Nga sot, hyn zyrtarisht në fuqi Ligji për Ndalimin e Lojërave të Fatit. Ky ligj ishte propozuar nga Qeveria e Kosovës pas dy vrasjeve të ndodhura në vend, e ku viktimë ishin punëtorët e kazinove. Nisma kaloi në Kuvendin e Kosovës disa muaj më parë dhe u votua nga një shumicë dërrmuese e deputetëve.
Ligji në fjalë ishte botuar në Gazetën Zyrtare më 24 prill dhe sipas afateve parashikohet që të hyjë në fuqi 15 ditë pas publikimit.
Ky ligj parashikon ndalimin e të gjitha lojërave të fatit, përfshirë edhe bastet sportive, përveç Lotarisë së Kosovës. Administrata Tatimore e Kosovës ka filluar me revokimin e licensave të këtyre bizneseve.
Nga 1 janari i këtij viti edhe Shqipëria ndaloi lojërat e fatit, duke mbyllur të gjitha llotot dhe kazinotë. Këto të fundit do të jenë aktive vetëm në hotelet me 5 yje. Një nismë e tillë është paralajmëruar edhe në Maqedoninë e Veriut. Kanë qenë aktivistë, qytetarë dhe forca politike shqiptare të cilat kanë kërkuar mbylljen e lojërave të fatit njësoj si Shqipëria dhe Kosova.