Mapo Letrare

Kosovë, koha është të duhemi





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:00 - 09/02/20 |
Nga Eli Kanina

O dridhet mali ç’ka u ba,


O nji baresh’ prej nesh u nda


Do të ishte magjia e zërit dhe fyti i kristaltë i Nexhmije Pagarushes që do të na sillte ajër dashnie nga Kosova, viteve të fëmijërisë time, me këngën legjendare “Baresha”.


Ndoshta kjo mrekulli e lindur në trojet tona, do ta frymëzonte poetin Din Mehmeti ta përjetësonte së gjalli, këtë ikonë të këngës shqiptare, në poezinë e tij dedikuar këngëtares Nexhmije Pagarusha:


“Këndoi e këndoi

Derisa u shndërrua në këngë…

…E vdekja s’ka ç’ti bëjë…

Mbaj mend se në një konkurs letrar në gjimnaz, edhe pse fituam si grup, unë u ngatërrova në nja dy tituj librash të autorëve kosovarë.

“Duhet ta lexosh e t’i njohësh më mirë autorët e letërsisë kosovare”, më bëri vërejtje përgjegjësi i rrethit letrar të shkollës. Kërkova në Bibliotekën e qytetit dhe më dhanë “Vdekja më vjen prej syve të tillë” nga shkrimtari  Rexhep Qosja.

E mbajta vath në vesh atë vërejtje dhe kur disa vite më vonë, më kapi syri mes librave në librari një antologji me poetë nga Kosova, mu duk se më përcëlloi veshi deri në rrëzë. E bleva menjëherë antologjinë poetike ” Fjalë prej zjarri Kosovë”, e ngazëllyer për autorët e përfshirë aty.

Poetët qenë përzgjedhur nga poeti ynë i nderuar Xhevahir Spahiu.

E përpiva librin me poezi  të përzgjedhura nga librat e  autorëve Esad Mekuli, Azem Shkreli, Ali Podrimja dhe Din Mehmeti, për vetë emrat e tyre  të njohur në letërsinë shqipe e më tej.

Iu riktheva antologjisë, duke i lexuar me zë poezitë, me dëshirën për të mbajtur mend më të bukurat e më të bukurave nga librat e tyre ndër vite.

Gjeja aty veç talentit të mirfilltë të krijimit, edhe intelektin e autorëve të formuar universiteteve e ekperiencave më pas me veprimtaritë e angazhimet e tyre dhe postet drejtuese që kishin pasur.

Poeti Din Mehmeti si një fllad i ëmbël romantik, përzier me një farë rebelizmi që i buron së brendshmi, duket se shpjegon arsyen pse troket zemra:

“Tymi po i del hënës

Toka sinjal i kuq në orbitë

E tërmete të reja në mëshirë

E rrëkëllimë gurësh mbi gurë

A thua, pse troket zemra…”

Po kështu edhe tek poezia “Sytë që shkrepin dashuri” poeti Din Mehmeti lutet për dashurinë, se është ajo që shkrep e trashëgon votrën, mbi mortjet e paemra, ani  pse jeta është e lidhur në hullitë e ferrit:

“Eja bir-o, ta ndij gjakun duke vluar

Bregores time të lulëzua.”

Autoportreti që Din Mehmeti zgjedh për veten është sidoqoftë, mjaft që të mos e nënshkruajë fatin. Po kaq bukur Din Mehmeti na përshkuan “telashet” e jetës së tij , sa duket se lazdrohet prej tyre tek poezia e tij”.

Më lënë e më marrin tërë jetën”. Do të ish i paplotë poeti din Mehmeti në këndvështrimin tim, pa mesazhin e poezisë “Ora”, që e kapërcen kohën të cilën ai jetoi:

“Semaforët klithin zjarr!

Ora pa akrepa si fëmijë i çmendur

Udhëtonte diku jashtë kohës.”

Sepse kështu janë poetët sipas Din Mehmetit, nga temperatura e fjalëve, vdesin ngadalë pa klithma.

Të dyshimtë e kokëfortë, kur shkelmojnë zotrat që s’dinë të ngopen kurrë. Din Mehmeti e quan zog i diellit, Kosovën, teksa na dëshmon dashurinë e tij nëpërmjet arsyeve për të cilat e do.

Ndryshe nga romantizmi i Din Mehmetit, tek poeti Azem Shkreli veçori është mendimi i thellë, shprehja sintetike në poezi, pasqyrimi i realitetit.

Edhe tek ai Kosova mbetet kryefjalë fillim e fund, shkumbë e bardhë e etjes që s’shuhet, damar i plasur në trupin e bjeshkës, dhimbë që rrjedh e kulluar dashurive. Kjo është Kosova në vargjet e

Azem Shkrelit:

“Kosovës së gjerë valojnë arat e grurit

Gjithë ditën e lume, derisa muzgut

Del një vashë me shtambë nga lulet e gjakut.”

I përmendur për rolin drejtues tek Kosova Film, Azem Shkreli përsëri mbetet poet i shquar që me plot figura e metafora, me fabulat interesante na përcjell imazhe dhe mesazhe të fuqishme. Tek poezia “Rrëfimi i gjyshes”, ndërsa gjyshja loton e rrëfen dashurinë e pafatë të dy të rinjve, tue namë kanunin plak, që n’shekuj s’bani lak, poeti shkruan:

“Tash m’dhimset gjyshja e mjerë

Që vdiq me kanun në gji…”

I kërcënuar nga dashuria që i shëtit livadheve të gjoksit, me hapa të mëdhenj sa vjeti, poeti Azem Shkreli e kujton vashën tek paraelegjia, duke e paralajmëruar:

“Ruaju moj, se vashat më të bukura i  vret bukuria e vet.”

Azem Shkreli shkruan se, poeti i vërtetë e gjen vargun edhe në gjurmë të kalit, mëkon drithmat, mjel vesë e qumësht zogu, për këngën që s’deshi të shkruhet. Sa realist aq edhe metaforik në përshkrimet e tij Azem Shkreli vjen tek poezia “Koha e krymbave”:

“Marshim i jargët i krymbave zvarret tryezave, shikimeve

Hipin shoq me shoq dhe shpallin të kremten e krymbave.

Shenjti Shenkoll, po tallemi apo na mori krymberia?”

E famshme mbetet jo vetëm për titullin por edhe përmbajtjen e shtjelluar në shumçka autori di dhe dëshiron për vendin e vet, tek kjo poemë e Azem Shkrelit “E di një fjalë prej guri”:

E di një fjalë prej guri, fjalë prej zjarri

Miku im, furi e saj lëkund mallet

I bën retë të rreknohen qiellit si shqerrat

Nga ungurimë e bishës a nga vetmia.

E di një fjalë më të rëndë, fjalë më të madhe

Së heshtja jote që mi’ peshon në mëdyshje.

Miku im, e di një fjalë t’kuqe si gjaku.”

Ajo që spikat në gjithë antologjinë “Fjalë prej zjarri Kosove”,  është patriotizmi i poetëve, rebel e i zjarrtë, mes vedit por edhe si një revoltë ndaj padrejtësive historike që kanë lënduar shqiptarët:

“A është fajtor shqipëtari pse nën këtë qiell jeton?

Nën këtë qiell, në trojet e të parëve të vet?

A është fajtor pse është dhe kurrë të mos jetë e dëshirojnë?”

Është kjo retorikë e fuqishme e poetit Esad Mekuli, e vërteta shekullore e shqiptarëve e shndërruar në plagë, që vazhdon po aq të godasë tek poezia “Tempora Mutantur”(latinisht, kohët që ndërrojnë):

“Shqelmova të kaluemen, shërbimin mistik të gjyshave të mi…

O, na jetojmë në mashtrim dhe mashtrohemi përditë…

O, mjaft me rrena! Duem me pi tashma në gurrën e së vërtetës…”

E vërteta e dhimbshme e një populli të varfër nuk mund të vinte kaq qartë sa në poemën “Kush i  pari bani”, sa të duket se Migjeni dhe Esat Mekuli kanë një nerv e një damar nga një gurrë e përbashkët (mbase realiteti i së njëjtës kohë, vitet 30) ku ushqejnë vargun e vet, kur u duhet të përshkruajnë mjerimin shqiptar:

“E pashë në rrugë syngulun në largësi:

Në bebëzat e hapuna tmerri ishte strukë

Fytyrë-vyshkun e verdhë si shafrani

Prej përleshjes s’mbrendshme buzët shkrum

Dhe duert…

Pse t’hollë, tepër t’hollë e ke setrën, kurse xhepat

Janë shumë të ngushtë për duert e tua t’ajuna.”

Frymëzues gjeneratash me letërsinë e vet dhe revistën letrare “Jeta e re”, me përkthimet e kritikat e tij, Esad Mekuli edukoi e promovoi autorët e mëvonshëm të poezisë shqiptare të Kosovës. Esad Mekuli, na ka lënë vargje të tilla që veç stigmatizimit të padrejtësive shoqërore, gjykon e vlerëson brezat, pa ia humbur përpjekjen e vullnetin brezit të vet, siç shkruan tek poezia Gjykimi:

Pse- kush ka faj që prindërit s’na lanë gadi kurrgja

Pos vorreve dhe padijes….”

Esad Mekuli di të sjellë edhe  mëngjesin e gurbetqarit si andërr e shartueme në zhgandërr të zezë e të mundimshme, po me po aq emocion na e përcjell një tjetër imazh mëngjesi kur i duhet të ofshajë si poet romantik:

“Fushat erënjoma shtrihen

Si trup i gufuem femne.”

E s’ka sesi të mos mbetet ndërmend ky dyvargësh universal i mallit, që shënon  të pambërritshmen e poetit Esad Mekuli, tek poezia me të njëjtin titull:

“Kur dëshiroj aq retë mbi qytet me i soditë

Derisa malli për t’pambërritshmen m’kap…”

(Vijon në suplementin e ardhshëm)

 


Etiketa: , ,

Pas