Mapo Letrare

Kosovë, koha është të duhemi





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:11 - 16/02/20 |
Nga Eli Kanina

(Vijon nga suplementi letar i javës së kaluar)


Ndërsa Esad Mekuli është quajtur babai i poezisë në Kosovë, Ali Podrimja është diamanti i kurorës së poezisë moderne shqiptare. Në një mënyrë krejt origjinale, Ali Podrimja dëshmon artin e tij të fjalës, dhe misionin që ka para popullit të Kosovës, përmes përshkrimit të situatës së shqiptarisë në botë, duke iu drejtuar vetes:



“Ndizen, fiken qirinj erë temjani pikojnë fjalët


Trupat rezervati

Nën sqetull të fatit dheun marrin fëmijët

Gruaja end e shkreh pëlhurën

Në Kullë letre.”

Me vetëdijen e njeriut që i duhet të bëjë të pamundurën për të siguruar të ardhmen e lirinë, Ali Podrimja premton në testamentit e tij, sakrificat që i duhet të bëjë, duke e paralajmëruar brezin e ri se:

“… kohë t’egra trokasin pullazeve gërmuqe…
Dhe tanket t’i shkapërderdhin lodrat
Ja dita plot tërmete vogëlushi im.”

Ali Podrimja megjithatë beson se kur të prajnë mallkimet, helmimet, rrethimet, edhe klithjet, edhe ndjekjet, edhe vajet, edhe varret, edhe lugetërit, edhe gjakrat, atëherë populli do të këndojë apo vajtojë, i lirë. Ai revoltohet aq shumë kur ia çjerr maskën dhe zbulon të keqen e kësaj bote, me Orën e kurdisur mbrapsh, dhe duke mbledhur shuplakën e gjakosur, rënkon me veten në pafuqi:
“Po Derri a bëhet Njeri?!”

I neveritur nga kjo botë hipokrite njerëzish, që fytyrën ndërrojnë me të derrit, me maska, që tërë jetën mbesin, veten pa e parë në pasqyrë, poeti i drejtohet:
“Kush je ti që flet e fytyrën ende s’ta pamë?

Kush je ti që çon pluhur pas ëndrrës e ik?”

Ali Podrimja e prezantoi poezinë shqipe në Europë në formën më moderne,  me përcjellen e dramës shqiptare, dhe aspiratat për liri e paqe, duke demaskuar në çdo rast, dhunën ndaj popullit të Kosovës. Ai na tregon se armikut rrugën ia shtruam me kufoma, deri në zemrat tona.

Në mbrojtje të etnisë Ali Podrimja nuk harron se të tjerë poetë shqiptarë para tij e kryen këtë mision, dhe të tjerë pas tij, e kanë për detyrë t’i dalin zot gjuhës, kullës, atdheut. Ndërsa e gjejmë këtë në poezinë për Martin Camaj, ku Ali Podrimja zbulon sesa e vlerëson poeti poetin në raport me atdheun, duke e përforcuar jehonën e zërit të tij në botë:

“Me ferk mbërthen Atdheun në arkë

Dhe merr Evropën në sy.”

Ali Podrimja përpara se të lerë trashëgimitë e tij ashtu siç shkruan tek Lum lumi, porosi e amanete për të birin, na kujton se ç’ka trashëguar ai prej atit, për shkak të dashurisë, për shkak të urrejtjes:

“E baba im atëherë gurin e rëndë

Në themel ka vënë, gurin e përrallave. ”

Thirrjet e poetit si biri për nënën, i gjejmë tek poema “Hija e tokës” ku Ali Podrimja me duart rreth belit i lutet:

“Zgjohu Kosovë!

Sonte vetëm mbeta!”

Ashtu siç i plas buza nga lutja, Ali Podrimja di edhe të falet në poezinë e tij:

“- Të falem Kosovë

Varr i dreqit

Çerdhe e Lejlekut tim!”

Ashtu si gjithë poetët, edhe Ali Podrimja mbetet i pakënaqur nga fati i vet, duke vuajtur vetëm, në mes të verbërve, hijeve, perëndive, para vetvetes e hapësirës së murit, para dashurisë e urrejtjes vetëm:

“Po ti tepër po lyp nga Unë

E pak po më jep, jeta ime.”

Ali Podrimja e mori atdheun kudo shkoi si një plagë, si një fjalë:

“Fjala ime bëhu Unë

Plaga ime le të marrë frymë thellë.” Me jetue siç thotë ai edhe nga larg, me aromë ftoi dhe melodi fyelli nga vendlindja, duke varur ëndrrat në krahë lejlekësh, me  netët ballkanike pas shpine, pa iu përulur Evropës së përgjumur dhe perëndive të krisura. Koha është të duhemi shkruan poeti Ali Podrimja, që gjithmonë ia ka frikën edhe Lules edhe femrës, duke na grishur ta provojmë vetveten derisa të kemi frymë! Epika e poetit Ali Podrimja është edhe kryefjala e gjithë jetës së tij:

“Me shekuj kam shitur gjakun

E rritur jam me gjakun e shitur

Kosova është gjaku im që nuk falet!”

Kjo formë e lartë patriotizmi, emocionet që përcjellin këto vargje, më kujtojnë  solidarizimin dhe mikpritjen tonë të familjeve kosovare gjatë luftës në Kosovë. Në vitin 1999 edhe pranë qytetit tonë, në Togës, ishte një qendër ku ishin vendosur këto familje.

Për shkak të apartamentit tonë të vogël, por edhe të familjeve të mëdha numerike kosovare, që nuk ndaheshin, ne nuk i morëm dot në shtëpi. Sapo morëm rrogën, së bashku me motrën dhe Fatmirën, një shoqe të saj infermjere, morëm ambulancën, blemë koli me ushqime dhe shkuam tek kjo qendër, ku i dorëzuam në shtabin drejtues. Kutitë me molto dhe biskota i mbajtëm për të qerasur fëmijët.

Të ndrojtur dhe të shtrukur në prehrin e nënave, ata dukej se ishin rritur kaq shumë nga vuajtja e dhimbja e luftës, sa kishin harruar të silleshin si fëmijë. Jo vetëm që nuk zgjatnin duart t’i merrnin por edhe me të luturat tona, e vajisnin kokën të turpëruar a thua ndiheshin në borxh. Po kështu gratë me fytyra të trishta, mjaftoheshin me atë sajdisje, pa u ankuar për më mirë, sikur tu dukej si thelë mbi bisht çdo përmirësim kushtesh aty. E megjithatë ne donim me shpirt, të flisnim e të ndanim me ata fëmijë e gra, atë hall të tyrin, që nuk ishte veç i tyre, për ta kaluar së bashku atë që po ndodhte.

Mbaj mend asaj kohe se isha e fejuar dhe shkoja në PTT, për të folur në postë me të fejuarin në Greqi, sepse nuk kisha telefon në shtëpi. Kabinat telefonike ishin gjithmonë të mbushura me familjet kosovare që flisnin me familjarët e tyre refugjatë në Gjermani e Zvicër. Nuk më rëndonte fare shpirti kur shpesh largohesha edhe pa folur fare, kur gra e fëmijë kosovarë, nguleshin e vonoheshin në kabina aq sa humbja orarin me të fejuarin.

Por kur e mendoja, se të paktën këto familje çliroheshin e qetësoheshin disi me ato telefonata, duke ua përcjellë shqetësimet e tyre të afërmve të tyre, më dukej se kjo ia vlente.  Aty në postë, e ulur në pritje, i kundroja veshjet e sjelljet e tyre me një farë çudie dhe admirimi.

Aty zura muhabet me një grua që rrinte në lagjen tonë, tek shoqja ime Albana. Ajo mbante një veshje tradicionale, me puplinë të bardhë nga poshtë, dhe nga mbrapa në fundshpinë kish një dërrasë 30-40 cm, të futur në një torbë leshi e punuar me motive të bukura plot ngjyra.

Më habiste ajo dërrasë që e godiste nga pas kur ecte, dhe e detyronte të ecte avash dhe me trupin drejt. Ajo më tregonte se ish marre, që gruaja të dilte pa të në rrugë, dhe pesha e goditja e asaj dërrase ua zbukuronte ecjen.

Ndryshe, e kishin hak atë dajak që ajo dërrasë u jepte nëse spërdridheshin. Ajo grua më tregonte se djemtë në Gjermani, mundeshin t’i  dërgonin aq marka sa të blinte edhe shtëpi në Shqipëri, por ajo do të kthehej me të gjithë, në trojet e saj, sapo lufta të mbaronte. Madje na ftonte edhe ne të shkonim vizitë në Kosovë, pas lufte.

Unë do të shkoja vërtet në Kosovë, për herë parë në 25 Prill të 2015, por jo për miqtë që mirpritëm dikur në qytetin tonë. Ishte promovimi i një Antologjie për heronjtë e Luftës së Kosovës, ku përfshiheshin edhe dy poezi të miat që unë kisha shkruar për këta dëshmorë.Në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, eksperienca ishte e veçantë, sepse ndjeva interesin që kishin atje për autorët shqiptarë, dhe rëndësinë që u jepnin librave dhe aktiviteteve letrare.

Do të kishte eksperienca të tjera ku unë shkëmbeva librat e mi me autorë nga Kosova, derisa në 18 shkurt 2019, në eventin e organizuar me rastin e përvjetorit të Pavarsisë së Kosovës, do të nderohesha nga Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë dhe Ministria e Kulturës së Kosovës, me çmimin “Ramiz Kelmendi”, për tregimet e vitit.

Ishte një kënaqësi por edhe një përgjegjësi ky vlerësim, që Kosova letrare më përcillte me çmimin. Me shpirtra e muza të farkëtuara nga lufta dhe situata e pasluftës në Kosovë, unë njoha edhe pasardhësit e sotëm dinjitozë, të poetëve të nderuar kosovarë Azem Shkreli, Esad Mekuli, Ali Podrimja e Din Mehmeti, që unë mbaja prej vitesh me pekule në bibliotekë.

Nëpërmjet njohjeve në rrjetet sociale, më pasuruan bibliotekën edhe me të tjerë, libra e  autorë/e  bashkëkohorë nga Kosova, duke i lexuar, takuar në aktivitete letrare këtej e andej, edhe duke u miqësuar me shumë prej tyre. Tani e them krenare e pa u ngatërruar, se jam bërë shumë e vëmendshme ndaj kësaj gjysëm molle, që kishte po aq shije e vlerë sa gjysma tjetër që unë shijoja që nga vegjëlia…


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas