Aktualitet

Kosovë/ Katër kandidatët për kryeministër sforcojnë garën zgjedhore





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 17:33 - 26/08/19 |
mapo.al

Posti i kryeministrit, përbën figurën kryesore në zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Andaj, të gjitha subjektet politike dhe koalicionet që garojnë në zgjedhje, përpiqen që përmes kandidates apo kandidatit të tyre, për këtë pozitë, të sigurojnë një mbështetje më të gjerë nga votuesit.


Aktualisht, partitë dhe koalicionet në Kosovë kanë dalë me emrat e katër figurave politike si kandidatë për kryeministër. Partnerët e koalicionit qeverisës, që shumë shpejt mund të mbesin ish-partnerët qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tani kanë dy rivalë.



PDK ka kandidat liderin e saj, Kadri Veselin, kurse AAK-ja, po ashtu liderin e saj dhe kryeministrin në largim, Ramush Haradinaj, për postin e shefit të qeverisë. Ndërkohë, edhe opozita aktuale, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, pavarësisht faktit se janë në negociata për koalicion, kanë edhe ata dy kandidatura të ndara.


Lidhja Demokratike e Kosovës ka nxjerrë në “betejën” për kryeministren e parë femër në Kosovë, Vjosa Osmanin.

Kurse Vetëvendosje, edhe pse nuk e ka shpallur zyrtarisht, në shumë raste ka prezantuar liderin e saj, Albin Kurtin për detyrën e shefit të qeverisë.

Aktualisht, këto katër figura politike pritet të jenë në qendër të vëmendjes në fushatën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Por, në fund, vetëm njëri prej tyre do të mund të marrë këtë pozitë, nëse nevoja për koalicione nuk sjell një pasqyrë tjetër pas zgjedhjeve.

Megjithatë, bazuar në praktikat e deritashme, mund të ngjajë që si pjesë e marrëveshjes politike për koalicione, partitë politike të dakordohen rreth një figure tjetër prej këtyre katër kandidatëve apo siç njihet me termat politikë, një figurë konsensuale që do të jetë e pranueshme për të gjitha partitë e koalicionit të ardhshëm qeverisës.

Por, sidoqoftë, fushata për zgjedhjet e ardhshme, të caktuara tashmë më 6 Tetor 2019, pritet të mbështetet pikërisht në këto emra dhe programet që ata ofrojnë për qeverisjen gjatë mandatit të ardhshëm katër vjeçar./REL


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas