Mapo Format

Kosovarizma kundrejt shqiptarizmës





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:56 - 22/12/18 |
mapo.al

Nga Mehmet Kraja


Pjesë nga libri “Identiteti Kosovar (Dilema dhe kundërthënie)”, ribotim i plotësuar


Luhatjet identitare


Pikërisht në fazën e përmbylljes së kompromiseve për pavarësinë e Kosovës u hodhën në qarkullim edhe idetë për identitetin kosovar, identitet ky që duhej të “mbulonte” jo pavarësinë si zgjidhje të çështjes së Kosovës, por edhe lëndimet që iu shkaktuan kësaj pavarësie. Pra, identiteti kosovar nuk u shfaq si imanencë e pavarësisë, por si surrogat i saj, ose si argument për të minimizuar dështimet evidente. Nëse opsioni i shtetit të Kosovës ishte projekt ndërkombëtar dhe fuqitë vendimmarrëse nuk deshën që Kosova t’i bashkohej Shqipërisë për shkaqe që tashmë i kemi të njohura, atëherë ishte krejt logjike që Kosova do të bëhej shteti i dytë shqiptar në Ballkan. Çdo gjë që ndodhi pastaj, u bë për të minimizuar këtë fakt, ose për ta degraduar këtë arritje historike të shqiptarëve. Dikush thotë se kjo u bë për shkak të koncesioneve ndaj Serbisë dhe Rusisë, dikush tjetër për shkak të mospajtimeve SHBA-BE. Ç’rëndësi ka kjo për ne? Me rëndësi është fakti i bërjes së Kosovës një shtet që nuk mund të funksionojë, sepse një Kosovë me jo plot njëmbëdhjetë mijë kilometër katrorë, e përkufizuar si shtet multietnik, e lidhur fort përmes komunave serbe me Serbinë, me një konflikt të ngrirë në veri (i lënë qëllimisht si i tillë), me mungesë të theksuar të traditës shtetërore, me potencial të papërfillshëm ekonomik, me konflikte të brendshme politike të trashëguara, e gjendur në një udhëkryq rrugësh për trafiqe e kontrabandë, e përqeshur dhe e tallur nga bashkësia ndërkombëtare, e refuzuar me arrogancë nga Europa e vjetër, me një klasë politikanësh të papërgjegjshëm, pra, ç’mund të paraqesë një Kosovë e këtillë kundruall Serbisë, e gatshme në çdo kohë për ta shantazhuar deri në pafund?


Të gjithë këta faktorë të rëndësishëm për mbijetesën e Kosovës do të ishin periferikë kundrejt luhatjeve të identitetit, të cilat u imponuan pikërisht me idenë se projekti duhej të çohej deri në fund. Dikush e perceptoi pavarësinë si projekt ideal dhe çështjen identitare e konsideroi ndihmë për ta arritur sa më lehtë këtë idealitet. Por, në të vërtetë, shpejt do të vërehet se çështjet e identitetit nuk u hapën për idealizëm të atyre që u mrekulluan me pavarësinë, por për ta bërë më të lehtë shkërmoqjen e Kosovës, ose pamundësinë e bërjes së saj. E zëmë se ky është konspiracion dhe se buron nga një paranojë kolektive ose individuale e shqiptarëve të Kosovës nga Serbia. Atëherë le të themi pak më ndryshe, se “gota nuk është gjysmë e zbrazët, por është përgjysmë plot” dhe këtë “prirje mohuese” le ta kthejmë në “mendim pozitiv”. Në një rrethanë të këtillë, identiteti i rikompozuar kosovar do të ishte i vetmi garantues se Kosova e pavarur, se shteti i Kosovës nuk është zgjidhje kalimtare, por një zgjidhje e qëndrueshme, pra e përhershme. Kjo është ajo pika më e ndjeshme, aty ku Kosova reale, Kosova e sotme ballafaqohet jo më me historinë, me të shkuarën e saj iluzioniste, por me të sotmen dhe me të ardhmen. Një identitet i ndarë i Kosovës, një identitet i ribërë i Kosovës, për çfarëdo qëllimi dhe për çfarëdo motivi, mund të zëvendësojë mijëra trupa të NATO-s, për ta mbajtur Kosovën larg Shqipërisë. Një identitet i ribërë i Kosovës është e vetmja garanci se Kosova do të ketë një pozicion të ndërmjetëm, një pozitë neutrale ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë.

Shikuar nga ky kontekst identiteti kosovar ishte një urgjencë politike, që nuk ka asgjë të përbashkët as me historinë dhe as me teoritë për kombe të reja. Bashkësisë ndërkombëtare vendimmarrëse, veçmas Europës së vjetër, i duhet qëndrueshmëria në rajon, përmes ruajtjes së baraspeshës. Shteti i Kosovës është faktor i rëndësishëm në këtë qëndrueshmëri dhe vetë ky shtet e ruan këtë qëndrueshmëri nëse në betejën ndërmjet integralizmit dhe indipedentizmit fiton ideja e indipedentizmit. Identiteti i ribërë i Kosovës, përfshirë këtu edhe bërjen eventuale të kombit kosovar, nuk është indipedentizëm vetëm si i tillë, por është një instrument në funksion të indipedentizmit dhe, në të njëjtën kohë, instrument kundër integralizmit shqiptar. Argumentet historike këtu nuk hyjnë në punë, ose, thënë më mirë, shpesh keqpërdoren ose deformohen, vetëm sa për ta përligjur pragmatizmin politik.

Ta zëmë, askund nuk gjen bazë historike bërja e kombit kosovar, sepse, sikundër e kemi thënë, Kosova ka marrë pjesë aktive në të gjitha ngjarjet që e kanë bërë kombin shqiptar, duke filluar nga Lidhja e Prizrenit e deri te shpallja e pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë proces, por edhe në zhvillimet e mëvonshme, Kosova nuk ka mundur të veprojë e ndarë, që domethënë se nuk është diferencuar në asnjë pikëpamje nga pjesa tjetër e kombit. Edhe potenciali i saj ka qenë i vogël për të bërë një diferencim të tillë. Më anë tjetër, krejt procesi historik i ndërtimit të identitetit të saj shqiptar është zhvilluar në një varshmëri të thellë nga Shqipëria dhe nga idetë integraliste që vinin që andej. Vetë bërja e Kosovës së pavarur, e Kosovës së lirë nga Serbia është rezultat i drejtpërdrejtë i identitetit të saj të fuqishëm shqiptar. Kosova nuk do të bënte luftë, po të mos ishte shqiptare. Në luftën e fundit, por edhe më herët, askush në Kosovë nuk do të vritej me idenë e kosovarizmës. Të gjithë ranë dhe u sakrifikuan me idenë e shqiptarizmës.

Të gjitha këto janë të njohura dhe të ditura, pavarësisht nëse thuhen ose jo, pavarësisht nëse theksohen ose jo. Ajo që nuk thuhet, ka qenë dhe vazhdon të mbetet një kapje peng e shqiptarëve të Kosovës ndërmjet shumë pamundësive. Ata e deshën Kosovën të bashkuar me Shqipërinë, por nuk e bënë dot. E supozojmë se, në pamundësi për ta bërë siç e deshën në fillim, ata e deshën edhe shtetin e Kosovës. Por prapë ata u ballafaquan me pamundësinë e bërjes së tij. Gënjejnë ata që thonë se Kosova e do flamurin e saj dhe nuk e do flamurin kombëtar. Flamuri i Kosovës dhe simbolet e tjera të saj janë pamundësia e afishuar e Kosovës për t’i çuar zhvillimet politike në drejtimin që ajo e dëshironte. Pra, sipas kësaj ideje del se pavarësia është limiti maksimal i Kosovës, deri ku ajo, me ndihmën e aleatëve dhe të interesuarve të tjerë mund të arrinte, por më tej nuk bënte dot asnjë hap. Mbase pavarësia po, por jo çfarëdo pavarësie; mbase një flamur dhe himn më vete po, por jo çfarëdo himni dhe flamuri. Mbase shtet i qytetarëve të barabartë po, por jo shtet multietnik. Mbase shtet i varur nga bashkësia ndërkombëtare po, siç janë të varur shumica e shteteve në botën e sotme, por jo një varshmëri e tillë, që e bën një gjuhë të huaj gjuhë supreme, me të cilën duhet të matet saktësia e secilit kuptim. Mbase po një shtet që do të kishte marrëdhënie të mira me Serbinë, por jo duke ia detashuar Serbisë deri edhe të drejtën për ta shantazhuar shtetin dhe për ta rrënuar atë.

Pra, suaza reale e bërjes së Kosovës nuk ka qenë kjo. Suaza reale e bërjes së saj ka qenë më e avancuar, përfshirë edhe kompromiset e domosdoshme me faktorët vendimmarrës. Pakoja e Ahtisaarit në shumë pika ka mundur të korrigjohet, sikur faktori politik i Kosovës të ishte më konsistent. Decentralizimi do të bëhej, por jo duke iu dhënë status të veçantë edhe një fshati të të Gjilanit me 500 banorë serb. Flamuri ka mundur të bëhet më mirë, duke respektuar edhe veçantinë e Kosovës, por edhe identitetin e saj themelor. Himni gjithashtu. Kushtetuta e Kosovës ka mundur të bëhet më e mirë, nga kjo që është tani, një tekst evaziv, me dualizma dhe me zgjidhje që paragjykojnë sovranitetin e luhatshëm. Të gjitha këto së bashku nuk do të nxirrnin në sipërfaqe kërkesën rrënimtare për identitet të ri të Kosovës, për komb kosovar dhe ngatërresa të tilla, duke bërë që ky identitet i ri dhe ky komb kosovar të bëhet alibi për projekte shkatërruese, ose strehë për profiterët me emblemën e BE-së; për spiunët e Serbisë, të hershëm dhe të vonë; për nostalgjikët jugosllavë dhe trashëgimtarët e tyre biologjikë dhe botëkuptimorë; për kontrabandistët dhe trafikantët e të gjitha mallrave dhe të gjitha vlerave; pra, për gjithë këtë shumësi horrash, që tashmë kanë zënë vend dhe përbëjnë hierarkinë shoqërore në hapësirën e ngushtë të Kosovës.

 

Braktisja e idealeve

Do të ishte tepër e pandershme nëse nga synimi për të bërë identitetin kosovar hiqet pjesëmarrja e idealistëve, të cilët, për shkaqe dhe arsye krejtësisht të ndryshme, mund të krijohet përshtypja e gabuar se qëndrojnë në të njëjtën radhë me përfituesit e pavarësisë, të shtetit të Kosovës dhe të identitetit të mëvetësishëm kosovar, apo me proserbët ende të fshehtë ose me nostalgjikët jugosllavë gjithnjë e më të zëshëm. Është paradoksale që të tri këto kategori njerëzish në Kosovë, për shkaqe rrethanash, të gjenden në të njëjtën radhë, tashmë jo si indipedentistë të njëmendët (sepse të tillë ka më shumë), pra që i lidh ideja e përbashkët e pavarësisë së Kosovës, por më shumë si kujdestarë shpirtërorë të kësaj pavarësie. Nuk do mend, si çdoherë tjetër, idealistët janë krijesat më fatkëqija dhe tragjikët më të mëdhenj të këtij procesi të ngatërruar dhe kontradiktor. Ata vërtet e shohin ëndërr Kosovën si shtet europian, të zhvilluar ekonomikisht, me institucione demokratike, me liri dhe të drejta të njeriut, me barazi të qytetarëve, me një sundim shembullor të rendit dhe ligjit, pra një shtet ideal, që ta mbush kraharorin me ëndje, teksa e mendon. Unë nuk them se nuk ka idealistë të këtillë dhe nuk them se në Kosovë nuk ka njerëz që besojnë sinqerisht në këto ideale. Por një pjesë e tyre, pjesa më e madhe, nuk janë krejt naivë, si të gjithë idealistët, ngase të angazhohesh për një Kosovë të tillë në rrethanat e tanishme nuk është se nuk shpaguhet. Madje, ky idealizëm ndonjëherë mund të konvertohet shumë shpejt në fonde të vjela nga BE-ja, nga Komisioni Europian ose nga dikush i ngjashëm me të.

Por edhe përtej këtij idealizmi që shpaguhet, duhet besuar se ka idealistë të njëmendët, të cilët bërjen e Kosovës europiane e ndjejnë si imanencë të qenësishme, pra as gënjeshtër, as pozë, as përfitim, por ideal të njëmendët. Sado që është e tymtë, një ëndërr të tillë duhet respektuar, sepse e drejta për të ëndërruar idealën, e drejta për të synuar idealën, e drejta për të pasur qëllim idealën nuk mund t’i mohohet askujt. Madje është e këndshme dhe të bën të ndjehesh mirë, kur e di se ky idealitet lidhet me Kosovë, me ëndrrën tonë të gjithmonshme, njësoj sikundër që duhet besuar se nuk mund të ketë ndodhur që Kosovën ta ketë braktisur përfundimisht krejt soji njerëzor i idealistëve, sepse bërja e saj, që nga mbijetesa e deri te zgjidhja e fundit politike, qoftë përfundimtare ose jo, iu referohet pikërisht idealistëve. Situatën do të duhej konsideruar si një qëndrim pezull, si një ngecje të përkohshme, si një hutim të shqiptarëve të Kosovës pas mrekullisë së lirisë, e cila sikur ende i mban ata në një ëndërr të stërzgjatur, ose më keq se kaq, një mrekulli që ua ka nxitur pasionet dhe ua ka zhbërë racionalitetin.

Idealistët nuk duhet mohuar, gjithsesi, sado të paktë që mund të jenë, të cilët mund ta kenë menduar bërjen e identitetit kosovar si një rrugë më e shpejt dhe më e lehtë që e çon Kosovën drejt integrimeve europiane, drejt pranimit dhe faktorizimit të saj ndërkombëtar, sepse, sipas bindjes së tyre, një ndarje identitare e Kosovës nga pjesa tjetër e botës shqiptare, duke pasur edhe mbështetjen e disa fuqive vendimmarrëse, heq përfundimisht embargon mbi shqiptarët si potencial rrënimtar ose plangprishës në Ballkan, duke i krijuar Kosovës pozicion të përshtatshëm për integrim të suksesshëm. Sepse, sipas bindjes së tyre, një Kosovë me identitet të diferencuar i tejkalon lehtë pengesat e trashëguara, heq dyshimet rreth fantazmës së “Shqipërisë së Madhe” dhe bëhet më e akceptueshme, madje më e përshtatshme për Serbinë e frustruar dhe aleatët e saj. Pra, bëhet fjalë për një opsion zbutës për Kosovën dhe shqiptarët nacionalistë, të cilët, të bashkuar ose të integruar ndërvetshëm, i frikësuakan fqinjët e tyre dhe Europën që i mbështet ata. Ky integrim i ndërvetshëm i shqiptarëve veçmas paraqitet problematik në funksionimin e boshtit tradicional ballkanik veri-jug, duke përfshirë këtu edhe interesat e Rusisë, sikundër edhe të disa fuqive evropiane, të cilat tashmë janë deklaruar se mbështesin ruajtjen e status quo-s tradicionale në këtë rajon të trazuar të Europës.

Teoritë se Kosova edhe pas vitit 1999 u gjend në vëmendje të fuqive vendimmarrëse nuk duhet injoruar në tërësi, sikundër që nuk duhet dhënë aq shumë prioritet. E vërtetë është se Kosova pat rëndësi për rikonfigurimin e Ballkanit pas luftërave të përgjakshme, por faktorët e implikuar nuk lejuan që të krijohet një drejtpeshim përmes trinitetit Serbia-Shqipëria-Kosova në mes, duke mbajtur qëndrimin se çështja e Kosovës lidhej kryekëput me Serbinë dhe nuk kishte të bënte fare me Shqipërinë. Edhe kosovarëve indipedentistë duket se iu pëlqeu një këndvështrim i këtillë, sepse, në rend të parë, ua përkëdhelte sedrën politike, duke i faktorizuar ndjeshëm dhe duke i vënë si të barabartë kundruall Serbisë. Më anë tjetër, mbështetur në një përvojë historike dhe në disa situata jo shumë fatlume, te kosovarët tashmë ishte ngulitur një mosbesim ndaj Shqipërisë në raport me Serbinë. Herën e parë Shqipëria monarkiste e kohës së Zogut nuk e kishte pasur për gjë që, për interesa të pushtetit, ta tradhtonte Kosovën me lehtësinë e një loje fëmijësh. Këtë e kishin përsëritur po me kaq lehtësi edhe Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës. Nuk kishte asnjë arsye që, po ta shihnin të nevojshme, këtë të mos e bënin edhe pushtetarët e Shqipërisë demokratike. Prandaj, heqja e Shqipërisë si palë e interesuar në përballje me Serbinë u mbështet nga indipedentistët kosovarë, pavarësisht se mund të mos i kishte pyetur njeri për këtë. Mbi të gjitha, një përballje e këtillë e Kosovës vetëm për vetëm me Serbinë fuqizonte opsionin e pavarësisë së Kosovës, sikundër që, deri diku, hiqte dilemat e ndarjes së Kosovës dhe krijonte përshtypjen se mënjanimi i fantazmës së “Shqipërisë së Madhe” ua lehtësonte punën jashtëzakonisht shumë aleatëve të saj, në përballje me atë pjesë të botës që kundërshtonte pavarësinë.

Mirëpo, më anë tjetër, mënjanimi i Shqipërisë nga procesi i bërjes së shtetit të Kosovës dhe lënia e Kosovës vetëm për vetëm përball Serbisë, me aleatët e besueshëm në krah, vetvetiu do të krijojë një ç’balancim politik, i cili gradualisht do të shndërrohet në dokumente dhe drafte me koncesione të mëdha ndaj Serbisë, pa një palë të tretë që do të mund të drejtpeshonte në një përballje të këtillë. Sikundër që do të shihet, mënjanimi i Shqipërisë nga i tërë procesi i bërjes së Kosovës dhe mbështetja pa rezervë e kësaj ideje nga indipedentistët kosovarë, teorikisht do ta përjashtojë idenë e ndarjes së Kosovës, por praktikisht do ta lërë të hapur këtë çështje, qoftë si kalkulim eventual politik i Serbisë, qoftë si opsion real në shumë kancelari ndërkombëtare. Së këndejmi, në këtë histori të re Shqipëria nuk u bë faktor i bërjes apo i ruajtjes së Kosovës. Kjo ia lehtësoi punën Shqipërisë, e cila tashmë ka krijuar një komoditet të panatyrshëm në raport me Kosovën, duket edhe me arsyetimin se edhe vetë kosovarët e mbështetën një rol të këtillë të Shqipërisë. Rolin e ruajtjes së tërësisë së Kosovës, në një mënyrë gati të panatyrshme, e morën dhe vazhdojnë ta mbajnë shqiptarët e Maqedonisë.

Pra indipedentistët kosovarë, ose idealistët indipedentistë, t’i quajmë kështu, duke mënjanuar Shqipërinë si palë me Kosovën në përballje me Serbinë e bënë një dëm që vështirë do të riparohet ndonjëherë. Ky gabim edhe mund të falet, nëse dëmi u bë për shkak të idealzimës. Por historikisht do të jetë e pafalshme nëse idealizmi i kryehershëm tashmë është braktisur dhe ideja e pavarësisë, pra idealizmi indipedentist rrëshqet në pragmatizëm. Në të vërtetë, pavarësia e Kosovës është idealitet dhe ajo e tillë mund të mbetet, tani dhe gjithmonë. Të bësh një Kosovë të pavarur, një shtet europian, të zhvilluar dhe të denjë për jetën e njerëzve mund të jetë një ëndërr për të gjithë. Mirëpo, nëse mbi këtë idealizëm bëhen kalkulime të tjera, idealistët kosovarë, sado të paktë që mund të jenë, i bën mashtrues dhe hipokritë të pafalshëm. Me një fjalë, ideja e bërjes së Kosovës shtet europian është ide fisnike, por nëse këtë ide duhet “plotësuar” me koncesionin e identitetit, atëherë del se idealistët realisht asnjëherë nuk kanë qenë të tillë, por kanë qenë djaj të përbindshëm, të cilët e manipuluan besimin me pamjen e tyre prej engjëjsh.


Etiketa: , , , ,

Pas