gjatë ditës së sotme, me anë të një postimi në Facebook Haradinaj falenderoi të gjithë mbështetësit që e përkrahën pas dorëheqjes. Ai thotë se “kjo mbështetje e madhe tregoi për njohje, e jo ndarjen e Kosovës e as Dodik Republikë në Kosovë!”