Aktualitet

Kosova të përpilojë një doracak për miqtë ndërkombëtarë









Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:20 - 23/02/21 |
Augustin Palokaj

Nuk është lehtë për të gjetur një datë nga e cila do të duhej nisur për të bërë një pasqyrë të “kontratave” të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare dhe një analizë të asaj që Kosova ka pranuar dhe zbatuar.



Është e vërtetë se rezultati në fund ka dalë i kënaqshëm për Kosovën, sepse ajo fitoi lirinë dhe pavarësinë, por tregimi për rrugën dhe epilogun nuk është edhe aq i lehtë. Disi më kujtohet “Komuniteti i Shën Egjidit”. Do t’ia nisi nga kjo organizatë kishtare, e cila e kishte “lehtësuar” dialogun e parë mes Kosovës dhe Serbisë, dhe madje kishte siguruar edhe “marrëveshjen e parë historike”.


Me ndërmjetësimin e kësaj organizate, presidenti i atëhershëm i Serbisë, Slobodan Milosheviç, dhe presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, (për Serbinë lider politik i shqiptarëve në Kosovë e Metohi) kishin arritur marrëveshjen për shkollim. Sipas saj, do të duhej të hapeshin shkollat për nxënësit shqiptarë në Kosovë, që i kishte mbyllur regjimi i Slobodan Milosheviçit.




Hera e parë kur në një prononcim për media NATO-ja kishte folur për Kosovën kishte qenë pikërisht thirrja për të zbatuar “Marrëveshjen Milosheviç – Rugova”. Jo që kjo ishte një temë ushtarake. Por kishte rëndësi, sepse bashkësia ndërkombëtare dhe shqiptarët e Kosovës, si aleatë, vazhdonin përpjekjet për zgjidhje paqësore. Serbia vazhdonte represionin dhe krimet në terren.



Që nga kjo marrëveshje, Kosova vazhdoi t’i pranojë marrëveshjet dhe të tregojë gatishmëri për t’i zbatuar e Serbia jo. Praktika “Kosova prano, e Serbia refuzo” vazhdoi.


Në Ramboullet, Kosova pranoi, ndonëse jo me lehtësi, Marrëveshjen, e Serbia refuzoi.

Në Paris, pas Ramboulletit, Kosova nënshkroi Marrëveshjen, e Serbia jo. Në diskutimet në Vjenë, të udhëhequra nga Ahtisaari Delegacioni i Kosovës ishte i përkushtuar për të arritur marrëveshje, ndërsa Serbia refuzonte apriori epilogun e saj.

Edhe kur doli “Propozimi i Ahtisaarit” Kosova e pranoi atë. Jo vetëm Serbia, por edhe bashkësia ndërkombëtare e tradhtoi këtë produkt që ishte i tyre. BE-ja nuk e mbështeti Pakon e Ahtisaarit.

E sot kur shohim rezultatet e zgjedhjeve, sidomos mënyrën se si janë zgjedhur përfaqësuesit e pakicave dhe mundësinë bllokuese që kanë serbët, e shohim se as Pakoja e Ahtisaarit nuk ka qenë ideale për Kosovën. Ajo ia ka sjellë Kosovës pavarësinë. Por i ka bërë shumë pengesa Kosovës. Duke e ditur se nuk ka mundësi tjetër, kosovarët e kanë pranuar edhe këtë pako.

Por BE-ja dhe Serbia jo. Kështu nisën ndasitë në BE dhe në NATO rreth statusit të Kosovës. Pra, këto ndasi dhe mosrespektimi i marrëveshjes nga BE-ja dhe NATO-ja nisën një vit para se Kosova ta shpallte pavarësinë.

Është e pabesueshme se si edhe sot ka zyrtarë të lartë në BE dhe në NATO që përdorin termin “Deklarata unilaterale e pavarësisë” në rastin e Kosovës. Nuk ekziston në historinë e shpalljes së pavarësive ndonjë deklaratë e cila ka qenë më pak unilaterale sesa kjo e Kosovës.

Lexo edhe :  Kosovës i duhet reformë e sistemit zgjedhor

Për nga natyra shpalljet e pavarësisë janë unilaterale. Sepse një entitet e shpall veten shtet dhe pret ta njohin të tjerët. Por shpallja e pavarësisë së Kosovës, që nga përgatitja e saj e deri në fund, ishte një akt krejtësisht multilateral. Që nga përpilimi i Kushtetutës e deri te dizajni i flamurit e udhëzimi për kompozimin e himnit ishin sipas “udhëzimeve ndërkombëtare”.

Pos që u desh të gjendeshin modalitete për të siguruar një status të kënaqshëm për komunitetin serb në Kosovë dhe për objektet fetare ortodokse serbe, bashkësia ndërkombëtare u kujdes që të gjitha provizionet ligjore në Kosovë të rehatonin edhe nevojat e Bashkimit Evropian.

Që nga EULEX-i e deri te Zyra e BE-së. Edhe pse gjithçka Kosova bëri sipas “udhëzimeve ndërkombëtare”, BE-ja e NATO-ja as sot e kësaj dite nuk e trajtojnë Kosovën si shtet të pavarur. BE-ja nuk ka delegacion në Prishtinë e as që Kosova ka mision pranë BE-së.

Kosova dhe BE-ja nuk kanë raporte diplomatike. Sa herë ia kujtojmë këtë BE-së, ata mbrohen me shifrat se sa mjete financiare kanë dhënë për ta ndihmuar Kosovën. Dhe nuk ka dyshim se e kanë ndihmuar. Kosovarët duhet të jetë gjithmonë falënderues për këtë. Dhe janë. Nuk ka popull që ka më shumë arsye për zhgënjim me BE-në, por nuk ka as popull që e do BE-në më shumë sesa kosovarët.

Nëse rikujtohen të gjitha kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës në 30 vjetët e fundit, Kosova ka një rezultat impresiv në pranimin dhe zbatimin e tyre. Këtë tash nuk e dinë shumë zyrtarë ndërkombëtarë që kërkojnë nga Kosova “të jep diçka”. Ndoshta e vetmja kërkesë të cilën askush në Kosovë nuk e ka zbatuar, e as nuk ka dashur ta zbatojë, ka qenë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Përderisa në Kosovë vazhdon të jetë blasfemi çdo ide e kundërshtimit të kërkesave të “miqve ndërkombëtarë”, që është edhe logjike, sepse lidhet me kujtesën kolektive se ata na kanë shpëtuar, ka ardhur koha që në mënyrë të qetë, pa hidhërime, edhe Kosova miqve t’ua rikujtojë se janë disa detyrime që ata nuk i kanë kryer e ia kishin premtuar Kosovës.

Në kohën kur Kosovës i jepen premtime të reja, por me kërkesa për kompromise të reja, ndoshta do të duhej rishikuar se ç’u bë me ato premtimet e mëhershme, që nga premtimet se do të mbështetet Propozimi i Ahtisaarit e deri te liberalizimi i vizave.
E kur ta kuptojnë më mirë gjeneratat e reja të politikanëve në Evropë, atëherë do të kenë më shumë mirëkuptim për hezitimin e Kosovës që të bëhet viktimë e nevojave të Serbisë dhe shteteve të tjera, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën.

5


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas